RAMA TELEFONON GJINUSHIN, PA SUKSES. NË FIER ALBERT ÇAÇI DO JETË KANDIDAT I PSD PËR FIERIN

skender gjinushi dhe ramaPartia Socialiste e shtyu për nesër regjistrimin në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, në tentativat finale për të bindur Skënder Gjinushin e socialdemokratëve për të firmosur me ta marrëveshjen e koalicionit.

Por deri në orët e mbrëmjes, duket se gjithë negociatat kanë qenë joproduktive përsa kohë që Gjinushi doli në media dhe deklaroi se nuk do të firmosë marrëveshjen me PS.

Edhe pse Rama është në Bruksel, Taulant Balla në Tiranë i ngarkuar nga kreu i PS për negociata, është ulur me Gjinushin por ka hasur në rezistencën e këtij të fundit.

Nuk na keni vlerësuar në 2 vite. Nuk e keni zbatuar marrëveshjen dhe nuk kam pse ju besoj më. Na doni vetëm për zgjedhje që të fitoni dhe pastaj pushtetin e ndani me të tjerët, ka qenë me pak fjalë kundërshtimi i Gjinushit.

Sot, ai është telefonuar për të arritur në një akord përfundimtar nga vetë kryeministri Edi Rama. Por duket se nuk ka hequr dorë nga pretendimi që ka pasur, pavarësisht kërkesave të vazhdueshme për të dalë në një koalicion.

Skënder Gjinushi do të hyjë në zgjedhje vetëm ndërkaq, që në Bashkinë e Fierit, do të ketë një sfidë dhe përballje të vështirë. Pritet që nën siglen e PSD, të kandidojë për bashkinë e Fierit Albert Çaçi, një ish deputet i Fierit, i lënë në harresë nga strukturat aktuale të PS.

Dhe nëse Çaçi hyn në garën e Fierit, do të hapë jo pak telashe për kandidatin e PS, deputetin Armando Subashi.

Gjinushi do të përfshihet në zgjedhje me 10 kandidatë për kryetar bashkie në 61 bashki që janë gjithsej. Veç Fierit, në asnjë bashki tjetër të madhe nuk do të vërë kandidat, edhe për faktin se nuk do që të prishë përfundimisht marrëdhëniet me PS.

Leave a Reply