Ballina Aktualitet Aleatët frikë për “puç” nga pabesitë dhe mashtrimet e Bashës: I dorëzojnë...

Aleatët frikë për “puç” nga pabesitë dhe mashtrimet e Bashës: I dorëzojnë platformë me 7 pika!

32

Aleatët e Partisë Demokratike duket se i druhen një puçi nga ana e kryeopozitarit Lulzim Basha, duke i propozuar këtij të fundit një platformë me 7 pika. Qëllimi i kësaj platforme është institucionalizimin i raportit mes “të vegjëlve” dhe “të mëdhenjve” brenda opozitës dhe qëndrimin e përbashkët politik. Kohët e fundit flitet për një marrëveshje të dytë Rama-Basha dhe duket se kjo gjë ka bërë që aleatët e PD të dalin në një platformë, në mënyrë që çdo vendim të merret në bashkëpunim mes tyre.

Marrëveshja e 17 majit të dy viteve më parë u bë me vendimmarrje personale dhe pa pyetur asnjë nga aleatët që ishin në koalicion. Por duke i paraprirë një marrëveshje të dytë Rama-Basha, aleatët e PD kërkojnë që kjo që të ndodhë vetëm me miratimin dhe bashkëpunimin e të gjithëve. Aleatët i kanë kërkuar Bashës në pikën e parë të platformës që të ketë takime periodike 1 herë në 2 javë mes kryetarëve të partive opozitare. “Institucionalizimi i vendimmarrjes së kryetarëve të koalicionit opozitar; drejtuar nga kryetari i PD-së. Takim minimumi 1 herë në 2 javë i kryetarëve; Takimet të jenë tematike dhe me subjekt të caktuar çështjesh dhe të shoqëruara me vendimmarrje të shkruar, si dhe personat përgjegjës që do e ndjekin për zbatim; Mbledhja është e detyrueshme të mblidhet me kërkesën e çdo njërit nga kryetarët e opozitës”, thuhet në platformë. Po ashtu, aleatët i kanë kërkuar nga Bashës të kenë një qëndrim të unifikuar për reformën zgjedhore dhe mbështetja e reformës për një drejtësi të pavarur. Në platformë theksohet se partitë e koalicionit duhet të paraqesin brenda 28 shtator opsionet e tyre për reformën zgjedhore, deri në përcaktimin e një qëndrimi të përbashkët.

Po ashtu, aleatët e opozitës kanë propozuar në platformën e tyre edhe afrimin e “gardës së vjetër” në skemën politike, ku kërkojnë krijimin e një senatit politik, që përfshin figura politike, qeverisëse dhe figura intelektuale dhe të shquara, brenda dhe jashtë vendit. Platforma synon edhe ngritjen e Këshillit të deputetëve, ish-ministrave, në të gjitha legjislaturat dhe kryetarëve të bashkive. “Krijimi i Senatit të Opozitës: Figura politike dhe qeverisëse të opozitës, si dhe figura intelektuale të artit, mjekësisë, universiteteve, kulturës, me figura të shquara, që janë jashtë vendit; Ofrimi i intelektualëve me emër, në emër të bashkëqeverisjes. Këshilli i ish deputetëve, Ish ministrave, në të gjitha legjislaturat dhe kryetarëve të bashkive: Grup që do të ndjekë gjithë praktikat ligjore, që dalin nga grupet e punës; Analizojnë punën e qeverisë; Organizojnë dhe drejtojnë takimet, town-hall, nëpër rrethe, si dhe në TV lokale; Bashkëpunojnë me strukturat, për të ndërtuar trupën konkurruese, për pushtetin lokal dhe qendror”, thuhet në platformë.

Marrëdhëniet me ndërkombëtarët

Platforma propozon edhe një grup pune për marrëdhëniet me ndërkombëtarët, të cilëve opozita t’u prezantoje fakte se si Rama ka shkatërruar procesin e integrimit evropian, por edhe se ndërkombëtarët duhet të jenë pjesë e zgjidhjes së krizës politike në vend. “Përgatitja e takimeve me ndërkombëtarët në Tiranë, Bruksel, Vjenë, Berlin, DC, Londër etj., të zhvillohen si opozitë. Kjo formë duhet t`i imponohet ndërkombëtarëve; Përgatitja e një materiali ku të përfshihen; Raporti i ODHIR, Raporti i Departamentit Amerikan për krimin dhe trafiqet, raporte të tjera, si dhe qëndrime të mediave ndërkombëtare si Bild VOA etj, shoqëruar me non-paper nga ana jonë, ku sugjerohen zgjidhje dhe qëndrime të opozitës; Fakte se si Rama ka shkatërruar proçesin e integrimit europian, sistemin Kushtetues, ligjore dhe Institucional ne vend; Dialogu per zgjidhjen e krizes se rende politike me prezencë të ndërkombëtarëve, me prioritet zgjedhjet e lira dhe të ndershme, si rruga për daljen nga kriza”, thuhet në platformë. Por ajo që bie në sy në hartimin e 7 pikave të aleatëve të Bashës është se ata kërkojnë bashkëpunim mes njëri-tjetrit, duke rrëzuar skenarët destabilizues dhe të dhunshëm të Metës dhe Berishës. /Elisjeda Kiko