Andin Lokaj, ose Kosta Grillo i Kosovës që nuk do shqiptarët! – Descript

20

Të gjithë jemi në dijeni të deklaratave të bujshme të komentatorit të njohur shqiptar, Kosta Grillo, si një njeri që bën tifo për Serbinë apo edhe për skuadrat serbe, qoftë edhe kur këto të fundit përballen me ato shqiptare (Kujtojmë këtu përballjen Tirana – Srvena Zvezda).

Apo edhe si një ‘shqiptar’ që fiton skedinë me humbjen e Shqipërisë, kujtojmë këtu skedinën e famshme të Grillos për përballjen e Shqipërisë me Turqinë një vit më parë.

Mirëpo, Kosta Grillo nuk kemi vetëm ne këtu në Shqipëri, por ka edhe Kosova dhe ai është ‘i famshmi’ Andin Lokaj, ky pseudo-komentator, i cili ka çuditur të madh e të vogël kur shprehej pak kohë me parë se nuk e donte Shqipërinë dhe se ishte kundër një bashkimi në një kombëtare të vetme.

Mënyra sesi ka komentuar golat e Shaqirit dhe Xhakës ndaj Serbisë kanë hyrë thellë në zemrat e shqiptarëve, por më pak mënyra sesi koncepton dhe shpreh idetë e tij mbi futbollin tonë.

Por, kur vjen puna për ndasi, ky njeri është i pari që reagon. Së fundmi ai ka reaguar edhe në lidhje me vendimin e Federatës së Futbollit të Kosovës për mos dhënien e të drejtës televizive kompanisë shqiptare ‘Supersport’ për transmetimin e kampionatit kosovar të futbollit.

Lokaj jo vetëm e përshëndet këtë vendim të FFK-së, por arrin deri aty sa e quan këtë kompania ‘të huaj’.

Duke qenë ndër të paktat figura sportive që vazhdon të mbështesë idenë e ndarjes së Kosovës me Shqipërinë për t’i konsideruar si dy Kombëtare të ndryshme, pra duke mos e pasur as dëshirën e bashkimit, për të vazhduar edhe me pohimin se ekipet e Kosovës marrin lojtarë nga Shqipëria që janë të nivelit të dobët, Lokaj bën një reagim të gjatë për “Periskopi” duke u shprehur se më në fund tanimë edhe “Supersport” nuk do të operoj më në territorin ‘e huaj’.

Reagimi i Andin Lokaj:

“Morën fund dallaveret e një mediumi që bënte çka donte në shtetin tonë, madje disa vite operoi edhe ilegalisht në territor të huaj. Ende po vepron, por jo me Superligë më. Dhe e di që kjo i dhemb shumë ngase ishte mësuar keq. Si fëmiu kur lazdrohet ishte mësuar ajo Kompani. Pas 8 viteve terri gjatë së cilës periudhë gjërat nuk ndryshuan aspak për të mirën e futbollin tonë, më në fund shfaqet një dritë në tunel

Gjatë këtyre 10 viteve sa është e pranishme ajo platformë e territ në vendin tonë, përfituan vetëm disa individë të lidhur për interesa të tyre të ngushta. Këtë ua kishte mundësuar edhe i ndjeri Vokrri i cili mendonte se do të hecnin gjërat përpara, por nuk ndodhi ashtu. Madje unë i pata njoftuar me Vokrrin se veq në ëndërr e kishin pas pa. Gjatë 5 viteve sa e drejtova filialën kishte shumë cenzurë në shumë raporte nga terreni, kronikat që bëheshin i kontrollonte Tirana me “Volejbollistë” udhëheqës. Dhe mos të më shet fillozofi najkush që nuk është kështu, sepse unë kam qenë sebep i hapjes së filialës në Prishtinë. Gabim fatal dhe naiv nga ana ime e kam pranu edhe publikisht. Por njeriu mëson. Jeta e mëson me gjëra të reja.

Të drejtat televizive që i fitoi Kompania jonë Art Motion është lajmi më i mirë i viteve të fundit që ka mundur ti ndodhë shtetit tonë. Atyre që ju themi lamtumirë i falenderojmë për shitje patriotizmash të rrejshëm. kuq e zi me vjet e vjet vetëm për të mashtruar popullin e shkretë kosovar që ende beson në to. Morri fund ajo punë. Kontrata e Kompanisë kosovare është më serioze që deri më tani që ka pranuar Federata jonë e futbollit. Klubet vetëm nëse tregohen egoiste nuk do ta përqafojnë realitetin e ri. Deri më tani secili klub kishte përfituar nga 22 mijë e 500 euro për 1 vit kalendarik, ndërsa me kontratën e re të Art Motion brenda 10 muajsh do të përfitojnë nga 38 mijë euro. Urime fituesit, lamtumirë humbësit”.

(Descript.al)

The post Andin Lokaj, ose Kosta Grillo i Kosovës që nuk do shqiptarët! appeared first on Descript.