Ballina Aktualitet Hajnaj takon prokurorët e SPAK, në prani të amerikanëve nisin diskutimet për...

Hajnaj takon prokurorët e SPAK, në prani të amerikanëve nisin diskutimet për dosjet e bujshme, javën e ardhshme fillon pë

28

Një ditë pas marrjes së detyrës, kryetarja e Byrosë Kombëtare të Hetimit Aida Hajnaj është vënë në lëvizje. Lëvizja e parë e saj ka qenë një takim me kreun dhe prokurorët e Strukturës së Posaçme për luftën ndaj korrupsioni, krimit të organizuar dhe ngritjes së Byrosë së Hetimit.

Takimi u zhvillua në prani të përfaqësuesve të ambasadës amerikane, çka tregon se lufta antikorrupsion do drejtohet nga Uashingtoni. Sipas informacioneve, fokusi kryesor i bisedës ka qenë bashkëpunimi BKH-SPAK, hapja e garës për 60 hetues si dhe hetimi i dosjeve të bujshme.

Por tashmë pritet që javën e ardhshme të hapet gara edhe për 60 hetuesit që do të jenë pjesë e FBI-së shqiptare. Edhe përzgjedhja e hetuesve do të jetë e monitoruar nga EURALIUS dhe OPDAT. Në ligjin për “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar”, në nenin 38 jepen detajet se si bëhet përzgjedhja e hetuesve.

Sipas ligjit, kryetarja e BKH ka të drejtë për të hartuar një rregullore për mënyrën se si do të përzgjidhen dhe më pas shpall përmes një platforme online njoftimin për pranimet në Byronë Kombëtare të Hetimit. Do përzgjidhen për në fazën tjetër kandidatët që plotësojnë kriteret e përgjithshme, konkretisht ata që kanë arsim të lartë policor, arsim të lartë në drejtësi, në kontabilitet apo në një fushë tjetër, që ka të bëjë me investigimin dhe që kanë përvojë më shumë se një vit punë në institucionet e zbatimit të ligjit ose në një fushë tjetër që lidhet me qëllimin e Byrosë.

Kandidatët që do përzgjidhen në fazën e dytë do t’u nënshtrohen disa testeve dhe verifikimeve, duke përfshirë provimi me shkrim e me gojë për sjelljen dhe arsyetimin logjik, provim të zgjeruar me shkrim që mat aftësitë e shkrimit të raporteve, si dhe nivelin e shkrimit e leximit, intervistë më gojë që mat aftësitë e komunikimit verbal, testim të aftësive fizike, verifikim të figurës dhe test të poligrafit ose të makinës të së vërtetës.

Kandidatët që kalojnë këtë fazë, do t’i nënshtrohen një kursi trajnimi dhe arsimi të rreptë. Ata që kalojnë këtë trajnim do të emërohen hetues nga Aida Hajnaj, me pëlqim e kreut të SPAK, Arben Kraja. Në vijim, Hajnaj ose Kraja do caktojnë një hetues pranë çdo prokurori të SPAK-ut.

SHBA mbështet ngritjen e BKH

Por ngritja e Byrosë Kombëtare të Hetimit është mbështetur fuqishëm që në momentin e parë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Përfaqësues të ambasadës amerikane kanë qenë të pranishëm që në momentin që u hap gara për BKH, duke monitoruar hap pas hapi çdo proces. Pak ditë më parë kur Aida Hajnaj mori frenat e BKH, SHBA u shpreh se rezultatet e reformës në drejtësi do të japin rezultate pozitive së shpejti.

“Urojmë Shqipërinë për emërimin e Aida Hajnaj si Drejtoreshën e parë të Byrosë Kombëtare të Hetimit. Kjo është një piketë historike në zbatimin e Reformës në Drejtësi. Reforma në Drejtësi nuk do të jetë e lehtë, e shpejtë apo e përsosur, por është e nevojshme, po ecën përpara dhe duhet të vazhdojë. Vendimet tregojnë se pavarësisht pengesave, reforma në drejtësi po bëhet realitet.

Me emërimin e Drejtores së re të BKH-së, të gjitha institucionet e parashikuara nga Reforma në Drejtësi tashmë janë ngritur. Ashtu si u përcaktua në ligjet e miratuara në vitin 2016, u themeluan Këshilli i Lartë i Prokurorisë dhe Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Të dyja institucionet që përbëjnë SPAK – Zyra e Prokurorisë së Posaçme dhe BKH – tashmë janë themeluar. Rezultatet do të mbërrijnë, ngadalë por është e sigurt. BKH do të trajnohet nga FBI-ja amerikane dhe tani do të fillojë rekrutimin e hetuesve të nevojshëm për të siguruar suksesin e SPAK”, tha ambasada e SHBA.