Ballina Aktualitet Covid 19/ Situata në vend, vetëm dy persona të infektuar në Durrës

Covid 19/ Situata në vend, vetëm dy persona të infektuar në Durrës

40

Stabilizohet situata pandemike në vend. Ditën e djeshme është regjistruar numri më i ulët ditor i të prekurve që nga fillimi i epidemisë. Në raportimin e ditës së djeshme përfaqësuesja e Institutit të Shëndetit Publik tregoi se në 24 orët e fundit në vendin tonë janë regjistruarvetëm 2 raste të reja me koronavirus, edhe këto në qytetin e Durrësit.

Këto janë rezultate mjaft pozitive me numrin më të ulët të infektuarve nga 168 teste të kryera. “Ju bëjmë me dije të dhënat e 24 orëve të fundit të situatës së COVID 19 në Shqipëri. Në vend vazhdon prezenca e rasteve sporadike, prezenca e vatrave dhe nuk vërehet qarkullim i dendur në popullatë.

Situata epidemiologjike në vend paraqitet e qëndrueshme, mbështetur në identifikimin e rasteve të reja, hetimin aktiv të tyre dhe numrin e pacientëve që po trajtohen në spital. Sot është dita me numrin më të ulët të rasteve pozitive të konfirmuara, që nga fillimi i epidemisë. Janë testuar 168 qytetarë si të dyshuar si të prekur me Covid-19 dhe kanë rezultuar pozitivë 2 qytetarë, në qarkun Durrës”, raportoi ISHP. Ndërkohë sqarohet se, rastet e reja janë kontakte të personave që tashmë rezultojnë pozitivë, ndërkohë që po vazhdon hetimi epidemiologjik aktiv në terren.

Sipas këtyre të dhënave, numri i testeve është rritur dhe përshpejtuar në javët e fundit duke shkuar në mbi 12 testet që prej fillimit të pandemisë. Kjo ka bërë që gjurmimet dhe trajtimin në kohë të të infektuarve, çka ka bërë që edhe numri i të shëruarve të jetë më i lartë vetëm në një ditë më parë janë shëruar 12 qytetarë. Ndërkohë në spitalin Covid gjenden të shtruar vetëm 15 pacientë. “Marrja në kohë e masave për distancimin fizik, vetëizolimi i ndërgjegjësuar, masat e higjienës personale dhe respiratore patën peshën kryesore ne shfaqjen e një kurbe epidemike të butë në vend. Deri më sot janë kryer mbi 12,500 testime dhe janë konfirmuar pozitivë me COVID-19 në të gjithë vendin 948 qytetarë. Prej tyre, rreth 77% janë të shëruar. Të shëruar janë 12 qytetarë. Në vendin tonë aktualisht janë 190 persona aktivë me COVID-19, kryesisht në Tiranë, Durrës Krujë, Shkodër. Gjendja në spitale paraqitet e qëndrueshme prej ditësh me 15 pacientë të shtruar dhe vetëm 3 prej tyre janë në terapi intensive”, tha ajo.

Reagimi i Ministrisë së Shëndetësisë

Sanatoriumi do i kthehet pacientëve të tij. Prej fillimit të pandemisë për shkak të shtimit të rasteve aso kohe Ministria e Shëndetësisë vendosi të kthejë Spitalin e Sanatoriumit për t’u shërbyer të infektuarve me koronavirus. Ndërkaq ditën e djeshme ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastriliu, nga Spitali Universitar “Shefqet Ndroqi” ka deklaruar se ky spital do t’i rikthehet normalitetit, duke mbyllur shërbimin për trajtimin e pacientëve të prekur nga COVID-19.

Ndërsa u shpreh se spitali COVID 2, ka trajtuar mbi 60 pacientë. “Nga sot spitali “Shefqet Ndroqi” do t’i rikthehet funksionit të tij normal, pra duke ju dedikuar pacientëve që kanë patologjitë që trajton ky spital, duke filluar nga ato pulmonare deri tek shërbimi i kirurgjisë, hemodinamikës dhe shërbimet e tjera.
Prej datës 28 mars, spitali u përfshi në skenarin për trajtimin e pacientëve me COVID19 dhe deri sot puna nuk ka ndalur në spitalin tuaj për të trajtuar pacientët me COVID-19. Janë rreth 60 pacientë që janë trajtuar në këtë spital dhe unë dua t’iu falenderoj për gjithë angazhimin, punën të gjithë stafeve mjekësore”, tha Manastriliu.

Teksa lajmëroi edhe rifillimin e ndërhyrjeve të planifikuara nga dita e djeshme, Manastriliu theksoi se situata do të monitorohet dhe vlerësohet në baza ditore dhe 14 ditore. “Në strategjinë e rihapjes, edhe sistemi shëndetësor po kthehet gradualisht në normalitet. Nga sot rifillojnë konsultat e specializuara, por mbi të gjitha ndërhyrjet e planifikuara të kirurgjisë, pra i rikthehet normalitetit. Sigurisht që kjo bëhet në kuadër të një strategjie ri-hapjeje dhe praktikisht po ecim sipas këtij plani, duke bërë një vlerësim të situatës epidemiologjike, duke parë dhe duke vlerësuar rastet që kemi të shtruara në spital dhe gjithashtu edhe rastet e rënda, në terapi intensive. Deri më tani situata është nën kontroll, por do të monitorohet në vijimësi”, tha Manastriliu.