Ballina Aktualitet Debatet për kufirin detar, Myslim Pashaj: Ja pse nuk mund të zbatohet...

Debatet për kufirin detar, Myslim Pashaj: Ja pse nuk mund të zbatohet ndarja me 12 milje! Greqia synon të marrë territor

21

Koloneli i detit, Myslim Pashaj ka reaguar sërish dje për çështjen e kufirit detar mes Greqisë dhe Shqipërisë. Ai ka folur mbi deklaratën e kryeministrit grek, duke u shprehur se është e pamundur që mes dy vendeve të zbatohet dispozita e konventës për zgjerim me 12 milje.

“Në këto ditë të shqetësuara dhe me ndjeshmëri të lartë të opinionit shqiptar dhe atij grek nga ana e Republikës së Shqipërisë, vihet re vetëpërmbajtje në trajtimin parimor të së Drejtës Detare Ndërkombëtare për zgjerimin e Greqisë nga 6 milje detare në 12 milje. Pra Greqisë dhe Shqipërisë sipas kësaj të drejte u takojnë të dyve që të shtrihen në detin Territorial në 12 milje detare.

Por për kushtet speciale, gjeografike, historike në rastin e Shqipërisë dhe Greqisë përbëjnë veçori, të cilat nuk lejojnë që automatikisht të aplikosh këtë zgjerim në ujërave territoriale, pa negociatë dhe pa një marrëveshje”, tha ai. Pashaj ka analizuar shkaqet se përse ndodh kjo.

Sipas tij, në shtrirjen ekstremale veriperëndimore, në Ngushticën e Otrantos dhe vijimit të Kanalit të Korfuzit, Republika e Greqisë përfaqësohet me bashkësi ishullore të Korfuzit, ku ishulli Othonoi dhe Erikuza ndodhen përballë Dheut Kontinental të Republikës së Shqipërisë.

Sipas tij, është e nevojshme që sipas këtyre veçorive (ishujt) të negociohet për metodën e ndarjes. Në vitin 2009, Greqia diktoi në Marrëveshjen e delimitimit, duke përdorur “Metodën e Vijës së Mesit, të baraslarguar nga dy brigjet” e cila çoi në humbjen e madhe të Republikës së Shqipërisë.

Po kjo marrëveshje u hodh poshtë nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë. “Një ndër aktet e para të deklarimit edhe para Sekretarit Stotlenberg ishte botimi i hartës së zgjerimit të Greqisë në 12 milje detare në krahun perëndimor ku hapësira detare është e gjerë, deri në veri të ishullit Othonoi.

Akti i dytë bashkëngjitës është botimi i hartës së Korfuzit dhe arkipelagut që ndodhet përballë Shqipërisë ku janë përvijuar kufijtë detarë midis të dy vendeve, kur dihet se ata nuk ekzistojnë dhe se janë përmbysur nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë!

Qeveria greke, drejtpërsëdrejti nuk e ka mbajtur të fshehtë qëllimin e saj, se pas të Drejtës Ndërkombëtare Detare të kalimit nga 6 md në 12 md, ka përfshirë në të njëjtin dokument hartografik edhe delimitimin njëanshëm të vijës kufitare detare të Detit Territorial të Shqipërisë në 112 km gjatësi, nga mesi i Ngushticës së Otrantos deri në gjirin e Ftelias, në puqje me Piramidën tokësore nr 49”, ka vijuar ai. Sipas Pashajt, Greqia synon të rikthejë paktin e 2009.