Ballina Aktualitet Afron shkarkimi i Metës: KED nis përzgjedhjen e kandidatëve të Kushtetueses, për...

Afron shkarkimi i Metës: KED nis përzgjedhjen e kandidatëve të Kushtetueses, për 2 javë në parlament dhe presidencë

1

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi ka nisur procedurat për të përzgjedhur anëtarët e Gjykatës Kushtetuese. Prej disa muajsh kjo gjykatë ka ngelur pa anëtar nga nëntë që duhet të kishte, pasi janë shkarkuar për shkak të procesit të vetingut. Por situata duket se ka ndryshuar dhe se shumë shpejt pritet që të ngrihet Kushtetuesja. Kjo është bërë e ditur ditën e djeshme nga kreu i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Ardian Dvorani.

Ky i fundit gjatë një prononcimi për mediat, deklaroi dje se të mërkurën KED do të shqyrtojë 14 kandidaturat dhe në fillim të muajit gusht, Ardian Dvorani do t’i dorëzojë Parlamentit dhe Presidentit renditjen, sipas vlerësimit të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Sipas tij, filtrimi i kandidatëve pritet të mbarojë pas 10 ditësh. “Pasnesër Këshilli do të marrë në shqyrtim 14 nga kandidatët, për të lejuar apo ndaluar kandidimin e tyre dhe në ditët në vijim, që sigurisht do të jenë shumë shpejt, ndoshta brenda javës apo në fillim të javës tjetër, edhe pjesën tjetër të kandidatëve. Mbas këtyre vendimeve Këshilli do të kalojë në fazën e vlerësimit, pikëzimit dhe renditjes së kandidatëve, e cila edhe sipas ligjit është e detyrueshme të përfundojë në një afat maksimal 10-ditor. Kushtetuta dhe ligji parashikojnë që Këshilli i Emërimeve në Drejtësi duhet të kryejë procesin e verifikimit dhe vlerësimit dhe organet e emërtesës që në këtë rast do të jenë Presidenti i Republikës dhe Kuvendi kanë një afat maksimal 30 ditor, nga dita që dokumentacioni përkatës mbërrin nga KED”, deklaroi kreu i KED, Ardian Dvorani. Por me këtë lëvizje, duket se afron edhe shkarkimi i presidentit Ilir Meta nga detyra. Sipas ligjit, gjykata Kushtetuese ka 9 anëtarë, ku 3 përzgjidhen nga Presidenti, 3 nga Kuvendi i Shqipërisë dhe 3 nga Gjykata e Lartë. Por duke qenë se Gjykata e Lartë do edhe pak kohë të formohet, Kushtetuesja pritet të ngrihet me 6 anëtarë, sikundër janë ata të përzgjedhur nga Meta dhe Ruçi. Kështu që, me shumë gjasa Gjykata Kushtetuese pritet që të ngrihet në shtator, duke qenë se është lënë një muaj afat për përzgjedhjen e anëtarëve. Pra, me ngritjen e Kushtetueses afrohet edhe shkarkimi i Metës nga detyra. Megjithatë, vlen të nënvizohet fakti se shkarkimi i Presidentit do të varet nga Partia Socialiste, për të cilën pritet të shohim nëse vendimin për shkarkimin do ta çojë në Kushtetuese apo jo.

Emrat në dorë të Presidentit dhe Parlamentit

Kreu i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Ardian Dvorani vijoi më tej gjatë fjalës së tij, duke deklaruar se pasi KED i përcjell listën me kandidatët Presidentit dhe Kuvendit, këto 2 institucione kanë plot 1 muaj kohë për të vendosur për emrat fitues. Sipas tij, nëse kreu i shtetit dhe Parlamenti nuk shprehen, do të aplikohet mekanizmi zhbllokues që parashikon ligji për këtë situatë, në mënyrë që shqiptarët të mos mbetet më pa Gjykatë Kushtetuese. “Pra mund të prezumohet që nëse ne në fillim të gushtit përcjellim renditjet përkatëse te Presidenti i Republikës dhe Kuvendi, ata duhet që brenda një muaji të përfundojnë procedurën e tyre. Në rast se ata nuk arrijnë të gjejnë shumicën e nevojshme apo vendosin të mos shprehen me vendimmarrje përkatëse atëherë Kushtetuta dhe ligji parashikojnë dhe mekanizmin i cili nuk e bllokon procesin”, nënvizoi kreu i Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, Dvorani./Sot/Rigels Seliman