Ballina Aktualitet Çfarë ndodhi dy ditët rrjesht nga 12-14 Shtator të ’98-s, sipas...

Çfarë ndodhi dy ditët rrjesht nga 12-14 Shtator të ’98-s, sipas dëshmitarit kyç të një grushti shteti?!

23

Të shtunën e 12 shtatorit 1998, ndodhi v.rasja e Azem Hajdarit para selisë së Partisë Demokratike. Më 14 shtator, ditën e varrimit të Azemit do të ndodhte një grusht shteti, me mësymjen kundër qeverisë institucioneve shtetërore dhe Radio-Televizionit.

Izet Haxhia, ish-truproja e Sali Berishës, është një nga personat protagonistë të atyre tri ditëve dramatike në Tiranë.

Sot, Izeti gjendet i ekstraduar në Tiranë, por më herët ai ka rrefyer në DITA nga Turqia detaje, duke rindërtuar edhe njëherë ngjarjen e viteve më parë e cila në mos tjetër na mëson që krimet e pandëshkuara pjellin krime të reja.

Intervista e meposhtme eshte pjese e nje serie intervistash me Izet Haxhinë botuar ne DITA në shtator 2015:

– Izet, po e bëjmë këtë bisedë së bashku pasi u mbushën 17 vjet nga vrasja e Azem Hajdarit, i konsideruar dhe si hero i demokracisë në Shqipëri. Para një viti ju kini folur ekskluzivisht për këtë dhe ngjarje të tjera në DITA, por do doja të fokusoheshim në ngjarjet që nisin me vrasjen e deputetit Hajdari. Sigurisht dhe në marrëdhëniet tuaja… Janë hedhur disa variante dhe arsye në lidhje me këtë vrasje. Kë duhet të besojmë si të vërtetin?

– Po, para rreth një viti kam sqaruar për gazetën DITA për herë të parë rrethanat, autorët dhe pjesëmarrësit në vrasjen e Azem Hajdarit. Kam treguar për ata që e kanë nxjerrë në pritë Hajdarin.

Është e vërtetë se janë hedhur disa variante dhe arsye. Kjo rrëmujë ka bërë që kjo ngjarje të mbështillet me mister. Është folur sikur vrasja ka qenë e lidhur me prishjen e pazareve të kontrabandës së armëve, është thënë që është bërë nga pushteti i atëhershëm dhe Fatos Nano si hakmarrje ndaj “tribunit të demokracisë”, si hakmarrje ndaj atij që “shembi komunizmin” etj., etj.

Në fakt këto janë variantet e Berishës dhe të PD-së në lidhje me vrasjen e Hajdarit. Variantet e PS-së janë sikur Berisha më përdori mua për të nxjerrë në pritë e vrarë Hajdarin, e shumë të pavërteta të tjera në lidhje me këtë vrasje; sikur ne të kemi marrë pjesë një batalion i tërë me mbi 120 veta…

Kjo sipas Berishës dhe të vesë së Hajdarit, që çuditërisht ka qenë në një linjë me Berishën, pavarësisht se ajo e din shumë mirë se kush e nxori në pritë burrin e saj të “dashur” e “besnik”.

– Sidoqoftë, Izet, emri juaj është nga më të lakuarit në këtë vrasje. Cili ka qenë roli apo pozicioni juaj në këtë ngjarje?

– Unë e kam thënë këtë publikisht, por dua të sqaroj edhe njëherë pozicionin tim në lidhje me këtë vrasje, duke e lidhur pak edhe me të kaluarën dhe marrëdhëniet e mia me Hajdarin. As unë dhe as vëllezërit e mi të akuzuar e dënuar pa të drejtë për pjesëmarrje në këtë vrasje, nuk kemi pasur as edhe një arsye më të vogël për të qenë të përzier në këtë vrasje. Përkundrazi, ne kemi ndihmuar në shumë raste Hajdarin dhe kemi siguruar jetën e tij.

– Siguruar… si?

– Faktet flasin vetë për këtë që sapo ju thashë. Në fushatën e dhunshme të zgjedhjeve qershor ‘97 vëllezërit e mi kanë marrë përsipër dhe siguruar vizitën e Hajdarit në Tropojë me kërkesë të tij. Kuptohet pa i ndodhur as edhe një incident në mitingun që ai bëri në Tropojë… Unë, edhe pse në arrest shtëpie, e kam shoqëruar në janar të ‘98-s Hajdarin në vizitat e tij në jug, në Gjirokastër e Sarandë, pasi ai kishte marrë kërcënime për jetën dhe donte të anulonte këto vizita. Por ka qenë këmbëngulja ime që ai duhej të shkonte në këto vizita, pasi as jugu e as veriu nuk mund të ishte domen politik i askujt dhe PD duhej të kryente veprimtarinë e saj në çdo cep të Shqipërisë…

Unë nuk e kam bërë këtë për të marrë merita, por ngaqë kam menduar se PD është një parti që i përket edhe jugut edhe veriut. Në bazë të njohjeve të mia e miqve të mi, kemi bërë që këto vizita të mbaronin pa as më të voglin incident, aq sa Hajdari i frymëzuar nga kjo, tha që të nisemi për në Vlorë… Pas këtij “pushtimi” të jugut nga ana e PD-së, siç e quajti Hajdari, atij iu rrit oreksi për marshime të reja që do ta përgatisnin atë për marshimin e fundit sipas tij, atë drejt postit të kryetarit të PD-së…

– E ka pasur këtë ambicie Azemi?

– Po, dhe shumë të theksuar. Por deri në kongresin e PD-së kishte akoma muaj përpara dhe duheshin që autoriteti i Hajdarit të forcohej brenda PD-së, në një kohë kur kini parasysh se autoriteti i Berishës ishte drejt kuotave zero. Kuptohet që këto aksione të Hajdarit ndiqeshin me kujdes e vigjilencë nga Berisha. Këto aksione do pasoheshin me atë të Shkodrës që përfundoi me të ashtuquajturën pritë e Milotit. Them me të “ashtuquajturën”, sepse në shkurt të ‘98-s nuk ka pasur një pritë në Milot ndaj Hajdarit.

– Po atje thonë se është bërë luftë…

– Unë jam një dëshmitar i asaj që ndodhi dhe do ta sqaroj, sepse është spekulluar shumë me gjoja pritën që i është bërë Hajdarit. Kam qenë në arrest shtëpie dhe më çon fjalë Hajdari që do të shkojmë në Shkodër për të parë një ndeshje futbolli të Vllaznisë, ku Hajdari ishte president nderi. Kemi arritur në stadium pak para ndeshjes dhe jemi futur ne tribunën e nderit që është për njerëzit që bëjnë pjesë në protokollin shtetëror. Aty ka qenë i ulur ndër të tjerët edhe drejtori i policisë së qarkut të Shkodrës, Mitat Havari, një polic që ka patur poste drejtuese edhe në kohën e qeverisjes së PD-së dhe, mesa më kujtohet, vjen nga shtresa e ish të persekutuarve politikë dhe për mendimin tim, ka qenë një polic korrekt.

– Çfarë ndodhi konkretisht me Mitat Havarin?

– Kam parë që pas një urdhri të Azemit dhënë shoqëruesve të tij, pak a shumë që “atë person nuk dua ta shof aty”, Mitati është nxjerrë në mënyrë të dhunshme nga tribuna. Duke i grabitur edhe armën personale dhe radion e policisë. Kam ndërhyrë duke u thënë se ky është një veprim i gabuar…

I dorëzova armën dhe radion Havarit dhe i kam thënë që mund të qëndrosh në tribunë. Por Mitati është larguar i zemëruar, me të drejtë, pas këtij poshtërimi dhe ka thënë se do të përgjigjeni për këtë veprim ndaj shtetit.

– Po pritën ndaj Azemit kush e bëri?

– Forcat e Renea-s që kryenin detyrën në Shkodrën e trazuar, janë nisur dhe kanë krijuar postbllok në hyrje të Lezhës. Në grupin që shoqëronte Hajdarin kemi qenë rreth 12 veta me tre makina, mund të kemi pasur me vete rreth 8 armë të ndryshme, duke futur këtu edhe bombat e dorës.

Azemi ka zbritur nga makina ku ishte postblloku i forcave të Renea-s, por është futur në makinë pas reagimit të rreptë të tyre. Shume prej këtyre djemve të Renea-s i njifja dhe kam hyrë në dialog me ta që të hapnin rrugën. Kemi urdhër për ndalimin e njerëzve që shoqërojnë Hajdarin, më thanë. Mbas disa negociatave kanë hapur postbllokun dhe jemi nisur për rrugë, por tek ura e Lezhës ka qenë një postbllok tjetër. Edhe aty pasi kemi debatuar me zëvendës-shefin e policisë së Lezhës, nën kërcënimin e armëve tona, është hapur rruga nga policia e lodhur e shtetit.

Por në autokolonën tonë mungonte Ali Kazazi, të cilin e gjetëm të fshehur në ferrat poshtë rrugës, si duket ishte trembur nga nxjerrja e armëve. Më vonë, Aliu i kishte treguar Salës për heroizmin që kishte kryer.

Kemi mbërritur në Milot. Aty kemi parë që ishte ngritur një postbllok me policë të shumtë me maska në kokë. Jemi përpjekur t’u afrohemi e të komunikojmë me ta, por kundërpërgjigja e tyre ka qenë me të shtëna në ajër, çka tregonte se me këta policë nuk mund të bëhej as shaka, as bisedime.

Kemi ndenjur të bllokuar aty dhe më vonë kanë ardhur deputetët e PD-së nga Tirana. Mes tyre Shaban Memia e Pal Dajçi. Makina me të cilën udhëtonte Hajdari ishte një makinë e blinduar. Këtë makinë pas plagosjes në parlament të Hajdarit, ia kam kërkuar një mikut tim që t’ia jepte Hajdarit, pasi ndihej i rrezikuar. Miku im edhe pse ndodhej në hasmëri me një grup të fuqishëm në Tiranë, nuk ma prishi dhe ia dha këtë makinë Hajdarit.

– Sa e sigurt ishte kjo makinë për jetën e Azemit?

Këtë e them me bindje. Në këtë makinë të ardhur nga Italia ka pasur 5 shenja plumbash që i kishim gjuajtur unë dhe miku im për të provuar fortësinë e blindit.

Unë i dija këto shenja plumbash dhe i kam thënë Hajdarit që duhet të thotë që makina e tij është gjuajtur nga policia. Ja dhe shenjat e plumbave…

– Domethënë një mashtrim?

– Po. E kam bërë këtë paudhësi apo gënjeshtër, quajeni si të doni, të cilën Hajdari e përdori më vonë si provë të “atentatit” ndaj tij në Milot.

– Si dolët nga postblloku?

– Gjatë asaj kohe veshët e mi u bënë “mysafirë” të një bisede në mes të (Shaban) Memisë dhe Hajdarit. Hajdari e pyeste se çfarë arsye ka policia për ndalimin, ndërsa Memia i thoshte që thonë se do arrestojmë Izetin, pasi ka ikur nga arresti shtëpiak.

Ndërhyj në bisedë meqë u përmend emri im. Më thotë Azemi me pafytyrësinë dhe pabesinë që e karakterizonte: “Pse, në arrest shtëpie je ti?” Qesha dhe i thashë: E ke me gjithë mend këtë që thua? Pse nuk e din ti që unë jam në arrest shtëpie? A nuk të kam thënë kur më ke kërkuar të shoqëroj në jug e tani në Shkodër?

– Si reagoi?

– I thashë Azemit: “Meqë puna qenka kështu, unë po largohem e shof punën time, ju shifni tuajën. Vërtet mirë ma bën, sepse unë nuk vura mend ndonjëherë duke të besuar, prapë ty e ti vazhdon akoma me prerje në besë”.

Këto kanë qenë fjalët që unë kam folur me Hajdarin dhe nuk kam folur më me të deri në një konferencë shtypi që është bërë tek PD për arrestimin e të gjashtëve në gusht të ‘98-s. Atëherë ai më ka kërkuar të pi një kafe me të dhe t’u çoj të fala miqve të mij, sipas tij Haklajve.

Jam larguar i shoqëruar nga Pal Dajçi dhe kam fjetur atë natë në Milot. Armët që kanë pasur me vete, trimat e Azemit i kanë hedhur në një kanal diku afër ku ishte postblloku i policisë. Të nesërmen jam kthyer në Tiranë, i shoqëruar po nga deputetët e PD-së dhe kam marrë vesh nga intervista e Neritan Cekës tek VOA se akuzohesha… për vjedhjen e bankës së Tropojës dhe për këtë ishte bërë prita e Milotit, për të më kapur mua me lekët e vjedhura.

Hajde shtet e hajde ministër! Prita të vinte të më merrte policia, por nuk erdhën. E sqarova këtë ngjarje për të hedhur dritë për këtë të ashtuquajtur atentat që nuk është bërë ndonjëherë dhe që përfundimisht këputi kontaktet e mia me Hajdarin…

– Megjithatë, Izet, emri yt është lakuar shpesh si pjesëmarrës në vrasjen e Azemit. Mund ta sqarosh se si u përzieve në këtë histori?

– Unë kam folur për juve të DITA-s dhe kam sqaruar pozicionin tim dhe “pjesëmarrjen” time në këtë vrasje, për të cilën nuk kam patur dijeni. Një ditë përpara vrasjes jam takuar me Fatmir Haklajn në Linzë për të pirë kafe, ku më falënderoi ngaqë kisha parë e vizituar të vëllain e tij, Halilin, në burgun e Elbasanit, ku ishte bashkë me vëllain tim.

Kanë qenë rreth gjashtë persona që e shoqëronin Fatmirin, duke përfshirë këtu të vëllain e tij, Halilin dhe xhaxhain e tij, Elezin, që ishte rreth të tetëdhjetave me moshë. Më tha që kemi ardhur për të takuar dikë me pushtet që të rregullonte kthimin e tij në polici dhe për këtë kishte marrë me vete edhe xhaxhain e tij.

– Kush ka qenë më shumë i interesuar për vrasjen e Azemit?

– Unë kam thënë që vrasja e Azemit ka qenë rastësi apo u është dhuruar koka e tij në tepsi nga dikushi. Dhe ky dikushi është Berisha, sepse Berisha ka qenë në dijeni të makinës me targa Vlore që ishte parkuar në krah të PD, ka patur dijeni se kush ka qenë brenda asaj makine.

Sepse Berisha si një dhelpër dhe iblis (shejtan) që është, e kishte kuptuar që Hajdari konfliktin e Tropojës dhe vrasjet donte t’i lidhte me Berishën dhe urdhërat e tij pas bisedës me plakun e Haklajve. Kjo e shqetësoi shumë dhe i prishi gjumin Berishës.

Berisha tentoi në qershor të 98-s të dorëzonte në tepsi kokën e Hajdarit, duke e nxitur të shkonte për vizitë në Tropojë. Në të njëjtën kohë, unë edhe pse nuk flisja me Hajdarin, i kam thënë atyre që do ta shoqëronin dhe vëllait të Hajdarit, Saliut, që mbushjani mendjen Azemit që të mos shkojë në Tropojë sepse situata është shumë e turbullt e me shumë intriga, thashetheme e akuza dhe e rrezikshme për të.

– Si rrodhën më tej ngjarjet deri në momentin e vrasjes së Azemit?

– Pasi dështoi ky atentat ndaj Hajdarit, Berishës i kishte ardhur momenti i artë që të hiqte qafe Hajdarin, duke e thirrur në zyrën e tij e duke e dërguar tek makina me targa Vlore, pa i treguar se kush ndodhej në atë makinë, por e gënjeu duke i thënë se dyshohej se ka bombë. Sikur Azemi ishte xhenjer e merrte vesh nga çmontimi i bombave!

E kam treguar se nga kush e ka marrë vesh Berisha se kush ka qenë në makinën e vrasjes. Kjo është mbesa e tij, Shpresa Breçani që i ka treguar Berishës për njerëzit në këtë makinë, pasi ajo i njifte shumë mirë si Fatmirin, si Jahon. Dhe ajo përpara se të thirrej Azemi në zyrën e Berishës ka vizituar tri herë zyrën e dajës Berishë. Fatmiri për rreth një orë ka qenë në atë makinë dhe Azemi ka qenë duke pirë kafe rreth 20 metra larg makinës së tij. Po të kishte qenë se Fatmiri donte ta vriste atë, nuk do priste t’i vinte tek makina me pistoletë në dorë, por mund ta vriste aty ku po pinte kafe, pasi guximi dhe zotësia për ta bërë këtë nuk i mungonte Fatmirit.

Por këtu janë një sërë pyetjesh që mund të bëhen. Për shembull, nga kush ishte njoftuar Berisha për ardhjen e Haklajve në Tiranë? Nga i vinin këto informacione të klasifikuara, të cilat i merr edhe sot e kësaj dite? Padyshim nga njerëzit e tij që kanë ndërtuar strofullat në institucionet më të rëndësishme shtetërore. Ku është telefoni që kishte me vete Hajdari kur u vra? Cilat janë telefonatat e fundit që ka bërë apo që i kanë bërë Hajdarit? Në emër të kujt ka qenë e regjistruar karta celulare që përdorte Azemi? Po aparati telefonik dhuratë e kujt ishte? Përse ky person që edhe kartën edhe aparatin e telefonit ia kishte dhuruar Azemit, u vra në Tetovë të Maqedonisë pas vrasjes së Azemit?

E ai person ka qenë një shqiptar i Maqedonisë dhe pjesëtar i forcave FARK të Bukoshit.

– Pra, Berisha e dinte kush ndodhej në atë makinë?

– Unë e thashë më sipër që Berisha ka pas dijeni të plotë për emrat e personave që ndodheshin në makinën me targa Vlore, i njoftuar nga mbesa e tij.

Mund të them gjithashtu me garanci të plotë që Berisha pas perdeve të zyrës së tij në katin e dytë e ka parë live momentin e vrasjes së Hajdarit dhe pas kësaj është ulur dhe ka shkruar komunikatën, ku identifikonte vrasësit, por duke ndërruar identitetin e vrasësit dhe me qëllim ia hiqte këtë Fatmirit (tashmë dihet nga të gjithë se vrasësi i Azemit është Fatmir Haklaj) dhe ia vinte Jahos, pasi ai e dinte edhe detyrën që bënte Jaho Mulosmani.