Ballina Aktualitet Dosja “Hajdari” fut në panik Berishën: Presion prokurorisë për të bllokuar përballjen...

Dosja “Hajdari” fut në panik Berishën: Presion prokurorisë për të bllokuar përballjen me Haxhinë! Var shpresat te gjy

24

Rihapja e çështjes së vrasjes së Azem Hajdarit duket se po lë pa gjumë ish-kryeministrin Berisha. Sot gjykata do të vendosë nëse ai do të jetë dëshmitar në gjyqin e Izet Haxhisë, por gazeta ka mësuar se ish-kryeministri po lufton fort që të mbetet jashtë kësaj çështje.

Izet Haxhia që kur u ekstradua deklaroi se qëllimi i tij është të përballet me ish-kryeministrin, por ky i fundit nuk e do një gjë të tillë. Sipas burimeve, vendimi i prokurorisë për ta thirrur si dëshmitar e ka nxehur keq Berishën. Ky i fundit është irrituar me prokurorin në fjalë dhe drejtuesen e Prokurorisë së Tiranës.

Në rrethin e tij të ngushtë Berisha e ka cilësuar si lëvizje të Ramës thirrjen e tij si dëshmitar, ndërsa është justifikuar se ai ka folur para ambasadës amerikane për këtë çështje. Gazeta ka mësuar se lëvizja e prokurorisë ka trembur ish-kryeministrin, i cili ka nisur të lëvizë të gjithë gurët për të qëndruar jashtë procesit.

Por sipas informacioneve, pavarësisht se prokuroria i ka dalë nga rreshti, Berisha i ka sytë te gjyqtari kryesor i çështjes. Trupa drejtohet nga Lazër Sallaku, një emër shumë i përmendur kohët e fundit. Gjyqtari Sallaku ka marrë dy vendime të forta muaj më parë, duke shpëtuar Sali Berishën dhe Lulzim Bashën nga gjykimi. Në janar të këtij viti, ai pranoi kërkesën e prokurorisë për të pushuar çështjen e CEZ.

Kuvendi dhe juristi Romeo Kara kishin ngritur një padi ndaj Berishës, djalit të tij dhe disa ish-ministrave, me argumentin se ishte abuzuar me privatizimin e OSSH nga çekët. Prokuroria mbylli hetimet dhe ja dërgoi gjykatës, e cila i pushoi fare. Një tjetër veprim akoma dhe i fortë nga Sallaku është ai i lobimeve të Lulzim Bashës. Prokuroria pushoi hetimet për pastrim parash dhe dërgoi për gjykim Bashën për akuzën e falsifikimit të formularëve.

Por në seancën paraprake gjyqtari Sallaku pushoi hetimet dhe për këtë akuzë duke nxjerrë të larë Bashën. Tashmë fati i Berishës do të jetë sërish në dorën e tij. Sot në orën 14:30 gjykata do të mblidhet dhe do të vendosë se cilët dëshmitarë do të pranojë nga ana e prokurorisë dhe palës mbrojtëse.

Dëshmitarët e thirrur

Izet Haxhia është dënuar me 25 vite burg në mungesë nga Gjykata e Tiranës për përfshirje në vrasjen e Azem Hajdarit. Ai qëndroi për shumë vite në Turqi, ku pas disa betejash gjyqësore gjykata turke e ekstradoi në Shqipëri, ku u vendos rigjykimi i tij nga zero. Prokuroria dhe Haxhia kanë thirrur 30 dëshmitarë, të cilat do të hedhin dritë mbi ngjarjen. Berisha, Ylli Rakipi, Sali Lusha, Zenel Neza, Jaho Mulosmani, Aishe Haklaj, Zylfie Haklaj, Muharrem Haklaj, etj., janë disa nga emrat të cilët janë thirrur nga të dyja palët, pasi ata kanë dijeni mbi ngjarjen. Në seancën e një jave më parë Izet Haxhia kërkoi dhe dy emra të tjerë surprizë, Majlinda Popoviç dhe Fatos Klosin.

“Azem Hajdari para se të vritej dhe ditën e vrasjes mbante si telefon, numrin që kishte me kontratë kjo shtetase. Ai këtë gjë e bënte shpesh, sepse i shmangej përgjimeve telefonike, ndaj nuk kishte asnjë telefon të tij me kontratë. Në këtë numër telefoni që figuron në emrin e Majlinda Popoviç, me banim në Shkodër, Azemin e kanë nxjerrë në pritë ku edhe e vranë. Kjo dëshmitare do të hedh dritë për këtë fakt dhe më tej do të kërkojmë ku ndodhet ky telefon si dhe tabulatet e tij për bisedat e zhvilluara para dhe mbas vrasjes së Azem Hajdarit”, tha avokati Idajet Beqiri mbi thirrjen e Popoviç. Sa i takon Klosit, ai ka qenë kreu i SHISH dhe në shumë raste akuzon Berishën se ka pasur rol në vrasje. /Kliti Topalli