Ballina Aktualitet Çiklistët italianë, 1300 km për të falenderuar mjekët dhe infermierët shqiptarë

Çiklistët italianë, 1300 km për të falenderuar mjekët dhe infermierët shqiptarë

39

Një grup çiklistësh italianë përshkuan 1300 kilometra për të falenderuar mjekët dhe infermierët shqiptarë që mbërritën në Itali në fundmars, gjatë urgjencës së Covid-19.

Ambasadorja shqiptare në Itali, Anila Bitri Lani dhe koordinatori i komitetit tekniko-shkencor të qeverisë italiane për emergjencën COVID-19, Agostino Miozzo, (i pranishëm në Shqipëri pas tërmetit të 26 nëntorit si kreu i Mbrojtjes Civile Italiane), mirëpriti grupin e çiklistëve nga Conegliano Veneto.

Grupi i çiklistëve “Alè Azzurri” udhëtoi më shumë se 1300 km, duke u nisur nga Conegliano Veneto (qyteti i ish-trajnerit të ekipit kombëtar shqiptar, Gianni De Biasi). Grupi mbërriti në Ambasadën Shqiptare dhe falënderoi mjekët përmes videokonferencës për përkushtimin në spitalin e Breshias.

Fillimisht, turneu përfshinte disa ndalesa në Ballkan dhe më pas arritjen në destinacionin përfundimtar Tiranë, ku grupi i çiklistëve do të falënderonte personalisht ekipin mjekësor dhe kryeministrin shqiptar Edi Rama.

Por, kufizimet për shkak të COVID-19 e detyruan grupin të bënte ndryshime të këtij udhëtimi. Ardhja në Tiranë u zëvendësua në mënyrë metaforike me atë në Piazza Albania në Romë, ku ndodhet monumenti i heroit kombëtar shqiptar Gjergj Kastriot Skënderbeu.

Në videokonferencë ndodhej edhe kampioni shqiptar i çiklizmit Eugert Zhupa, i cili mori pjesë katër herë në Giro d’Italia. Përveç kësaj, trajneri italian Gianni De Biasi ishte gjithashtu i pranishëm. “Një takim emocionues dhe i përzemërt.

Ne jemi miq të shkëlqyeshëm edhe në ditë të vështira. Një tjetër moment simbolik dhe i rëndësishëm që dëshmon për lidhjen midis vendeve dhe njerëzve tanë. Një det solidariteti dhe vëllazërimi na bashkon”, lexohet në postimin e publikuar në Facebook nga Ambasada e Shqipërisë në Itali.