Ballina Aktualitet Apeli administrativ: KED shkeli ligjin për Zhaklina Peto

Apeli administrativ: KED shkeli ligjin për Zhaklina Peto

32

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi ka lejuar shkelje të rënda të procedurës në nxjerrjen e akteve dhe dy vendimeve në mbledhjen e datës 2 korrik, të tilla që duhet të shfuqizohen, pasi kanë dalë në kundërshtim të hapur dhe flagrant me legjislacionin në fuqi.

Kështu e konsideron qëndrimin e KED, Gjykata e Apelit Administrativ që ndaloi nga gara për në Gjykatën Kushtetuese zonjën Zhaklina Peto.

Vendimi i zbardhur është dorëzuar në mesditë pranë KED, dhe Gjykata e Apelit Administrativ kërkon ti hapet edhe një herë vlerësimi i kësaj kandidateje.

Në vendimin që Top Channel disponon thuhet se rezulton e provuar që kandidatja për në Gjykatën Kushtetuese, Zhaklina Peto nuk është njoftuar nga KED për kohën dhe zhvillimin e mbledhjes, së bashku me relacionin e përgatitur ndaj saj.

Në fakt sikundër përmendet më tej edhe pala e paditur pra Këshilli e ka pranuar këtë fakt duke e lidhur me ngarkesën e madhe.

Siç kuptohet vendimi i KED që e ndalon Peton për në garën drejt kushtetueses është kryer për kriterin e pasurisë .

Nga ana tjetër në vendimin e Gjykatës së Apelit përmendet se janë bashkuar dy padi të kërkueses Zhaklina Peto, nga njëri prej të cilëve ajo ka hequr dorë gjatë gjykimit.

Gjykata e Apelit shton se në kushtet kur KED vepron si organ kolegjial është në diskrecionin e tij marrja e vendimit të lejimit për kandidim.

Ndaj ky vendim i KED që e ndalon nga gara profesoreshën e juridikut rikthehet i shfuqizuar pranë të njëjtit institucion.

KED që prej ditësh ishte në pritje të arsyetimit të Gjykatës dhe pritet që javën në vazhdim KED të rimblidhet për t’u shprehur edhe njëherë për kandidaten Zhaklina Peto.

Ndërkohë në listë presin renditjen gjashtë garues.

Garuesit që u ankuan në Gjykatë:

Sinan Tafaj

Ded Kasneci

Rexhep Bekteshi

Petrit Kaja

Gezim Allaraj

Zhaklina Peto

Kandidatët që presin renditjen:

1.Elsa Toska

2.Besnik Muci

3.Fiona Papajorgji

4.Regleta Panajoti

5.Arta Vorpsi

6 Marsida Xhaferrllari