Ballina Aktualitet BE kërkon a.rrestime pushtetarësh, raport në Bruksel për emrat e hetuar dhe...

BE kërkon a.rrestime pushtetarësh, raport në Bruksel për emrat e hetuar dhe gjykuar, rritet presioni ndaj drejtësisë

36

Bashkimi Europian kërkon arrestimin e pushtetarëve të korruptuar. Gazeta e ka deklaruar se BE kërkon rezultate në luftën kundër korrupsionit, ndërkohë që dje Brukseli u ka dërguar të tjera mesazhe të forta politikanëve të korruptuar. Ka qenë kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, i cili shprehu bindjen se qeveria shqiptare është e vendosur për të luftuar korrupsion në nivel të lartë zyrtarësh.

Gjatë një prononcimi për mediat, pas takimit me Sekretarin Parlamentar të Shtetit në Ministrinë Federale të Drejtësisë dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, Christian Lange, socialisti Balla zbuloi se është gati një raport me emrat e personave të hetuar dhe gjykuar, që sipas tij, shumë shpejt do t’i shkojë edhe Brukselit. Sipas tij, drejtësia e re duhet të jetë e pavarur dhe kjo do të finalizohet edhe me krijimin e SPAK dhe BKH. “Duhet të kuptojmë se funksionimi i drejtësisë nuk bëhet me plan dhe numra funksionarësh apo përfaqësues të lartë përpara drejtësisë. Drejtësia duhet të funksionojë e pavarur nga politika. Ky ka qenë gur i themelit të funksionit të drejtësisë. Funksioni dhe ngritja e Prokurorisë Speciale Antikorrupsion, do të shoqërohet me një regjistër të personave të nivelit të lartë që duhen hetuar dhe gjykuar paanshmërish. Gjithmonë rruga e integrimit europian shoqërohet me standarde, kushte që çdo vend duhet t’i përmbush. Edhe vendet që janë anëtare të BE, shoqërohen me kushte që duhet të përmbushen”, deklaroi ai. Pra, kjo deklaratë e Ballës tregon se Bashkimi Europian po rrit presionet ndaj drejtësisë, në mënyrë që të intensifikohet lufta kundër pushtetarëve të korruptuar. Kështu që, duke qenë se pas një muaji do jepet vendimi për Shqipërisë, nëse do t’i hapen apo jo negociatat, qeveria shqiptare ka nisur edhe përgatitjet për të bindur Brukselin se ajo është e vendosur për të luftuar korrupsionin. Këtë gjë e evidenton mjaft mirë edhe raporti që pritet t’i shkojë Brukselit me emrat e hetuar dhe gjykuar të pushtetarëve të korruptuar.

Shteti i së drejtës, jetik për negociatat

Duke u ndalur tek instalimi i shtetit të së drejtës, kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste deklaroi se qeveria shqiptare është e vendosur për ta reformuar këtë sektor kaq jetik, aq më tepër që është edhe një nga kushtet e kërkuara nga Bashkimi Europian. “Në historinë e procesit të fillimit të bisedimeve, gjithmonë fillim i bisedimeve ka edhe çështje prioritetesh. 35 kapitujt e marrëveshjes së anëtarësimit janë një spektër i gjerë që kërkon reforma në të gjithë sektorët. Shqipëria ka kapitullin e 23-24 qe lidhen me shtetin e së drejtës. Ato janë të domosdoshme dhe ndaj pa qëllimin hapen të parat dhe mbyllen të fundit”, deklaroi ai. Më tej, Balla shprehu bindjen se Shqipëria do marrë një “PO” në tetor, sa i takon çeljes së negociatave, duke theksuar se një nga arsyet është lufta e nisur ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar. “Lufta kundër korrupsionit shoqëruara më hapat kundër luftës së krimit të organizuar, kanë bindur tashmë KE për negociata me Shqipërinë. Grupet në Bundestag e kanë marrë vendimin. Langer me dha vendimin e grupi Social Demokrat, të cilët do të mbështesin vendimin pro për hapjen e negociatave”, nënvizoi kreu i grupit të PS, Taulant Balla. /Rigels Seliman