Wed. Nov 20th, 2019

Pse del Macron në krye të atyre që shajnë NATO-n?

Akuza e Emmanuel Macronit se NATO ndodhet në vdekje klinike ka ngritur më shumë pyetje për gjendjen e kreut të shtetit francez, se për NATO-n. Teri Schultz shikon efektet e kësaj deklarate.

Nga Teri Schultz, dw

Mike Pompeo ishte modeli i vetë-përmbajtjes në Berlin. I ndodhur në Gjermani për festimet e rëniës së Murit të Berlinit, sekretari i Departamentit të Shtetit u pyet, nëse ai beson, se NATO është në gjendjen e vdekjes klinike, për shkak të mungesës së angazhimit amerikan, siç tha presidenti francez, Emmanuel Macron të enjten në një intervistë për The Economist. Pompeo i dha nota komike këtij momenti, priti pak dhe tha „kaq shumë përgjigje të mira”, duke qeshur me vete, pastaj „kaq shumë kamera”, shtoi ai duke qeshur më shumë e duke shkaktuar edhe duartrokitje tek audienca.

Kryediplomati i Donald Trump u soll si burrë shteti, më shumë se në ndonjë dalje të mëparshme publike në Europë, pa iu adresuar as Macronit në mënyrë specifike e as referimit për „vdekjen klinike”. „70 vite (NATO) ka nevojë të rritet dhe të ndryshojë. Ka nevojë të kontrontohet me realitetet e sotme dhe sfidat e sotme”, tha ai.

„Nuk besoj, se këto angazhime (politike) të vendeve tona do të humbasin ndonjëherë rëndësinë.” Megjithatë ai shtoi, se „nëse nuk ibën ato që duhet për t’u konfrontuar me sfidat e sotme në mënyrë efektive, nëse vendet besojnë, se mund të marrin të mirat e sigurisë pa siguruar burimet që nevojiten për këtë, nëse ato nuk i përkushtohen angazhimeve të tyre, atëherë ka një rrezik që NATO të mund të bëhet joefektive ose e vjetëruar.”

Vërejtet e Macronit

Jonathan Eyal, drejtor i institutit me qendër në Londër, RUSI, thotë, se Macron u ka bërë një dhuratë atyre që e mohojnë NATO-n me deklaratën se aleanca nuk ka shenja jete. Kremlini për shembull ishte mes vëzhguesve entuziastë të qëndrimit të Macron. Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova e përcaktoi deklaratën e Macron si „fjalë të arta” që përcaktojnë në mënyrë të saktë gjendjen aktuale të NATO-s.”

Eyal habitet se edhe sa kohë do të kërkojë që Donald Trump ta përhapë komentin e Macron, si evidencë për të, se ai ka pasur të drejtë për një kohë të gjatë për mangësinë kolektive të europianëve në çështjen e mbrojtjes. Sipas Eyal, mund ta kritikosh aleancën, por ka mënyrë më produktive për ta bërë këtë. „Ajo që bëri presidenti francez, është vënie në dyshim e fundamenteve të rendit të pas-luftës pa ofruar aktualisht asnjë gjë substanciale kundër kësaj.”

Qasje ruse … vërtet?

Justyna Gotkovska, eksperte e mbrojtjes në Qendrën e Studimeve për Europën Lindore në Varshavë ka një qëndrim shumë më tepër kritik. Duke shënuar, se SHBA, megjithë ankesat e ka rritur angazhimin e saj ushtarak në Lindje, „Franca ka qenë vetëm pak e përfshirë në masat e strategjisë së frikësimit në krahun lindor”, tha ajo për DW.

Gotkovska është veçanërisht e shqetësuar për pohimin e Macronit,se Europa nevojitet „të rikonsiderojë pozicionin e saj me Rusinë”, të cilën ajo e shikon se tejet pajtues. „Nëse Franca është e shqetësuar për sigurinë europiane, po bën shumë që ta dobësojë atë, me vënien në pikëpyetje të vlerës së NATO-s, si dhe duke harruar performacën e dobët të ushtrive europiane e duke gjykuar gabimisht politikat dhe qëllimet ruse.” Retorika e Macron shkon në favor të Rusisë, sipas saj.

Niklas Novaky nga qendra studimore Martens shton, se Macron prek një nerv ne vendet lindore europiane. „Ato e ndjejnë me të drejtë që NATO është gurthemeli i sigurisë së tyre dhe se nuk mund të mbështeten vërtet mbi diçka autonome europiane që mund të propozojë Parisi.”, thotë Novaky. Kjo është shqetësuese edhe për jo anëtarë të NATO-s, si Finlanda, që e shohin aleancën si bazë të stabilitetit në rajonin baltik. Novaky thotë, se këto deklarata më shumë kanë efekt negativ për vetë Macron, „dhe ngrenë pyetjen shumë legjitime mes vendeve anëtare të NATO-s për angazhimin e Francës aty.”

Sipas Novakyt është e paqartë se cili ka qenë qëllimi i presidentit francez me këtë deklaratë, ndoshta deklarata e tij mund edhe të ketë qenë një gabim pa ndonjë qëllim, është i mendimit ai. „Ajo vetëm se e komplikon axhendën e tij politike të mbrojtjes në kontekstin e Bashkimit Europian dhe jashtë BE.” Por komplikon edhe axhenda të tjera, thotë eksperti Eayl, duke përfshirë edhe takimin e ardhshëm të krerëve të shteteve e qeverive të aleancës në Londër në dhjetor.

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com