Përplasjet brenda së majtës, Gjinushi nxjerr në Fier ish-deputetin Çaçi

albert caciARTEMISA HOXHA

Edmond Hoxhaj

Në garë dhe të pavarurit – Në betejën për Bashkinë e Fierit ka dhe dy kandidatë të pavarur, të cilët kanë nisur të mbledhin firmat e tyre. Vendimi më i fundit i KQZ-së është ai për regjistrimin e komitetit për kandidatin Ilirjan Gaxhenji, si kandidat i propozuar nga zgjedhësit e zonës zgjedhore, Bashkia Fier

Pakënaqësitë dhe nanoistët – Gjinushi po shfrytëzon të pakënaqurit brenda PS-së për t’i rrëmbyer për t’i kandiduar në siglën e PSD-së. Një pjesë e tyre janë dhe ata që cilësohen si nanoistë. Nuk dihet ende nëse kjo lëvizje e Gjinushit ka dhe “bekimin” e ish-kryeministrit Fatos Nano apo jo
E majta pëson krisjen e parë në qytetin e Fierit. Për bashkinë e këtij qyteti pritet të kandidojë ish-deputeti i Partisë Socialiste, Albert Çaçi, i njohur dikur dhe si mbështetës i flaktë i ish-kryeministrit Fatos Nano. Çaçi nuk do të kandidojë si i pavarur në Bashkinë e Fierit, por në siglën e Partisë Socialdemokrate të Skënder Gjinushit. Edhe pse ende nuk është zyrtarizuar asnjë vendim i tij në lidhje me këtë kandidim, Çaçi sqaron për gazetën “Shqip”, negociatat që është duke bërë me një prej aleatëve të larguar nga koalicioni i majtë, pikërisht, Skënder Gjinushin, kreun e Partisë Socialdemokrate. “Jemi në negociata me Partinë Socialdemokratë të z. Gjinushi për një kandidim timin për kreun e kësaj bashkie. Deri më tani ende nuk kemi arritur një konkluzion. Kemi kohë”, ka thënë Çaçi. Mësohet gjithashtu se ky kandidim lidhet me pakënaqësitë që kanë qenë brenda së majtës, pasi një pjesë e socialistëve fierakë kanë kërkuar rikandidimin e Baftjar Zeqos. Çaçi ka qenë deputet i PS-së prej dy mandatesh. Ai është i njohur si një nga mbështetësit e Fatos Nanos, e mbase për këtë fakt nuk u rikandidua në vitin 2013 nga e majta. Të njëjtën tentativë Rama e pati edhe në zgjedhjet parlamentare të 2009-s, duke mos e përfshirë Çaçin në listat e PS-së për Fierin. Por kërcënimi i tij se do të ikte me LSI-në, e detyroi Ramën që ta përfshinte atë në listën e deputetëve. Kandidimi i tij pikërisht në një bashki, e cila konsiderohet si një bastion i majtë, pritet që të shkaktojë edhe lëkundje të votave të elektoratit të majtë për këtë bashki, pasi Çaçi gëzon mbështetje të të majtëve. Gjithsesi, edhe pse të majtët kanë deklaruar se emri i deputetit Subashi ka gëzuar mbështetje të plotë nga baza e partisë dhe vetë deputetët socialistë të këtij qarku, as në këtë bashki nuk janë shmangur përplasjet, ku përballë Subashit ka qenë një tjetër emër që ka pasur mbështetjen e kreut të grupit parlamentar, Gramoz Ruçi, Salarjon Tolaj. Por për këtë bashki, në moment të fundit, është shmangur ambicia e LSI-së, e cila madje kishte zgjedhur kandidatin e saj, deputetin Robert Bitri.

Roli i ish-ministrit Prifti

Kreu i PSD-së, Skënder Gjinushi, mësohet se ka qenë mbrëmjen e dy ditëve më parë në Fier së bashku me ish-deputetin Dritan Prifti, i cili garoi si kandidat i pavarur për deputet në zgjedhjet parlamentare të 2013-s, por që nuk arriti të merrte numrin e nevojshëm të votave për të hyrë sërish në Parlament. Edhe pse takimi nuk është bërë mediatik, mësohet se pikërisht takimi me strukturat e PSD-së në Qarkun e Fierit, si dhe kërkesa për mbështetje të kandidatit të tyre për kryetar të bashkisë, Çaçin ka qenë qëllimi i kësaj vizite. Kjo vizitë e Gjinushit, i shoqëruar nga Prifti, vjen pas disa takimeve të tyre edhe në kryeqytet, për të cilat Gjinushi nuk ka mohuar zërat se do të kishte një bashkëpunim të tyre për zgjedhjet lokale, ndoshta edhe ato parlamentare që pritet të mbahen pas dy viteve. Mesa duket, nxjerrja e një kandidati të tyre për kryetar të bashkisë, si dhe mbështetja nga elektorati, i cili ka dhënë votat për të nxjerrë Priftin deputet do të ketë ndikim edhe në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Fakti që PSD-ja do të garojë në këto zgjedhje edhe për anëtarë të këshillave bashkiakë, pritet që të ketë rezultat pozitiv të paktën për Fierin, ku kjo parti gëzon edhe mbështetjen e elektoratit të ish-deputetit Prifti. Dritan Prifti gëzon mbështetje në disa komuna të Rrethit të Fierit, si në Seman, Libofshë e Ndërmënas. Ai kandidoi si deputet i pavarur në zgjedhjet e fundit parlamentare, duke marrë 6164 vota.

 

Kandidatët

Subashi – Armando Subashi është kandidati i zgjedhur i PS-së për Bashkinë e Fierit, i cili pritet që të lërë mandatin e deputetit për zgjedhjet e 21 qershorit

Alibeaj – Enkelejd Alibeaj, ish-deputet në radhët e PD-së, është propozuar nga kjo parti për postin e kryebashkiakut, një shpërblim ky pas refuzimit si i deleguar në Memaliaj

Çaçi – Albert Çaçi, ish-deputet i PS-së, i lënë jashtë listave të 2013-s, do të propozohet nga PSD-ja për kryetar të bashkisë, pas pakënaqësive me të majtët dhe largimit të Gjinushit nga koalicioni

Zeqo – Zeqo pretendonte të rikandidonte, por ai është anashkaluar. Kjo gjë duket se e ka rreshtuar atë te të zhgënjyerit, pasi kryebashkiaku Zeqo nuk ka qenë i pranishëm në takimet e djeshme të Ramës

Prifti – Ish-ministri Prifti duket se po ndihmon Gjinushin për zonën e Qarkut të Fierit. Prifti ka ndikim jo të vogël në këtë zonë, pasi në 2013-n mori mbi gjashtë mijë vota si kandidat për deputet

Bitri – LSI-ja ka kërkuar që për Fierin të caktohej deputeti Robert Bitri. Por kushti i Ruçit për të mos ia lënë aleatit, solli që Rama të caktonte një kandidat nga radhët e Partisë Socialiste

Leave a Reply