Ballina Aktualitet Djali Rexhepit, xhepi i vjedhur i shtetit dhe shteti që i bën...

Djali Rexhepit, xhepi i vjedhur i shtetit dhe shteti që i bën sehir luksit

20

Amoralitet/ Ky rufjan, sharlatan e injorant që ka plaçkitur pasuritë e Shqipërisë, dekoroi vëllezërit “Frashëri”, dijetarët dhe atdhetarët e mëdhenj, që përdorën kulturën dhe pasuritë e tyre për Shqipërinë

Sa herë dëgjojmë Ilir Metën, që flet për ndershmëri e sa herë e shikojmë që bredh nëpër fshatra, duke u hequr si i ndershëm, na kujtohet një rast i ngjashëm i viteve 1970-‘80-të, me një ish-kryetar kooperative në rrethin e Skraparit.

Vjedhjet e tij, kishin shkuar deri në vesh të Enver Hoxhës, por për motive që i dinte vetëm ai, nuk e futi në burg si shumë të tjerë ish parizanë të veshur me pushtet.

Veçse e spostoi nga “arka” e kooperativës, ku kishtë bërë kërdinë; dhe e caktoi Kryetar Fronti të zonës, ku ndaheshin fletë nderi e flamuj emulacioni, duke i dërguar porosi të “ulte kokën” e të mos bënte karshillëk.

Ai e uli kokën, heshti, ndante fleta nderi për ata që realizonin planin e ishin të dalluar në lagje dhe fshatra; e deri ditën që iku nga kjo botë, shteti nuk e ngacmoi.

Krahasimisht sot, Ilir Meta është tipik ai kryetar kooperative nga zona e tij; super hajdut i fondeve e pasurive publike, i pa dënuar nga 3 “enverët” Berisha, Nano e Rama, së fundi i hequr nga arka e shtetit dhe çuar atje ku ndahen dekoratat.

Por djali i Rexhepit, megjithëse dihet ligjërisht e botërisht se ka vjedhur xhepin e shtetit, po bën karshillëk e moral për ndershmërinë; sikur nuk është ai hajduti që ka vjedhur çfarë ka dashur, sa ka dashur e çfarë ka mundur.

Shteti e din, që është vjedhur “dërçe” nga djali i Rexhepit, por çuditërisht nuk shkon t’i zbrazë “xhepat”, nuk shkon t’i marrë toka, troje, ullishta, e kullotat, që ka vjedhur nga prona publike e ish-pronarët.

Djali i Rexhepit, pa asnjë ditë punë e sot miliarder dhe pasanik ndër 10 më të pasurit e Ballkanit, nuk ka as “1 cent” të vënë nga xhepi tij, në pasurinë luksoze e gjigande që posedon e shijon; por shteti nuk shkon t’i sekuestrojë vilat, bizneset, apartamentet, suitat, makinat e luksit.

Përkundrazi, djali i Rexhepit që ka shqyer xhepin e shtetit prej mëse 20 vitesh; është caktuar të dekretojë ministra, kryeinspektorë, kryegjyqtarë e kryeprokurorë të drejtësisë së re, të cilët i këshillon të mos tolerojnë askënd që vjedh xhepin shtetit.

Dhe ata, me qëndrim gati-tu e me “karton mandate” të firmosur prej kryehajdutit, betohen me përulje përballë tij, se do bëjnë drejtësi ndaj atyre që vjedhin shtetin; paçka se kokën e hajdutëve e kanë përballë e në krye të “sofrës”.

Ndaj dhe i pandëshkuari që ka plaçkitur Shqipërinë; me tangërllëk, eskortë “ushtri” policore e banditësh prapa; shkon deri tek shtëpia e frashërlinjve, ku bën moral për atdhetarinë e ndershmërinë dhe firmos dekorata, për ato personalitete që kanë shkrirë pasurinë e tyre për Shqipërinë.

Ndërsa shteti i vjedhur prej Ilir Metës, vazhdon bën sehir pasuritë dhe jetën e tij luksoze./Pamfleti