Mon. Feb 24th, 2020

Disiplinë përmes arteve marciale

frenkli-arte-marciali-1.jpeg

Frenkli Myftari, ose “Profesori” siç e thërrasin ndryshe kursantët e tij, është shembulli i postulatit të famshëm se me mund arrihet gjithçka. 27 vjeçari i lindur në qytetin e Fierit dhe i rritur në Greqi si shumë bashkëatdhetarët tanë, me këmbëngulje dhe sakrifica të mëdha arriti të ngrinte lart flamurin tonë kombëtar disa herë si kampion në karate knock down për vitin 2010-2011 mbajtur në Athinë, kampion në karate knock down për vitin 2011-2012 mbajtur në Volos dhe nënkampion i disiplinës MMA për vitin 2012-2013 mbajtur në Nafpaktos, Greqi.

Me rikthimin e tij në Shqipëri, Frenkli ka mbajtur vendin e parë në vitet 2013-2014 në kampionatin kombëtar të kick boksit si dhe trumfoi në Maj 2014 si kampion bote në disiplinën kick boks në Barcelonë, Spanjë. I diplomuar në fizioterapi dhe me një pasion në rritje për artet marciale, Frenkli prej disa vitesh ka hapur palestrën e tij të pagëzuar me emrin Frenkli`s Team, e cila ndodhet në Yzberisht.

Në intervistë, Profesori, thekson se kjo është një arritje e përpjekjeve disa vjeçare dhe e ëndrrës së tij për të zbuluar kampionin e ardhshëm shqiptar si dhe mjet edukimi për brezat e rinj, duke u ofruar një alternativë tjetër, larg fenomeneve negative apo të ndejturit pasiv. Duke numëruar më shumë se 150 kursantë, banorët e zonës theksojnë se kanë mirpritur këtë ide të Frenklit si një mënyrë për të përmirësuar shëndetin e tyre apo të fëmijëve të tyre, si mjet argëtimi dhe edukimi.

Duke kombinuar disiplinën dhe filozofinë me të cilën mbështillen artet marciale, depërtimi i parimeve të lashta e mistike është evident veçanërisht në psikologjinë e fëmijëve. Në vizitën tonë gjejmë grupin e fëmijëve të moshës 7-14 vjeç të organizuar në rresht e në pritje të “komadës” së Profesorit.

Fjala OSU, është çelësi i lëvizjeve dhe pauzave, si një kombinim i dy karaktereve të gjuhës japoneze, “osu” që do të thotë të shtysh dhe “shinobu” që do të thotë të durosh. Frenkli`s Team është një familje për këdo, i vogël apo i rritur, i cili kërkon ndjekjen e një praktike ndryshe në grup apo përmes personal training, një praktike e cila kombinon mirqënien fizike me atë mendore duke ndikuar pozitivisht edhe në ndërtimin e personalitetit e rritjes së vetëbesimit.

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com