Sun. Sep 15th, 2019

Mblidhet shtabi i emergjencës në Korçë, Manastirliu: Shërbim 24/7 për banorët e zonave të prekura nga tërmeti

“Shërbimi shëndetësor po ofrohet 24/7 për banorët e zonave të prekura nga tërmeti”. Deklarata u bë nga Ministrja Manastirliu në mbledhjen që u zhvillua në Prefekturën e Korçës, nën drejtimin e prefektit Dhori Spirollari, ku marrin pjesë Kryetari i Bashkisë, deputetë të qarkut të Korçës, përfaqësues të shtabit të emergjencës, drejtues të strukturave vendore të shëndetësisë të angazhuar për t’u ardhur në ndihmë banorëve të prekur nga tërmeti.

“Shëndetësia është e organizuar për të ofruar shërbime 24/7 në Plloq ku përveç çadrës me shërbim shëndetësor, kemi hapur një pikë të posaçme në ambientet e shkollës, ku aktualisht po ofrohet shërbimi shëndetësor. Gjithashtu kemi vendosur 2 autoambulanca në dispozicion, për çdo emergjencë që mund të ketë”, tha Manastirliu.

Ministrja e Shëndetësisë tha se janë marrë të gjitha masat në spital, me mjekët në gatishmëri 24/7 për çdo emergjencë të mundshme. “Janë 37 konsultat e kryera dhe shërbimet e ofruara nga ekipi i shëndetësisë. Kemi vendosur mjekë dhe infermierë me turne.

Mjekët e spitalit të Korçës janë vendosur në gatishmëri 24 orë. Edhe në Qafëzez shërbimi shëndetësor është i ofruar nga mjekët e spitalit të Kolonjës me 1 mjekë dhe 2 infermierë”, u shpreh Ministrja.

Gjatë takimit të zhvilluar në Prefekturë u diskutua edhe për shërbimin psikosocial për banorët që kanë nevojë. “Jemi duke vlerësuar të gjitha familjet për të vlerësuar të gjitha mundësitë që nënat bashkë me fëmijët të mund të akomodohen në mjedise që do t’i garantojmë nëpërmjet bashkisë apo qendra sociale. Kurse të moshuarit me probleme shëndetësore do të marrin shërbimin në spitale në rastet kur ata kanë nevojë” – tha ministrja.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com