Ballina Aktualitet Albpetrol nis praktikat e punës me inxhinierët e rinj të naftës, administratori...

Albpetrol nis praktikat e punës me inxhinierët e rinj të naftës, administratori Gazheli: Fryma e Qeverisë Rama dhe Ministrës Balluku të rekrutojmë profesionistët më të mirë të fushës

39

Studentët e Fakultetit të Gjeologji Minierave, për herë të parë pas 30 vitesh, kanë mundësinë të kryejnë praktikat e punës dhe të punësohen në industrinë e naftës.

Albpetrol sh.a, shoqëria publike e naftës dhe gazit në Shqipëri, nisi sot programin e parë të praktikave profesionale ku do të marrin pjesë rreth 50 studentë të Gjeologji Minierave, të cilët po përfundojnë Masterin për Naftën dhe Gazin.

Studentët do kryejnë praktikat në qendrat e punës dhe do të njihen nga afër me teknologjinë dhe vendburimet e naftës.

Studentët e përzgjedhur janë kryesisht në vitin e fundit të studimeve, në përfundim të masterit për Inxhinier Nafte dhe Gazi. Në përfundim të praktikës, studentëve që kanë rezultate të larta do t’u ofrohen mundësi konkrete punësimi në Albpetrol sh.a.

Administratori i Albpetrol sh.a, Genti Gazheli vuri theksin vizioni i qeverisë për të ofruar brezin e ri me tregun e punës. “Sot jeni ju, brezi i ri i inxhinierëve të naftës dhe gazit, të cilët do të merrni stafetën e industrisë të naftës në Shqipëri.

Vizioni dhe fryma e re e qeverisë Rama dhe Ministres Balluku për sektorin hidrokarbur synon hapjen e Albpetrol drejt brezit të ri dhe rekrutimin e specialistëve më të mirë të fushës. Këtë vizion po përcjellim dhe ne sot në Albpetrol duke i ofruar mundësi praktikash profesionale dhe punësimi brezit më të rinj të inxhinierëve të naftës dhe gazit. Industria e naftës në Shqipëri ka një traditë 100 vjeçare dhe ne këtë traditë po e përcjellim tek inxhinierët e rinj.

Puna dhe dija është pasuria që Albpetrol i jep studentëve të rinj, ata duhet ta shfrytëzojnë atë. Ne jemi vend i pasur me naftë dhe gaz dhe mua më bëhet qejfi teksa shoh që jemi edhe vend i pasur me vajza dhe djem të rinj, të cilët kanë dëshirë të punojnë në industrinë e naftës”,- u shpreh Administratori i Albpetrol sh.a Genti Gazheli.

Sipas tij, kjo është një thirrje edhe për brezin e ri, i cili duhet të kthejë sytë drejt industrisë të naftës, e cila ofron mundësi shumë të mira punësimi.

Ndërkohë Zv. Dekani i Fakultetit të Gjeologji Minierave, Prof. Dr. Irakli Prifti, falënderoi Albpetrol për mundësinë që po u jep studentëve të naftës dhe gazit duke i afruar më pranë me tregun e punës. Vetë studentët u shprehën mirënjohës për këtë mundësi që po u jepet duke i ofruar praktika profesionale, por edhe punësim në industrinë që ata kanë studiuar.