Grupi i killerave me pagesë/ Rrëfimi i Kristi Pines:Kam vrarë jo vetëm për para

skene-krimi“E pyeta ti je Ibrahimi? Ai m’u përgjigj ‘po’. E qëllova menjëherë me kallashnikov. Ishte duke punuar në kopësht dhe pak më tej më duket se ishte edhe e shoqja. Vrasjen e Ibrahim Manit e bëra për hatër të shokut tim A. T., jo për parà. Për këtë vrasje nuk mora lekë. A. T. e njoha në burg, ku kam ndenjur disa muaj, për të dalë prej andej në fillim të 2014­s”. Kjo deklaratë është pjesë nga rrëfimi i të penduarit, Kristi Pine, i moshës 24 vjeç, i cili ka lënë pa fjalë hetuesit, teksa ka inkriminuar edhe persona të tjerë, veçanërisht shtetasin Alfred Qefalia, i cili dyshohet si bashkëpunëtor në krimin që i mori jetën Ibrahim Manit, 50 vjeç, në qershor 2014, në qytetin e Shkodrës, për të cilët prokurorët dhe policia kanë dyshime se janë pjesë e një grupi kriminal, që me shumë mundësi ka kryer edhe ngjarje të tjera, veçanërisht në Tiranë. Gjykata e Krimeve të Rënda e la Kristi Pinen nën masën “arrest me burg” për “vrasje me paramendim në kuadër të grupit kriminal”, ndërkohë që të njëjtën masë shpalli edhe për personin tjetër, Aleksandër Gore. Emri i Aleksandër Gores, 41 vjeç, doli në dritë nga rrëfimet e Pines. Një emër tjetër i rrëfyer nga 24­vjeçari është edhe Alfred Qefalia, i arrestuar gjatë aksionit për llogari të mëparshme me drejtësinë, pasi ka qenë i shpallur në kërkim si një ndër njerëzit e implikuar përgjatë arratisjes së bujshme të Admir Tafilit nga burgu i Drenovës, në nëntor të vitit 2013. Qefalia dyshohet të jetë një nga personat, që ka vendosur edhe lëndën plasëse tritol në “Rrugën Budi” kundër biznesmenit Armando Ceka, i cili mbeti i dëmtuar seriozisht për jetën së bashku me shtetasin Julian Çela, që u gjymtua, ndërkohë që u lëndua lehtë edhe shtetasi Artur Sharra. Bashkë me këtë ngjarje, prokurorët thonë se Pine ka treguar edhe për një ngjarje tjetër kriminale në Tiranë, për plagosjen e dy vëllezërve. Përveç bllokimit të një automatiku “Scorpions”, një pistolete “Smith”, dy silenciatorëve, Prokuroria dhe Policia po punojnë që të mbledhin fakte të tjera, për të provuar rrëfimin e 24­vjeçarit.

Leave a Reply