Ballina Aktualitet Çfarë thanë Neritan Ceka, Kastriot Islami, Arben Imami dhe Luan Rama për...

Çfarë thanë Neritan Ceka, Kastriot Islami, Arben Imami dhe Luan Rama për grushtin e shtetit të Berishës në 14 shtator ‘

17

Nga Adriatik Doçi

22 vite më parë, në 12 shtator 1998, para selisë së Partisë Demokratike u ekzekutua deputeti i kësaj partie dhe lider i Lëvizjes së Dhjetorit, Azem Hajdari.

Zyrtarisht Azem Hajdari u vra nga Fatmir Haklaj, edhe ky i vrarë më vonë, por ngjarja, e konsideruar nga Ismail Kadare si vrasja e shekullit, u vesh me mister si shumë ngjarje të tjera, të cilat kanë shënuar pluralizmin në Shqipëri. Azem Hajdari ishte një shqetësim i vazhdueshëm për Sali Berishën që nga viti 1992 deri natën kur ndërroi jetë.

Kulmi i përplasjeve arriti në 9 janar të vitit 1997, ku me urdhër të Berishës, kryesia e grupit parlamentar të PD, vendosi t’i propozonte Kryesisë së PD-së përjashtimin e Azem Hajdarit nga grupi i PD-së dhe strukturat e partisë.

Gjithashtu, Azem Hajdari ishte ankuar publikisht në Kuvend që në vitin 1992 se përndiqej dhe përgjohej nga kreu i SHIK, Bashkim Gazidede, i cili punonte për llogari të Berishës. Hajdari ishte një kritik i shatër i kryeministrin Aleksandër Meksi dhe kërkonte shkarkimin e tij. Por, Berisha humbi durimin dhe e përjashtoi nga partia, ndërsa më parë e kishte akuzuar Hajdarin si vegël të Ramiz Alisë.

Megjithatë, Berisha e përdori vrasjen e Azem Hajdarit për organizimin e grushtit të shtetit të 14 shtatorit 1998. Shqiptarja.com sjell procesverbalin e diskutimeve në Parlament në datën 15 shtator 1998, një ditë pas grushtit të shtetit dhe tre ditë pas vrasjes së Azem Hajdarit.

Qëndrime mjaft të forta kundër Sali Berishës kanë mbajtur edhe Neritan Ceka, Arben Imami, Kastriot Islami, Nikoll Lesi dhe Luna Rama, të cilët sot janë në krah të Sali Berishës. Në Parlament diskutohet mbi një deklaratë të hartuar dhe lexuar nga Namik Dokle, ku dënohet grushti i shtetit, ndërsa drejtues dhe organizator i grushtit të shtetit shpallet Sali Berisha, me qëllim për të rimarrë pushtetin e humbur në ’97. Gjatë diskutimeve, deputeti Spartak Braho raporton se selia e PD ishte mbushur me arsenal armësh, ndërsa Sabir Brokaj, ish-ministër i Mbrojtjes, kërkon likuidim të grupeve të armatosura të PD.

Pjesë nga diskutimet në Parlament pas vrasjes së Azem Hajdarit dhe grushtit të shtetit të 14 shtatorit 1998

Skënder Gjinushi: Dëshiroj të them dy fjalë. Vendi ynë kaloi disa nga ditët e tij më të rënda.

Humbja e jetës së një deputeti në kondita të pasqaruara u përdor për organizimin e një grushti shteti. Ne e dënojmë këtë vrasje, pavarësisht nga motivet, duke shprehur dhe ngushëllimet për familjarët e të afërmit e deputetit, të cilët, me të drejtë, u tronditën nga vrasja dhe akoma më shumë nga mënyra se si u shfrytëzua kjo vrasje dhe se si u trasformua funerali i tij.

Shqipëria vazhdon të jetë ende shesh i skenarëve dhe i eksperiencave të pa precedent. Parti opozitare i armatosën militantët e tyre, bëjnë kërcënime dhe ultimatume për përmbysjen e vendit me dhunë dhe së fundi kryejnë edhe vetë akte. U sulmuan institucionet e dala nga vota e popullit, si Kuvendi Popullor, Kryesia e tij, Kryeministria, Ministria e Rendit, Televizioni publik, u shpall me cinizëm lënia e pushtetit dhe në krye të këtyre akteve ishin edhe deputetë të këtij Kuvendi.

Një veprim i tillë ka vetëm një emër: grusht i dështuar shteti. Ai dështoi se populli shqiptar nuk do vëllavrasje. Pavarësisht nga bindjet dhe preferencat politike, ai do dhe respekton demokracinë, rregullat e saj, respekton institucionet dhe i dëshiron ndryshimet nëpërmjet tyre. Edhe nëse është i pakënaqur ndaj tyre, ai nuk kërkon ndryshim me dhunë, por nëpërmjet protestave paqësore dhe nëpërmjet votës së lirë të popullit. Partitë nuk mund t’i ndryshojnë qeveritë, aq më tepër t’i përmbysin ato, pa mandatin e popullit.

Grushti i shtetit dështoi edhe nga rezistenca e pashembullt e policisë, e forcave speciale dhe e Gardës së Republikës, të cilave ne duhet t’u shprehim dhe mirënjohjen e mbështetjen tonë. Pikërisht, në këto kushte, ne jemi të detyruar ta hapim këtë seancë, duke propozuar si rend dite miratimin e një deklarate për situatën që ka kaluar vendi, fare të shkurtër, koncize.

Do të propozohet një projektdeklaratë dhe shqyrtimi i një projektligji që është paraqitur me urgjencë nga Qeveria. Ju ftoj të mbajmë një minutë heshtje për vrasjen e deputetit Azem Hajdari.

Sabri Godo: Unë mendoj se kjo nuk duhet të shndërrohet në një seancë plenare, se Kuvendi nuk e ka selinë këtu dhe mund të vazhdojë nesër. Them të mos ndalemi më gjatë në shqyrtimin e kësaj gjendjeje ose miratimin e ndonjë rezolute.

Në qoftë se ka ndonjë ligj urgjent të Qeverisë që duhet miratuar, po qe se këtu janë më shumë se gjysma e deputetëve, sepse ne nuk jemi në gjendje emergjente, nuk jemi në gjendje lufte. Të rregullohet salla e Kuvendit Popullor dhe le ta vazhdojmë punën nesër. Unë nuk mendoj që kjo të deklarohet një seancë zyrtare plenare e Kuvendit Popullor, nuk e ka vendin këtu.

Skënder Gjinushi: Ju lutem, nuk ka asnjë kusht se ku mblidhet Kuvendi Popullor. Populli zgjedh deputetët, nuk zgjedh sallat dhe Kuvendi quhet legjitim sa herë që mblidhet, kudo që mblidhet, duke respektuar procedurat e veta.

Bashkim Fino: Aleatët e Partisë Republikane atë sallë e kanë dhunuar dhe sa të rregullohet, ne përsëri atje do të mblidhemi. Kjo është përgjigjja më e saktë. Atje nuk ka drita dhe nuk ka ambient për të qëndruar.

Namik Dokle: Më falni, është pak më e thjeshtë kjo, z. Godo, sepse institucionet që janë sulmuar, tani për tani mbahen ashtu siç janë për të mos prishur provat e hetimeve të ngjarjes. Për fat të mirë, kjo sallë nuk ka pasur goditje dhe ne e kemi mundësinë për t’u mbledhur. Unë dua t’ju propozoj një tekst të një deklarate të shkurtër, thjesht për të bërë një propozim.

Deputetët janë të lirë të diskutojnë rreth tekstit, ose rreth problemit dhe në fund, bashkë me sugjerimet, vërejtjet, ose propozimet e deputetëve, do të bëhen të gjitha rregullimet përkatëse. Nuk ka ndonjë punë paraprake, vetëm një punë paraprake imja si deputet, ju jeni të lirë ta gjykoni. Atëherë, më lejoni ta lexoj këtë tekst që propozoj për t’u miratuar. Deklaratë e Kuvendit Popullor.

Kuvendi Popullor i Republikës së Shqipërisë, i mbledhur në seancë plenare më 15 shtator 1998, duke vlerësuar ngjarjet e ditëve të fundit, veçanërisht sulmin kundër institucioneve dhe rendit kushtetues nga grupimet agresive të Partisë Demokratike, të drejtuara nga ish-Presidenti Berisha, duke konstatuar goditjen me armë, grabitjen dhe pushtimin e Parlamentit, të selisë të Këshillit të Ministrave, Televizionit Shtetëror dhe shpalljen nëpërmjet tij të së ashtuquajturës fitore, konkludon:

Partia Demokratike me grupet e saj të armatosura kreu një grusht shteti kundër institucioneve kushtetuese, i cili, edhe pse deri tani ka dështuar, mbahet ende në aktivizim shpërthyes.

Drejtuesi dhe organizatori i grushtit të shtetit është Sali Berisha, mbi të cilin rëndon vrasja e mijëra shqiptarëve vetëm për të mbajtur ose për të rimarrë pushtetin. Parlamenti i kërkon Qeverisë të marrë të gjitha masat adekuate për t’i dhënë fund menjëherë grushtit të shtetit dhe për të rivendosur qetësinë, rendin dhe jetën e paqtë për shqiptarët. Parlamenti u kërkon institucioneve shtetërore që të rivendosin jetë normale në shërbim të shoqërisë civile dhe të së drejtës. Parlamenti Shqiptar shpreh besimin e plotë se populli ynë, me mençurinë dhe patriotizmin që e ka karakterizuar, do të tregojë edhe në këto momente të vështira pjekuri, qetësi dhe vendosmëri, për të mbrojtur sigurinë dhe paqen në vend.

Sabit Brokaj: Aty ka një kundërshti, grushti i shtetit realisht dështoi, kurse thuhet që Qeveria të marrë masa për likuidimin e grushtit të shtetit. Dhe duhet thënë, për mendimin tim, që duhet të marrë masa për likuidimin e grupeve të armatosura të Partisë Demokratike, në selinë e saj ose gjetkë, brenda kuadrit ligjor etj., etj. Domethënë, jo të thuhet “likuidimin e grushtit të shtetit”, se si grusht shteti është i mbyllur, por grupet e armatosura që potencialisht mund të bëjnë një veprim të tillë.

Luan Rama: Z. Kryetar, do të sugjeroja që në pasazhin ku thuhet “Grushti i shtetit që dështoi”, të specifikohet, sepse është dhe qëndrimi i Kuvendit Popullor, “falë pjekurisë, patriotizmit të popullit të kryeqytetit dhe vendosmërisë së strukturave të Ministrisë së Rendit Publik…” dhe do të shtoja “edhe të Ministrisë së Mbrojtjes”, sepse të gjitha efektivat e ushtrisë, që nga shtabi në Ministri e deri në repartet më të largëta, kanë qenë në krye të detyrës dhe nuk lejuan që të prekej asnjë repart, kur vajtën dhe grupe të armatosura për të marrë repartet dhe armët për ta vazhduar më tej kasaphanën. Pra, të falënderohet populli i kryeqytetit dhe forcat e rendit e të Ministrisë së Mbrojtjes.

Neritan Ceka: Në deklaratë nuk del fare përkrahja që i kanë dhënë qeveritë e Europës, Shtetet e Bashkuara dhe gjithë partnerët tanë pushtetit të ligjshëm në Shqipëri. Më duket se ky ka qenë një nga faktorët vendimtarë për ndërprerjen e grushtit të shtetit. Kjo ka qenë po kaq e rëndësishme, sa edhe vendosmëria e Policisë Shqiptare.

Sabri Godo: Unë, z. Kryetar, ditën e djeshme e kam vuajtur njësoj si të gjithë ne që jemi këtu brenda, por unë them që në deklaratat që bën Kuvendi Popullor duhet të ndjekë dhe një logjikë juridike. Në qoftë se ne deklarojmë këtu që kemi të bëjmë me një grusht shteti, teoritë e strategjitë e grushteve të shtetit njihen, kanë një skemë, kanë persona që i udhëheqin, kanë një parapërgatitje.

Të gjitha këto përbëjnë një temë hetimi, sepse kushdo që bën, përgatit e vë në zbatim një grusht shteti, kryen një akt antikushtetues. Prandaj, unë për këtë lloj deklarate, ashtu siç është thurur ajo, nuk votoj sot. Ajo duhet të jetë më e qartë në terma dhe duhet të jetë dhe konsekuente. Prandaj unë them që ta lëmë këtë për ta shqyrtuar në një kohë të dytë. Ky është mendimi im, e di që shumica mund të jetë kundër, por unë jam i detyruar ta them si e mendoj unë.

Nikollë Lesi: Më vjen keq për thinjat e zotit Godo, sepse vazhdimisht e kam respektuar dhe asnjëherë nuk e kam kundërshtuar. E kam përkrahur vazhdimisht për të gjitha gjërat, por është hera e parë që po e kundërshtoj, sepse ajo çfarë ndodhi dje në Tiranë , nuk e di nëse z. Godo ka dalë dje gjatë kohës që ndodhte grushti i shtetit, ose ka dëgjuar radiot private, por dje ka qenë një grusht i mirëfilltë shteti dhe nëse nuk u realizua, ka faktorë të tjerë që mund t’i analizojë prokuroria ose vetë politika më vonë. Por, përderisa u mor institucioni i informimit publik kombëtar, që është Radiotelevizioni Shtetëror, me aq sa kemi lexuar dhe mësuar, elementi numër një i një grushti shteti është marrja e institucionit të radiotelevizionit të një vendi.

Ai u mor dhe përderisa doli, në mos gabohem, kryetari i një partie që bënte pjesë në Bashkimin për Demokraci, ose që ka firmosur në ato 12 parti, kjo i jep një vulë zyrtare; atyre u mbeti vetëm të deklaronin përbërjen e qeverisë, pastaj si e tek dështoi, atë le t’ia lëmë prokurorisë. Unë mendoj që ai ishte një grusht i mirëfilltë shteti.

Spartak Braho: Z. Kryetar, për ato rrethana që përcakton deklarata lidhur me të qenit e Partisë Demokratike një formacion luftarak, i militarizuar, që ka përdorur dhunën, me opsionin për të realizuar një kryengritje të armatosur për ato rrethana që ju thashë sot, si edhe faktin që para disa minutave, gjatë kontrollit në selinë e Partisë Demokratike është gjetur një arsenal i tërë armësh,

unë mendoj që në deklaratë të përcaktohet qartë që kjo thirrje t’u drejtohet edhe partive të Bashkimit për Demokraci, që të distancohen nga veprimet antikushtetuese, antiligjore, ndryshe, pa e çuar mendimin in extremis, unë do të kërkoj dhe do t’i propozoj këtij Parlamenti të shqyrtojë zbatimin e masave dhe ligjeve që përcakton ligji kushtetues. Pra, si përfundim, kërkoj që t’u bëhet thirrje partive të Bashkimit për Demokraci të distancohen.

Petro Koçi: Z. Kryetar, desha të them që grushti i shtetit ishte i organizuar jo vetëm në kryeqytet, por edhe në rrethe të tjera të Shqipërisë. Programi i organizatorëve parashikonte që në të gjitha rrethet të pushtoheshin komisariatet e policisë dhe prefekturat. Dje, për shembull, në rrethin e Fierit i është dhënë ultimatum prefekturës që, në orën 12.00, të dorëzonin çelësat autoritetet përkatëse dhe, po ashtu, i ishte kërkuar dhe komisariatit të policisë, por, falë vendosmërisë së tyre, kjo gjë nuk ka ndodhur. Ky është një argument më tepër që vërteton se grushti i shtetit nuk ishte një rastësi.

Nuk është e vërtetë që aty vepruan njerëz që nuk mund të kontrolloheshin nga Sali Berisha, po ishin pikërisht strukturat e Partisë Demokratike, strukturat legjitime të saj, njerëz me mandat, përfaqësues në pushtetin lokal të saj, të udhëzuar dhe nga Televizioni Shqiptar dje me variantin që kryetarët e pushtetit lokal, kryetarët e bashkive të marrin situatën në dorë. Pra, mohimi i të gjitha strukturave të tjera të pushtetit qendror tregon qartë që ky është një grusht shteti.

Sokol Hazizi: Besoj se unë do të jem ndër të fundit. Deklarata është e kompletuar edhe me pasqyrimin ligjor që i bën Kuvendi Popullor veprës së konsumuar nga një pjesë e Partisë Demokratike dhe e njerëzve që e shoqërojnë atë për goditjen e shtetit, por mendoj që duhet shtuar në deklaratë dhe duhet pasqyruar edhe procesi politik , pasojë e inciativës së Presidentit në këto momente. Ju faleminderit!

Neritan Ceka: Unë kam një propozim tjetër, nuk ka nevojë të shikohet përsëri, sepse, në thelb, deklarata u diskutua dhe kishte një konsensus. Unë mendoj që në qoftë se ka diçka, ato pika që u propozuan, pyetet salla dhe në qoftë se shpreh konsensusin, atëherë grupi, pavarësisht se deputetët do të largohen, t’i plotësojë dhe deklarata të quhet e miratuar.

Arta Dade: Unë do t’i ftoja të gjithë kolegët deputetë ta kalojmë këtë deklaratë pa e zgjatur, sepse të gjithë e kemi të qartë që këtij grushti shteti nuk i mungonte asnjë element. I vetmi element që i mungoi grushtit të shtetit ishte vrasja e ndonjë ministri në mbledhjen e kabinetit ose të Kryeministrit, sepse dihet që turmat u nisën me thirrjen “Vdekje, vdekje, vdekje Fatos Nanos!”që është Kryeministri i Shqipërisë, prandaj unë do t’i ftoja të gjithë kolegët ta votojmë këtë me përcaktimin e saktë “një grusht shteti i dështuar”.

Arben Imami: Ju lutem, për saktësi, nuk ka mijëra të vrarë, ka disa të vrarë e të plagosur, po jo mijëra. Deklarata është vetëm për grushtin e shtetit, nuk është konsiderata politike për vitet 1991 -1998.

Luan Rama: Aty mund të bëhet “Sali Berisha, i cili mban përgjegjësi për të gjitha pasojat e shkaktuara”.

Neritan Ceka: Unë mendoj që ka një paragjykim për përdorimin e forcave ushtarake në shërbim të rendit, që është në kundërshtim me tërë atë që ndodh në Europë. Forcat ushtarake janë pjesë e forcave të rendit në Itali, në Francë, në Vendet e Ulëta, në Turqi, në Austri dhe kemi kohë që mendojmë që një pjesë e ushtrisë të kalojë në detyra të rendit, ajo që quhet karabinieri. Edhe misioni me të cilin ne duam të konsultohemi është pikërisht…

Arben Imami: Kam përshtypjen se harrojmë që jemi në gjendjen e një grushti shteti dhe e kemi miratuar tashti se në këtë gjendje jemi. Besoj që anëtarët e këtij Parlamenti e kanë të qartë se ky grusht shteti nuk është i mbaruar dhe deklarata që bëri ky Parlament ishte po e tillë. Grushti i shtetit është ende në proces. Unë nuk besoj se Parlamenti Shqiptar në një natë si kjo nuk do të mbetet i mbledhur dhe të rrijë pa shqyrtuar, jo për të miratuar patjetër atë që propozon Qeveria Shqiptare, mbase mund të ketë ide të tjera, por, pa shqyrtuar këtë situatë dhe pa bërë një propozim, qoftë edhe legjislativ ose të një natyre tjetër, për të ndihmuar për zgjidhjen e problemeve.

Në qoftë se kemi një praktikë të tillë, siç tha dhe zoti Ceka, në mjaft vende të Europës, në qoftë se nuk ka ndonjë mospërputhje ose ndonjë kundërshtim me dispozitat aktuale kushtetuese, le të shikohet dhe le të shqyrtohet një orë, dy tre, pesë, shtatë, nuk ka gjë, por besoj që populli shqiptar pret nga deputetët e tij. Prandaj nuk është e domosdoshme për t’u shtyrë nesër ose pasnesër.

Kastriot Islami: Duke pasur parasysh se Italia, Franca dhe disa shtete të tjera janë anëtare të këtyre konventave dhe kanë xhandarmëri ose karabinieri, është po e njëjta gjë që realizohet nëpërmjet këtij ndryshimi ose shtete të ligjit përkatës. Pra, nuk ka asnjë problem.

Nikollë Lesi: Ju falemnderit, zoti Gjinushi! Unë mendoj që këtë e kanë parë specialistët e Këshillit të Ministrave dhe dy komisionet përkatëse. Të mos vonohemi, përderisa dje Tirana dhe Shqipëria kanë kaluar një situatë të jashtëzakonshme, këtë ligj të mos vonojmë ta miratojmë, sepse ndoshta deputetët nuk janë në dijeni se çfarë po ndodh tashti pranë selisë së PD -së, e para. E dyta, në qoftë se ka mundësi, zoti Gjinushi, atë shkresë , në qoftë se të ka ardhur, të Prokurorit të Përgjithshëm, të kalojmë tek ajo pikë e tretë që e ke në dosje, në mos gabohem./shqiptarja.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com