Ballina Aktualitet Ekstremistët francezë në PE, kërkojnë pezullimin e lëvizjes së lirë të shqiptarëve...

Ekstremistët francezë në PE, kërkojnë pezullimin e lëvizjes së lirë të shqiptarëve në BE. Komisioneri Varhelyi iu “

22

Me afrimin e shtatorit janë rikthyer edhe zërat në Parlamentin Europian, që i bëjnë thirrje Komisionit Europian të shqyrtojë mundësinë e pezullimit të lëvizjes së lirë për shqiptarët, me arsyetimin e njëjtë; shqetësimi i azilkërkuesve.

Kërkesa e radhës mbërrin sërish nga grupet ekstremiste në PE.

Jordan Bardella, eurodeputet i Frontit Kombëtar i zgjedhur në Francë kërkon nga Komisioni Europian që jo vetëm të marrë në konsideratë pezullimin e lëvizjes së lirë, por të shqyrtojë të gjithë politikën e zgjerimit me Ballkanin Perëndimor.

“A nuk duhet që Komisioni të rishikojë kushtet e hyrjes në zonën e lëvizjes së lirë për shtetasit shqiptarë, nisur nga fakti që Këshilli refuzoi në tetor të 2019 që të hapë negociatat e anëtarësimit për Shqipërinë, pas vetos së Francës dhe Holandës?”, pyet Bardella.

Eurodeputeti i ekstremit francez thotë se duke marrë shkas nga lëvizjet demografike në Ballkan dhe situata e brendshme e Bashkimit Europian, Brukseli duhet të heqë dorë nga objektivi i zgjerimit me vendet e rajonit tonë.

“Situata demografike dhe ekonomike në Ballkan duhet të nxisë Komisionin që të vendosë një partneritet të ekuilibruar dhe të braktisë procedurat e anëtarësimit, që janë të pamenaxhueshme duke pasur parasysh problemet e brendshme të Bashkimit Europian”, vijon më tej eurodeputeti francez.

Komisioni ka reaguar përmes Komisionerit të Zgjerimit, Oliver Varhelyi.

Ky i fundit i kujton eurodeputetit francez se Shqipëria po vëzhgohet me kujdes nga Komisioni, përfshirë këtu edhe situatën me azilkërkuesit.

Por, Varhelyi thotë gjithashtu se për shkak të masave të marra edhe nga autoritetet shqiptare, kërkesat e pabazuara për azil të shtetasve shqiptarë në BE ranë për të katërtin vit me radhë.

“Shqipëria ka ndërmarrë disa masa për të adresuar çështjen e kërkesave të pabazuara të azilit.

Si rezultat i këtyre masave, të dhënat e Eurostat tregojnë se numri i kërkesave për azil nga shtetasit shqiptarë në zonën Shengen në 2019 ra për të katërtin vit me radhë”, deklaroi Komisioni.

Komisioneri thekson se është e nevojshme për të tjera masa në këtë drejtim, ndërsa përjashton mundësinë e heqjes dorë nga procesi i zgjerimit dhe ndryshim të qasjes së Brukselit për Shqipërinë dhe për të gjithë rajonin.

“Më 25 mars 2020, Këshilli vendosi hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë, duke vendosur disa kushte që duhen plotësuar para konferencës së parë ndërqeveritare.

Gjithashtu, Këshilli mbështeti ndryshimet në metodologjinë e zgjerimit, duke e bërë procesin më të besueshëm, më të parashikueshëm dhe subjekt të një mbikëqyrjeje të fortë politike”, vijohet më tej në deklaratën e Varhelyi.