Thu. Jul 18th, 2019

Shtohen akuzat për presidentin! Kryetarja e KLGJ zbardh në Kuvend skandalet e KLD drejtuar nga Meta: Ja si e futi në kolaps d

Kryetarja e Këshillit të Lartë Gjyqësor, Naureda Llagami i është përgjigjur dje presidentit Ilir Meta duke zbardhur në Kuvend skandalet e ish-Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Deri para gjashtë muajsh ky këshill ishte në funksion dhe drejtohej nga Meta. Por duket se ish-KLD në muajt e fundit përpara se të shkrihej ka shërbyer më shumë si vend qokash dhe skandalesh, duke dalë kështu nga misioni për të cilin ishte ngritur.

Dje zonja Llagami ishte thirrur në Komisionin e Ligjeve, teksa raportoi mbi gjendjen e sistemit gjyqësor dhe veprimtarinë e ish-KLD për vitin 2018. Gjatë fjalës së saj para ligjvënësve akuzoi ish-Këshillin e Lartë të Drejtësisë se futi në kolaps sistemin e drejtësisë, duke harruar në sirtare plot emërime apo delegime gjyqtarësh. Madje, ajo bëri me dije se gjetën qindra ankesa kundër gjyqtarëve, të cilët ishin drejtuar pranë Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë nga institucione dhe qytetarë, por që sipas saj, nuk ishin marrë parasysh nga ky institucion. “Jemi koshient që sistemi sot po vuan dhe është në situatë të vështirë dhe një pjesë e gjyqtarëve po largohen nga sistemi për shkak të integritetit dhe elementëve të tjerë. Nuk mund të lejojmë që të fusim në sistem njerëz të pa verifikuar dhe të pa vetuar. Por të mos harrojmë faktin se KLGJ, ose më saktë puna e institucionit që unë drejtoj është që nga dhjetori 2018 deri 1 maj 2019. Përtej kësaj kohe ka qenë KLD, e cila ka qenë funksional dhe vijoi punën 19 muaj, pasi Këshilli i Lartë Gjyqësor duhet të ishte ngritur që në prill 2017. Kur shkuam në KLD gjetëm stok për delegim gjyqtarësh. Kemi gjetur 191 ankesa, të cilat rrinin stok pranë Inspektores së KLD dhe që ishin bërë kundër gjyqtarëve nga qytetarë dhe institucione të ndryshme të vendit”, deklaroi ajo. Pra, përmes këtij raportimi, zonja Llagami i është përgjigjur indirekt edhe presidentit Ilir Meta, i cili pak ditë më parë iu drejtua me një letër kryetares së KLGJ-së, në të cilën kërkonte plotësimin e vakancave në Gjykatën e Lartë.

Gjykata e Lartë gati në shtator

Më tej, gjatë raportimit të saj në Komisionin e Ligjeve, drejtuesja e Këshillit të Lartë Gjyqësor, Naureda Llagami referuar informacioneve të ardhura nga Gjykata Lartë, deklaroi se janë 33 mijë dosje në pritje që të gjykohen nga kjo gjykatë. Por pavarësisht situatës së kolapsit të krijuar në këtë gjykatë, zonja Llagami u shpreh optimiste, teksa bëri me dije se Gjykata e Lartë do të jetë funksionale në fillim të vjeshtës. “Këshilli ka marrë si emergjencë hartimin e dy projekt rregulloreve. Është hera e parë që kandidatët që do të shkojnë në Gjykatën e lartë do ti nënshtrohen një procedure me kritere objektive, kjo është risi e reformës. Lidhur me pyetjen se kur do të bëhet efiçente Gjykata e Larta, gara për kandidatë jo gjyqtarë është hapur. Jam optimiste se në vjeshtë do të kemi emërimet në Gjykatën e Lartë. Kur them në vjeshtë, dua të them në shtator, Pra, në shtator do të jemi gati të kemi Gjykatën e Lartë dhe emërimet e para”, u shpreh ajo.

Vetingu, KLGJ bashkëpunim me ONM dhe KPK

Duke u ndalur tek procesi i vetingut, kryetarja e Këshillit të Lartë Gjyqësor, Naureda Llagami deklaroi se institucioni që ajo drejton ka qenë bashkëpunues, duke vënë në dukje faktin se i ka çuar ONM-së dhe KPK-së plot raporte. “Për statusin e gjyqtarëve u krijua pasiguri. KLGj me krijimin e tij u përball me vakumin e krijuar nga procesi i vetingut. Por pavarësisht kësaj, KLGj vazhdon dhe sot hedhjen e shorteve për të plotësuar nevojat e gjykatave. Do hapim edhe thirrjen për magjistratët që duan të shkojnë në Gjykatën e Lartë. Ndërkohë që, sa i takon procesit të vlerësimit kalimtar për gjyqtarët kemi pasur korrespodenca me KPK dhe ONM, duke dërguar plot 62 raporte”, nënvizoi Llagami.

Rigels Seliman

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com