Wed. Nov 20th, 2019

Doli në përgjimet e “Bild”, koordinatori i PS-së zbardh të vërtetën e bisedës me Ramën

Ish-koordinator i PS në Maqellarë Arben Keshi ka komentuar për herë të parë përgjimet e publikuara nga Bild për shit-blerjen e votës në zgjedhjet që u mbajtën në Dibër.

Në një rrëfim për ‘Top Story’ ai ka shpjeguar edhe telefonatën me kryeministrin Rama.

“Një nga simpatizantët është goditur, ndër ta ka qenë edhe Noka, për këtë ka një kallëzim në rrethin e Prokurorisë Dibër.

Kryeministri është vënë në dijeni e më ka telefonuar si ndodhi situata dhe e kam sqaruar”, tregon Arben Keshi, ish-koordinator i PS Maqellarë.

Po ashtu ai ka treguar se në periudhën kur kishte bërë telefonatën me Ramën, ishte punonjës i Qendrës së Viktimave të trafikimit në Tiranë.

“Në këtë periudhë kam qenë punonjës i Qendrës së Viktimave të trafikimit këtu në Tiranë, e cila varet nga Drejtoria e Shërbimit Social shtetëror. Që nga viti 2011 deri në 2017, unë kam qenë jashtë radhëve të policisë.

Edhe në këtë rast me kërkesën time. Pasi në 2011 kam kandiduar për kryetar komune në njësinë administrative Maqellarë. Aty ku kam lindur dhe jam rritur.

Në 2013 në po të njëjtën njësi, kam qenë në listën e kandidatëve për deputet. Njihem aq sa mund të njihet një kandidat”, tha Arben Keshi.

Në përgjimet e publikuara nga Bild, Keshi u lakua si pika kryesore e kontaktit në terren me koordinatorin politik, Damian Gjiknuri.

“Shtabi elektoral i Maqellarës s’ka pasur asnjë problematikë, janë njerëz që jetojnë aty, banojnë, s’kemi asnjë të ardhur jo nga rrethet por as nga njësitë e tjera të bashkisë Dibër”, theksoi më tej ish-koordinator i PS Maqellarë.

Pasi është pyetur në lidhje me përgjimet me persona të paidentifikuar, ku dëgjohet se flitet për shuma parash dhe vota, Keshi nuk hezitoi t’i përgjigjet akuzave të bërë nga Partia Demokratike.

“Kam arritur në konkluzionin që gjithçka është montuar për të krijuar një fabul, nisur nga komunikimi im me kryeministrin. Janë marrë nga një bisedë tjetër. Është montuar për t’i dhënë sa më ngjyra kësaj fabule”, sqaron Keshi.

Kujtojmë se nga materialet e publikuara nga Bild , Keshi, është përgjuar edhe në biseda me drejtorin Rajonal të Arsimit në atë kohë Drini Gjeçi.

Aty, kuptohet se mësueseve u bëhet presion për deklarimin hapur të votës, por vetë Arben Keshi, jep sqarime mbi ato biseda.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com