Edhe pas fitores 3-1 Edy Reja i pakënaqur me ekipin, kapet edhe me fushën e 'Air Albania-s' – Descript

15

Trajneri i Kombëtares shqiptare të futbollit, Edy Reja, duket se nuk ka dalë plotësisht i kënaqur nga fitorja e sotme me Kazakistanin.

Sipas Rejas, gjithmonë kush fiton është i lumtur, por ai shton se grupi i lojtarëve ka më shumë kapacitete dhe sot mund të shënonte më shumë po të ishin më të kujdesshëm dhe gjakftohtë përpara portës.

Ai ankohet po ashtu edhe për terrenin e stadiumit ”Air Albania” duke thënë se nuk e kupton se si kombëtarja shqiptare nuk bën paraqitje të mira këtu, ndërkohë që në Elbasan luan mjaft mirë.

”Patëm një 5 minutësh të fortë. Mu duk sikur e nisëm në gjumë ndeshjen. Më pas bëmë 20 minuta të mira por pësuam një gol të çuditshëm që na kushtëzoi. Ata ishin më të fortë fizikisht.

Në mesfushë nuk po arrinim t’i përmbanim në disa raste. Diferencat në goditje dënimi e standarde e të tjera ata kishin më shumë centimetra se ne. Gjithsesi patëm disa raste, me Hysajn, Uzunin, mund të kishim shënuar e të krijonim një diferencë.

Kur fitojmë jemi të lumtur patjetër, por nuk jam plotësisht i kënaqur. E them sepse e di që kjo skuadër mund të bëjë shumë më shumë, ka kapacitete të mëdha.

Nuk e di çfarë ndodh në këtë stadium që s’bëjmë paraqitje të mira, kemi bërë mirë në Elbasan, kurse këtu nuk bëjmë paraqitje të bukura. Fusha ka pak probleme, stadiumi është i bukur. ”- tha ndër të tjera në deklaratën e tij trajneri kuqezi, Reja.

(Descript.al)

The post Edhe pas fitores 3-1 Edy Reja i pakënaqur me ekipin, kapet edhe me fushën e ‘Air Albania-s’ appeared first on Descript.