Ballina Aktualitet Ilir Meta bllokon rrugën e Skraparit, vë “veton” për guroret e Malit...

Ilir Meta bllokon rrugën e Skraparit, vë “veton” për guroret e Malit të Tomorrit

36

Ka një muaj që kompanitë e guroreve dhe mermerit që shfrytëzojnë pa kriter Malin e Tomorrit, janë në përplasje me policinë, e cila ka bllokuar shkatërrimin e mëtejshëm të Parkut Kombëtar. Këto biznese, mes të cilave dhe ato të presidentit aktual Ilir Meta dhe bashkëshortes së tij, kryetare e LSI Monika Kryemadhi, të “armatosura” me vendimin e Gjykatës Administrative kërkojnë me insistim fillimin e punës për shfrytëzimin e kësaj zone të mbrojtur.

Qeveria e Ramës, e vënë nën presionin e fortë të banorëve të kësaj zone, vendosi bllokimin e punës së biznesit të guroreve, inerteve dhe mermerit në Parkun Kombëtar të Malit të Tomorrit.

Pikërisht një vendim i tillë solli acarimin e kompanive të Metës dhe të bizneseve të tjera, pasi humbja nga pezullimi i punës deri në mbyllje e plotë të saj, është në vlerën e miliona eurove.

Asnjë presion i deritanishëm i Metës dhe mbështetësve të tij në atë zonë nuk ka dhënë rezultat, pasi Rama është në kushtet e një pamundësie totale për të arritur një pazar, sepse del ‘zbuluar’ përballë vetë vendimit të qeverisë, të cilin do të detyrohej ta zhbënte.

Për këtë arsye, Meta dhe Monika kanë nxjerrë kompanitë e tyre për të bllokuar rrugën, duke i vënë banorët dhe udhëtarët përballë bllokimit të lëvizjes me makina në këtë aks rrugor.

Kompanitë e nxjerrjes së gurit dekorativ, përfshirë dhe mermerin, në malin e Tomorrit janë nisur me kamiona në drejtim të fshatit Novaj, për të filluar punën, por janë bllokuar sërish nga policia, pas vendimit të Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, për bllokimin e guroreve.

Kjo ka bërë që ata t’i lënë të gjithë kamionët në rrugë dhe të bllokojnë aksin nacional Poliçan-Skrapar, ku është paralizuar totalisht qarkullimi nga të dyja krahët, duke krijuar radhë të gjata të automjeteve dhe stres për qytetarët në këtë vapë gushti.

Ata kanë deklaruar se rruga nuk do të hapet më, deri në marrjen e përgjigjes përfundimtare me shkrim nga policia për arsyen e bllokimit me forca të shumta policie e FNSH, që kanë më shumë se një muaj në mal që janë pozicionuar për të penguar fillimin e punës së firmave të nxjerjes së gurit dekorativ.

Madje këto kompani kanë kërcënuar se nuk do të lejojnë asnjë autoambulancë të kalojë për t’i shërbyer banorëve të zonës, duke e komplikuar dhe bërë akoma më serioze situatën.

Kompanitë e shfrytëzimit të Malit të Tomorrit për gurë dekorativë shprehen të vendosura për të mos u larguar, duke pritur arritjen e një marrëveshjeje me qeverinë, me qëllim fillimin e punës.

“Baba Likja” është i vendosur për ta shfrytëzuar deri në fund “Baba Tomorrin” duke vënë “veton” për bllokimin e rrugës së Skraparit, njëlloj sikurse ka vënë “veton” dhe për 13 tetorin, datë të cilën e ka dekretuar për zgjedhjet vendore. Meta e ka treguar se nuk lëviz pa arritur pazar./Pamfleti