Ballina Aktualitet “Ferma e Kafshëve” e George Orwell dhe një barcaletë me Ilir Metën...

“Ferma e Kafshëve” e George Orwell dhe një barcaletë me Ilir Metën (që me gjasë është e vërtetë)

23

Ilir Meta, në morinë e statusve të shumta që poston në rrjetet sociale, këtë të dielë është përpjekur të tregojë se ai është një njeri i lexuar, duke përmendur Bertolt Brecht dhe “Ferma e Kafshëve” e George Orwell.

“Në Ditën Europiane të Kujtimit të Viktimave të Nazizmit dhe Stalinizmit nderojmë të gjithë jetët e pafajshme të humbura nga krimet dhe terrori i dy ideologjive shkatërrimtare dhe bashkëndajmë dhimbjen me të gjithë ata që u mbijetuan burgjeve, internimeve dhe torturave çnjerëzore.

Historia rrezikon të përsëritet në forma të tjera nëse harrojmë çmimin e dhimbshëm që kemi paguar për Lirinë, Demokracinë, Të Drejtat dhe Dinjitetit Njerëzor. Një nga tiparet e regjimeve totalitare është fshirja e kujtesës historike, fillimisht nëpërmjet propagandës, e më pas edhe represionit.

Për mbi 4 dekada ne u shndërruam në Korenë e Veriut të Europës, ndaj kemi sot përgjegjësinë për të mbrojtur në çdo moment lirinë, demokracinë, pluralizmin e paqen sociale, që nuk na janë dhënë njëherë e përgjithmonë. “Arturo Ui” i Bertolt Brecht dhe “Ferma e Kafshëve” e George Orwell, dy alegoritë më të jashtëzakonshme të Nazizmit dhe Stalinizmit, i kanë dhënë mbarë njerëzimit mesazhe të vlefshme në çdo kohë dhe tepër paralajmëruese.

Dy kryeveprat botërore na mësojnë se kur shoqëria është neglizhente në mbrojtjen e Lirisë dhe Demokracisë, përherë do të shfaqet një gangster ambicioz si Arturo Ui, që i rrethuar nga servilë të paskrupullt, dallkaukë dhe kriminelë, ngjitet në pushtet, duke shantazhuar kundërshtarët e asgjesuar opozitën, pasi merr nën kontroll gjykatat dhe i mbyll gojën shtypit.

Apo ashtu si në Fermën e Orwellit, kafshët e shtypura pasi rebelohen për liri e barazi, befas një elitë dinake e udhëhequr prej derrave me parimin se “të gjithë janë të barabartë, por disa janë edhe më të barabartë se të tjerët” merr kontrollin e pushtetit dhe një tirani zëvendësohet me një tjetër.

Të mos harrojmë kurrë tragjeditë e së shkuarës dhe duke bashkuar të gjitha forcat të bëjmë më të mirën që çdo shqiptar të gëzojë jetën, lumturinë, të drejtat, liritë dhe të ardhmen e tij të sigurtë europiane në Shqipëri dhe jo si emigrant në vende të tjera”, shkruan Meta, statuset e të cilit janë të gjitha simbolika kundër Edi Ramës.

Interesant është fakti që Ilir Meta përpiqet të shfaqet si një njeri i lexuar, kur ata që e njohin, e dinë që atë e “zë” libri.

Madje, në ambientet politike në Tiranë, ka edhe një baracaletë për të, që tregon sa i “lexuar” është.

Kur ishte kryeministër dhe nëpër zyrat e shtetit kishte pak, ose aspak kompjutera, të cilët shiheshin si “objekte të huaja”, sekretarja e Ilir Metës, e njofton atë se i kishte ardhur një email.

Dhe Meta, pa u menduar gjatë, i thotë:

-Le të hyjë brenda!

-Më fal, i thotë sekretarja, po ka ardhur në kompjuter!

Tani nuk dihet sa e vërtetë është kjo barcaletë, por duke e njohur Metën, gjasat janë shumë të mëdha që të kjo të jetë një ngjarje e vërtetë.

(TemA)