Wed. Nov 20th, 2019

Përse në PD, nuk e mendojnë kurrë “dorëheqjen” e kryetarit ?

Në rast se ka, qoftë dhe një rast të vetëm, ku dorëheqja ka qenë dhe mbetet institucion më vehte,kjo ka ndodhur vazhdimisht në këto 30 vjet tranzicion politik në Shqipëri, vetëm në Partinë Socialiste.

Duke nisur nga Ramiz Alia,duke vazhduar me Fatos Nanon, dhe emra të tjerë drejtuesisht të lartë të asaj partie, duhet thënë se, nuk kanë hezituar vazhdimisht të japin dorëheqjen kur ka ardhur momenti.

Natyrisht kjo tregon përgjegjshmëri, qytetari, intelektualitet, nivel të lartë përsosmërie si politikan, tolerancë zero ndaj negativitetit, dhe mbi gjithçka tjetër formim europianist.

Por ajo që konstatohet me fare lehtësi në kampin tjetër politik, mbetet pikërisht mungesa e dorëheqjes, mungesa e këtij “institucioni” kaq të nevojshëm për zhvillimin e lirisë dhe demokracisë së brëndshme të një partie.

Ndoshta ky është edhe burimi i të gjithë problemeve me të cilat ndeshet sot PD.

Njëherësh duke zbatuar korrektësisht rregullat e shkruara dhe të pashkruara të institucionit të dorëheqjes brënda një force politike, kjo natyrisht u hap rrugën prurjeve të reja, reformimit të strukturave, dhe rrotacionit të natyrshëm të lidershipit, siç ndodh në të gjithë botën demokratike.

Në Partinë Demokratike , ka afro 30 vjet, që nuk njihet, nuk zbatohet dhe nuk pranohet dorëheqja, as si term gramatikor e shkresor, dhe as si institucion i detyrueshëm për cilindo kryetar, zv/kryetar, apo diçka tjetër.

Në të vetmen parti politike në Shqipëri, që duhej ta kishte “dorëheqjen” si normë statutore, si diçka krejt normale në veprimtarinë e saj, nuk njihet dhe nuk pranohet një gjë e tillë qysh nga dita dhe data e krijimit të saj.

Pothuajse të gjitha “dorëheqjet”, në kryesi, Këshill Kombëtar apo dhe Kuvend Kombëtar, në degë rrethesh dhe departamente brënda asaj partie, janë bërë me urdhër nga lart, dhe miratim nga poshtë.

Asnjëherë në Partinë Demokratike, “dorëheqja” nuk është pranuar si dështim i të Madhit, por si detyrim i të voglit.

Asnjëherë në PD nuk ka guxuar, dhe nuk guxon edhe sot e kësaj dite askush, të kërkojë largimin me ngulm ose dorëheqjen e kryetarit, edhe pse e di fare mirë se ai, ka qenë dhe është shkaku kryesor i humbjeve, largimeve, dështimeve, izolimeve, tkurrjes dhe deformimit të asaj force politike.

Të fshihesh pas “pendëthyerve”, pas atyre që nuk kanë patur kurrë peshën tënde në fushatë, në protesta, aksione opozitariste, apo akte vandale të urdhëruara nga lart, dhe të deklarosh se “po riorganizojmë partinë” kur duhej të ishte dorëhequr me kohë, është hipokrizi dhe fodullëk kryetari.

Askush nuk të beson më në parti, kur ti nuk ke kërkuar analizën e humbjeve, problemeve madhore që shpërbënë partinë, dhe konkluzionet direkte që prekin postin e kryetarit.

Një drejtues partie, nuk mund të jetë kurrë shpresa për ndryshim, në rast se nuk njeh dorëheqjen si institucion, si shenjë dhe tregues civiliteti dhe jo dobësie, në rast se nuk njeh dhe pranon gabimet e tij qoftë edhe para 1 anëtari në bazë.

Fryma e mohimit absolut të dorëheqjes në parti, e futur dhe zbatuar nga Doktori, duket se ka gjetur “mirëkuptimin” e plotë edhe nga pasuesi e tij besnik Lulzim Basha në Partinë Demokratike. E kthyer në çiflik politik, PD sot është thjesht partia e Lulzimit dhe Doktorit, dhe asgjë tjetër.

Gjithçka thuhet, gatuhet, lexohet, dhe komentohet nga servilët dhe sejmenët e tjerë në SHQUP, është thjesht parapritje e ndonjë spastrimi që Lulzimi ngutet të bëjë tek të vetët, gjithmonë duke paramenduar mohimin e dorëheqjes së tij si kryetar i përjetshëm.
Nga Artur Ajazi

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com