Ballina Aktualitet Fact Checking! Si SHBA ‘heshti’ Metën, që e quajti Reformën në Drejtësi,...

Fact Checking! Si SHBA ‘heshti’ Metën, që e quajti Reformën në Drejtësi, “Ramaformë”

35

Të martën më 27 gusht, Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë, publikoi videon e radhës në kuadër të procesit informues për qytetarët shqiptarë të nisur më 22 korrik, “Çfarë është Reforma në Drejtësi”. E fundit, nga pesë videot që ka publikuar deri më tani ambasada e SHBA për Reformën në Drejtësi, ishte një video informuese për Byronë Kombëtare të Hetimit.

Ambsada sqaronte se “Byroja Kombëtare e Hetimit shkurt ‘BKH’, është njësia hetimore e SPAK (Prokurorisë Speciale anti Krimit të Organizuar dhe Korrupsioni). Sipas SHBA, Byroja Kombëtare e Hetimit, do të jetë njësi hetimore e ngjashme si FBI në Amerikë. Kjo është në mënyrë të përmbledhur, në videon shpjeguese të BKH-së që publikoi Ambasada e SHBA.

Më 20 gusht, ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, publikoi videon e katërt në radhë, ku shpjegonte funksionimin dhe rëndësinë e Strukturës së Posaçme Anti-Korrupsion dhe Anti-Krim i Organizuar, ose shkurt SPAK. Duke shpjeguar këtë strukturë, ambasada tregonte se ‘SPAK do të jetë njësia që do të hetojë krimin dhe korrupsionin e kryer nga zyrtarët e lartë”, duke shpjeguar gjithashtu se kësaj strukture nuk do t`i shpëtojë askush, përfshirë “presidentin, kryeministrin, ministra” e të tjerë zyrtarë të lartë.

Më 13 gusht, në videon e tretë në radhë, ku këtë herë në kuadër të procesit informues “Çfarë është Reforma në Drejtësi”, Ambasada e SHBA, shpjegonte Gjykatën Kushtetuese, ku ndër të tjera shkruante “Shqipëria do të ketë një Gjykatë Kushtetuese funksionale, me gjykatës të kualifikuar, të paanshëm dhe apolitikë”. Gjykata Kushtetuese, është një nga institucionet më të rëndësishme të sistemit të drejtësisë, e cila është e vetmja që ka tagrin që gjykon dhe interpreton Kushtetutën, duke u dhënë zgjidhje shumë problemeve në vendin tonë. SHBA ka qenë promovuese e fortë e krijimit të Gjykatës Kushtetuese sa më shpejt të jetë e mundur, si institucioni i vetëm legjitim që mund të gjykojë ligjshmërinë ose jo të dekreteve të Ilir Metës për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit dhe dekretimin e 13 tetorit, por edhe vetë procesin e zgjedhjeve lokale të mbajtura dy muaj më parë në vendin tonë.

Në videon e datës 6 gusht, ambasada e SHBA, njihte dhe informonte qytetarët shqiptarë për Procesin e Vettingut në sistemin e drejtësisë. Një nga proceset më të rëndësishme që deri tani ka larguar nga sistemi i drejtësisë mbi 60 gjykatës dhe prokurorë që dyshohet se kanë pasur lidhje me krimin, apo kanë pasur pasuri të pajustifikuar.

Në videon e datës 22 korrik, e para në radhë nga pesë videot e shpërndara në më shumë se një muaj nga ambasada e SHBA, ajo informonte qytetarët shqiptarë për Reformën në Drejtësi, duke shpjeguar në mënyrë të hollësishme se “çfarë është kjo reformë dhe çfarë ndikimi do të ketë ajo në jetën e shqiptarëve?”. Në këtë video tregoheshin pikërisht institucionet e reja të drejtësisë, të cilat sipas SHBA, do të bëjnë të mundur që “të gjithë të jenë të barabartë përpara ligjit”.

Po përse SHBA ka vendosur që gjatë verës të shpërndajë këto video mesazhe ku informon “çfarë është Reforma në Drejtësi?”. Pse nisi më 22 korrik dhe jo më herët shpërndarja e këtyre videove? A janë këto video një përgjigje dhe mesazh vetëm për qytetarët shqiptarë, që kërkojnë të njihen me Reformën në Drejtësi, apo ka arsye të tjera?

Realstory.al ka bërë një kontroll të fakteve, duke u munduar t`i japë përgjigje pyetjeve të mësipërme. Publikimi i videove ku shpjegohet Reforma në Drejtësi nga SHBA erdhi fill pas një serie sulmesh të Ilir Metës kundër kësaj reforme. Më 3 korrik, Ilir Meta nisi disa sulmes të paprecedenta, ku sipas tij akuzonte se qeveria po kap sistemin gjyqësor, ndërsa Reforma në Drejtësi është ‘deformuar’. Meta e quajti Reformën në Drejtësi si “Ramaformë”. Kreu i shtetit, sipas mesazheve të publikuara në llogarinë e tij në Facebook, rriti dozën e sulmeve, duke e nisur më 3 korrik me sulmin ndaj Prokurorisë së Përgjithshme, ku akuzonte qeverinë se ka ‘kapur Prokurorinë e Përgjithshme”, dhe më pas vijoi me sulmin ndaj Gjykatës Kushtetuese në 5 korrik, sulm të cilin e vijoi me një tjetër publikim në datën 16 korrik, ku shkruante ‘ja si Ramaforma e la vendin pa Gjykatë Kushtetuese’.

Brenda shkrimeve të tij të gjata, Meta akuzonte dhe ndërkombëtarët për atë që e ai e quan ‘kapje të sistemit të drejtësisë’. Por, sulmet e Ilir Metës ndaj Reformës në Drejtësi, nuk ishin thjesht sulme ndaj Kryeministrit Edi Rama. Ato, sulmet, indirekt ishin për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Partnerin Strategjik të Shqipërisë, që “Reformën në Drejtësi”, e ka një nga investimet më të rëndësishme diplomatike në vendin tonë gjatë pluralizmit politik.

Ndaj, SHBA iu përgjigj në mënyrë origjinale këtyre sulmeve, duke marrë përsipër një proces informimi ndaj qytetarëve shqiptarë, duke i shpjeguar “Reformën në Drejtësi”, që Meta e quante “Ramaformë”. Dhe pikërisht, ishte video e 22 korrikut, ku ambasada shpjegonte “çfarë është Reforma në Drejtësi?”, ajo që i mbylli gojën Ilir Metës, i cili prej atij momenti heshti dhe nuk e sulmoi më Reformën në Drejtësi. SHBA, në këtë mënyrë zgjodhi t`i jepte mesazh Ilir Metës dhe gjithë klasës politike, se s`mund të njollosin një investim të sajin në Shqipëri, siç është reforma gjyqësore.

Por jo vetëm kaq, brenda videove të publikuara nga ambasada, SHBA u ka treguar politikanëve se nuk do të jenë më të paprekshëm, ndoshta duke përfshirë dhe presidentin, pas nisjes nga funksioni të SPAK-ut. Gjithashtu, fakti që SHBA është shprehur se do të trajnojë hetuesit e BKH-së, apo fakti që po udhëheq Vettingun, tregon dhe njëherë, madje konfirmon jo vetëm se Reforma në Drejtësi është investimi më i rëndësishëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës si ‘partner strategjik’ i vendit tonë, por se nëpërmjet kësaj reforme, Shqipëria do të futet në rrugën e integrimit evropian. Pra, me video mesazhet ‘çfarë është Reforma në Drejtësi”, që nisën në 22 korrik, SHBA ndali sulmet e Metës, që e quante “Ramaformë”, investimin amerikan, por gjithashtu, po u jep dhe mesazhin politikanëve, se Shqipëria do të bëhet, duke nisur me parimin themelor të demokracisë amerikane, “përpara ligjit janë të gjithë të barabartë”. /Realstory.al/