Ballina Aktualitet Historia e pabesueshme e grabitqarit të Londrës, fshatarit nga Gjormi i Vlorës...

Historia e pabesueshme e grabitqarit të Londrës, fshatarit nga Gjormi i Vlorës që arriti t’iu vidhe 10 mln paund VIP-ave b

31

Top Story ka udhëtuar drejt Londrës, kryeqytetin e Britanisë së Madhe, për të sjellë ekskluzivisht dhe për herë të parë me detaje e dëshmi, historinë e Astrit Kapaj… një prej hajdutëve më të jashtëzakonshëm në historinë e këtij vendi që arriti të vjedhë për 10 vite me radhë dhe i patrazuar rreth 10 milionë paund.

Viktimat nuk ishin britanikë të zakonshëm, por personazhe VIP të sportit, si tenisti Boris Becker dhe futbollisti i famshëm Nicolas Anelka.
Edhe pse ishte ekspert në përzgjedhjen e objektivave të tij, këtë hajdut shpesh e ndihmonte fakti që shumë prej pronarëve të shtëpive i linin dyert apo dritaret hapur.

Kur pamjet e tij të fiksuara nga kamerat e sigurisë të disa prej shtëpive në Uimbledon u bënë publike në 2016-ën, rreth 30 oficerë policie u vunë në ndjekje të tij.
Ky do të ishte një tjetër operacion jo i suksesshëm për të kapur hajdutin Astrit Kapajn.

“Në Britani themi që ishte një grabitës profesionist. Në kuptimin që taktikat dhe aftësitë e tij ishin shumë të mira, por s’është diçka për t’u lëvduar. Ai ishte i kujdesshëm që të mos linte gjurmë, që nga shenjat e gishtave e deri te ADN-ja. Fytyrën e kishte të maskuar. Kishte një kapuç. Ishte i zoti për të hyrë nëpër prona dhe për të dalë pa lënë prova, ose fare”, tha Stehhen Wright, gazetar i “Daily Mail”.

Sendet me vlerë dhe ora Rolex, objektet që grabiste në Londër Kapaj

Për policinë angleze ky njeri konsiderohej si një hajdut kalibri dhe autoritetet dyshonin se kishte arritur të vidhte në këtë lagje ekskluzive të Londrës para dhe sende me një vlerë totale prej rreth 10 milion paund.

Por grabitqari nuk vidhte sende apo objekte dosido. Trofeu i tij më i madh në një vjedhje ishte një orë Rolex Submariner i vitit 1955 me një vlerë 500 mijë paund.

“Di që ka vjedhur ora “Roleks”, varëse floriri, para të thata. Por donte vetëm gjërat më të mira.Perlat i linte. Donte vetëm floririn dhe gurët e çmuar”, tha Laurie Porter, Kordinatore e komunitetit, Wimbledon.

“Por na kishin ftuar te një darkë në Londër. Mendova që ishte bukur të vendosja vathët me diamante dhe smerald. Aty e zbulova që ishin zhdukur”, tha denoncuesja.

Jeta e dyfishtë e Astrit Kapajt, nga njëra anë grabiste dhe nga ana tjetër nuk shpenzonte para

Ndërkohë në Gjorm, jo vetëm banorët e fshatit, por as vëllai i tij Nexhipi nuk kishte kuptuar asgjë nga jeta e dyfishtë e Astrit Kapaj edhe pse ai kishte bërë namin me vjedhje, prej gati një dekade.

“U trondita…jo jo kurrë s’më shkonte ndërmend. Nuk kam kuptuar gjë të vëllai, absolutisht .m Astriti këtu nuk ka asnjë lloj pasurie”, thotë i vëllai

Duket se Astrit Kapaj, veç profesionalizmit të jashtëzakonshëm si hajdut që tregonte kur hynte në shtëpitë që vidhte në Ëimbledon, tregohej po aq i kujdesshëm për të mos rënë në sy, sa herë kthehej në atdhe.

Ndryshe nga sa bëjnë shumë prej atyre që sigurojnë fitime marramendëse jashtë Shqipërisë, përmes drogës apo aktiviteteve të tjera kriminale, Astriti nuk binte në sy me veshje apo makina luksoze.

Familja e Astrit Kapajt jeton në varfëri

Në fakt familja Kapaj njihet nga i gjithë fshati Gjorm, edhe përpara se Astriti të arrestohej në Londër. Jo vetëm si familja e një ish të persekutuari, por edhe për faktin se ishin shumë të varfër.

Kjo grua e moshuar, fqinje e tyre prej dekadash, nuk i fsheh dot lotët ndërsa tregon skamjen në të cilën janë rritur Astriti dhe vëllezërit e motrat e tij.

“Ka qenë familje e nderuar në punë dhe në hall të tyre, këta janë rritur që ne qanim me lot kur shkonim, u rritën me gaze psi hallet tona, por këta nuk janë marrë më asgjë”, Lumturi Glluçaj, fqinje e familjes Kapaj.

“Janë rritur shumë keq, i ati ka vuajtur shumë i ka rritur me gazep”, thotë një tjetër fqinj i tyre.

Nexhipi, vëllai i madh i Astrit Kapaj ka në pronësi edhe një dyqan të vogël në fshat, të ngritur në tokën e trashëguar nga babai i tyre. Me shumë mund ai ka ndërtuar ndër vite këtë shtëpi, ku më së shumti rri nëna e tij, e që në fakt u pasqyrua në mënyrë jo të saktë nga mediat britanike si shtëpia ku është rritur Astrit Kapaj.

Fshatari nga Gjormi nuk binte në sy për grabitjet e kryera

Top Story udhëtoi drejt Gjormit, rreth 33 km larg Vlorës, në fshatin dikur të famshëm për betejën kundër italianëve gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Mbi 40 min larg qytetit, rrethuar nga malet dhe thuajse i shkretuar prej emigracionit, Gjormi është bërë fshati më i përmendur shqiptar në 6 muajt e fundit nga mediat britanike.

Dhe e gjithë kjo falë historisë së Astrit Kapaj. Familjen e tij e njohin të gjithë në këtë fshat. I vëllai, Nexhip Kapaj njihet nga banorët pasi transporton mësuesit e fshatit me furgon nga Vlora deri këtu dhe anasjelltas.

Astrit Kapaj është fëmija i 5-të dhe më i vogli i Elmas dhe Shegë Kapaj. Kjo që shihni është pikërisht shtëpia tashmë thuajse e dëmtuar ku lindën dhe u rritën të 5 fëmijët.

“Baban e morën dhe e futen në burg, 5 vite për kriminel lufte. Dhe herën e dytë 15 vite për propagandë. Jam vëllai I madh dhe I kam rritur të gjithë”, – tregon Nexhip Kapaj, vëllai i Astrit Kapaj

Por ndërsa i vëllai kërkohej prej vitesh nga autoritetet britanike si një nga hajdutët më të pakapshëm që kishte hyrë i padëshiruar në shtëpitë e pasanikëve në Uimbledon, familjarët e tij as nuk e kishin idenë se Astrit Kapaj kishte një jetë të dyfishtë.

“Punoj thoshte edhe unë kënaqesha kur thoshte punoj dhe jam mirë, iher në dy vite vinte”, tha Nexhip Kapaj, vëllai i Astrit Kapaj.

Gjormi u vizitua nga gazetarë britanikë, për të shkruar rreth të kaluarës së grabitqarit

Pas arrestimit të tij, shumë gazetarë anglezë erdhën në Gjorm, jo vetëm për të mësuar mbi jetën e “grabitqarit të Wimbledonit” por edhe për të parë nëse kishte shenja që paratë e vjedhjeve të kishin mbërritur tek të afërmit e tij në Shqipëri.

“Fola me vëllain e tij. Mesa pashë, ishte një njeri shumë i rregullt. Nuk kishte asnjë dijeni për krimet. Nuk ishte krenar që i vëllai kishte kryer këto shkelje.

Besoj se kishte një farë turpi nga familja e tij. Një nga gjërat që më interesonte mua, ishte nëse kishte përdorur paratë e vjedhura në Londër për të ndërtuar prona ose për të pastruar paratë në Shqipëri. Nuk kishte prova që mund të ta vërtetonin këtë”, tha Stephan Wright, Gazetar “Daily Mail”