Ballina Aktualitet Gazetari shqiptar: 25 ditë pas tamponit s’kam marrë akoma përgjigje zyrtare

Gazetari shqiptar: 25 ditë pas tamponit s’kam marrë akoma përgjigje zyrtare

19

Gazetari Renaldo Salianji ka treguar ditët e vështira që kaloi pas infektimit me COVID-19. Në një rrëfim për Euronews Albania, ai u shpreh se mendon se virusin e ka marrë në Ballsh, gjatë protestës së naftëtarëve.

“Unë kam pasur kontakt me një person të infektuar. Kam qenë gjatë grevës së urisë së naftëtarëve në Ballsh dhe njëri prej tyre ishte i infektuar me COVID-19.

Unë kam pasur kontakte të afërta me zotin Sokol Dautaj. Pasi mora vesh që ishte i infektuar me COVID-19 vendosa të karantinohem dhe dy ditë më pas mu shfaqën simptomat.

Kam marrë në telefon 127 për të kërkuar informacion, sesi është procedura e bërjes së tamponit dhe më pas më këshilluan se duhet të referoja tek mjeku i familjes.

Por unë mjekun e familjes e kam në Korçë. Mjeku i familjes nuk mund ta referonte në Drejtorinë Shëndetit Publik në kryeqytet dhe pati një procedurë shumë të gjatë deri në marrjen e tamponit”, tregoi ai.

Gazetari është shprehur më tej se rreth 4 ditë ka pasur temperaturë deri në 39 gradë dhe se përgjigjen e tamponit e ka marrë 10 ditë me vonesë, në rrugë jo-zyrtare.

“Jam këshilluar me mjekë të tjerë që i kam njohur, edhe jashtë Shqipërie, kanë qenë kontakte personale.

Fillimisht kanë qenë simptoma të lehta, ka qenë dhimbja e kokës për disa ditë dhe më pas filloi temperatura që 3-4 ditë ishte deri në 39 gradë celcius dhe më pas kolla dhe simptomat, dhimbja e trupit, mungesa e oreksit.

Unë nuk kam marrë antibiotik gjatë kësaj periudhe sepse përgjigja e tamponit më ka ardhur me 10 ditë vonesë”, ta ai.

“Kanë qenë mjekët që më rekomanduan mos përdorja antibiotik deri në marrjen e përgjigjes, pasi mund të ishte edhe një grip i thjeshtë dhe jo COVID.

Në momentin qw mua më erdhi përgjigjja e tamponit, simptomat e rënda kishin kaluar dhe mjekët vendosën që të mos trajtohesha me antibiotik, por vetëm me suplemente, vitamina dhe një shurup dhe disa kokrra për kollën”, tha ai më tej.

Gazetari sqaroi se përgjigjen e tamponit e ka marrë nga një mikeshë e tij që punon në ISHP, nëpërmjet një mesazhi në whats up, por jo zyrtarisht edhe pse kanë kaluar 25 ditë.

“Zyrtarisht përgjigjen e tamponit nuk e kam marrë akoma megjithëse e kanë kaluar 25 ditë nga bërja e tamponit. Përgjigjen ma ka dhënë një e njohura ime në whats up që punon në ISHP”, përfundoi gazetari.