Ballina Aktualitet Ja pse Athina e hapi tani çështjen e kufirit, Berisha e shiti...

Ja pse Athina e hapi tani çështjen e kufirit, Berisha e shiti detin sepse mbahet peng nga grekët, i shpëtoi burgut falë ben

25

Ish-kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror, Fatos Klosi shprehet i bindur se marrëveshja antikombëtare e Berishës në vitin 2009 për detin me Greqinë nuk ka për të ndodhur dhe për t’u përsëritur në asnjë lloj rrethane nga qeveria “Rama”.

Prej disa ditësh vendi jonë është përfshirë nga një debat i zjarrtë, ku mazhoranca dhe opozita joparlamentare janë përplasur shumë fort me njëra-tjetrën mbi deletimimin e kufirit detar me Greqinë. Por një koment për këtë çështje e ka dhënë edhe ish-kreu i SHISH, Fatos Klosi.

Ky i fundit gjatë një interviste për gazetën “SOT”, zbuloi arsyet se përse Athina zyrtare e drejtuar nga kryeministri Kyriakos Micotaqis lajmëroi zgjerimin e kufijve me 12 milje në detin Jon. Sipas tij, në kushtet kur Greqia po përplaset me Turqinë, ka hedhur sytë nga Shqipëria për të zgjeruar territorin e saj detar. Duke komentuar qasjen e Partisë Demokratike, e cila në vitin 2009 kur u arrit marrëveshja me Greqinë dhe që u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese ishte në qeveri, ish-kreu i SHISH akuzoi ish-kryeministrin Sali Berisha se ai e shiti me vetëdije detin, për shkak se ai është peng i grekëve.

Sipas tij, Berisha dhe Basha sot duhet të ishin në burg për këtë tradhti kombëtarë, por ata ja hodhën paq falë ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla që ishte vegël e tyre në krye të institucionit të akuzës. Ndërkohë zoti Klosi theksoi se dy personat që nuk duhet të flasin dhe reagojnë për këtë çështje janë binomi Berisha-Basha.

-Zoti Klosi, debati për kufirin detar është rikthyer. Greqia në kulmin e debateve me Turqinë ka kërkuar që të mbyllë paktin dhe me vendin tonë. Si i shihni sjelljet e saj?

Greqia po bën punën e saj në këtë mesele. Nuk shoh ndonjë gjë të çuditshme në këtë punë. Greqia është duke kërkuar që të mbyllë dhe të çojë përpara marrëveshjen e detit me Shqipërinë. Pra, është punë e saj dhe kështu e konsideron Greqia këtë çështje. Por gjithë problemi është i joni, se çfarë do të bëjmë lidhur me marrëveshjen e detit me palën greke. Ne si Shqipëri duhet të jemi të kujdesshëm që të mos përsërisim gabimet e së shkuarës ose më saktë gabimet e Saliut me paktin e 2009-ës. Greqia kërkon zgjerimin e kufirit detar në 12 milje nga bregu dhe ne duhet të jemi të kujdesshëm, pasi territoret që kemi afër me Greqinë duhet parë se kush është breg.

Pra, janë ishujt e vegjël që Greqia do t’i përdorë si koordinata breg apo jo? Kjo pasi Greqia mund të përdorë si argument një nga këta ishujt si breg, kur ata nuk janë të tillë. Se ishull është edhe Korfuzi. Kështu që nga kjo pikëpamje duhet të jemi tepër të kujdesshëm për këtë gjë dhe nuk duhet të lejojmë që të na bëjë “gol” Greqia, duke përdorur manovra të kësaj natyre. Me pak fjalë ekspertët tanë duhet të jenë vigjilentë dhe të kujdesshëm. Kaq e thjeshtë është kjo punë!

-Pak ditë më parë kryeministri grek, Kyriakos Micotaqis lajmëroi zgjerimin e kufijve me 12 milje në detin Jon. Kjo deklaratë është bërë gjatë dorëzimit në Parlament të dy marrëveshjeve të detit me Egjiptin dhe Italinë. Mirëpo kjo deklaratë është marrë si e vërtetë nga opozita e drejtuar nga PD-LSI. Keni një koment?

Duhet të kuptoni se kryeministri grek është përballë një presioni të madh. Nga njëra anë tensionet me Turqinë dhe nga ana tjetër presioni i brendshëm. Kështu që po përdor deklarata të kësaj natyre për të dalë nga situata.

-Sa e lehtë do të jetë gjetja e një marrëveshje?

Nuk e di! Kjo pasi është një problem i madh dhe këtu varet se sa do t’i mbrojmë ne si palë shqiptare të drejtat tona. Ne nuk duhet të hapim rrugë në këtë çështje, por duhet të dialogojmë dhe e ripërsëris që nga kjo marrëveshje të fitojnë shqiptarët, pasi qeveritë shkojnë e vijnë.

-A ka gjasa të ripërsëritet skenari i 2009, ku grekët ishin ata që përfituan? Apo ishte Berisha me Bashën që shitën territorin?

Zero shanse ka që të përsëritet skenari i 2009-ës, ku grekët përfituan teorikisht, pasi marrëveshja u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese. Marrëveshja e 2009 u anulua dhe nga kjo fituan shqiptarët dhe Shqipëria. Ndërkohë edhe kryeministri Edi Rama ka dhënë garanci që nuk do të bëjmë gabime dhe se çdo gjë do të jetë në dobi të qytetarëve shqiptarë dhe Shqipërisë. Sa i takon pyetje se a ishte ish-kryeministri Sali Berisha me Lulzim Bashën që shitën territorin, dua të theksoj po.

Unë e kam thënë edhe më parë që këta dy persona e shitën detin tek Greqia dhe qysh atëherë prokuroria duhet të vihej në lëvizje për të zbardhur këtë mega skandal. Por në krye të Prokurorisë së Përgjithshme, Berisha vuri një “gomar” si Adriatik Llalla, i cili ishte një shërbëtor dhe benjamin i tij. Ish-kryeprokurori Llalla nuk guxonte të bënte gjë pa marrë miratimin e Saliut! Kështu që ish-kryeministri Sali Berisha dhe ish-ministri i Jashtëm, Lulzim Basha ja hodhën paq.

Por përfitoj nga rasti dhe theksoj se edhe kjo dosje duhet të rihapet dhe zbardhet nga drejtësia e re, në mënyrë që qytetarët shqiptarë ta mësojnë të vërtetën dhe ta dinë kush e firmosi atë pakt të shëmtuar! Nga ana tjetër dua të theksoj se problem tani është, se nëse do të kemi një marrëveshje të re me Greqinë, ne si Shqipëri duhet të jemi të kujdesshëm. Ndërkohë zhurma që po bëhet për këtë punë dhe sidomos nga opozita e Partisë Demokratike është komplet false dhe është e tepërt për mua. Kjo e fundit po ta vini re është e vakët në deklarata, duke qenë se është ajo që e shiti detin kur ishte në pushtet dhe po përdor situatën për kredo politike. Domethënë e dëgjoj kryeministrin Rama që nuk ka asnjë marrëveshje dhe po bëni zhurmë kot. Greqia kërkon që ta shtyjë kufirin detar me Shqipërinë 12 milje nga bregu!

Ky është problem i saj që ja lejon konventa ndërkombëtare. Marrëveshje deti me Greqinë aktualisht nuk ka dhe Edi ka dhënë garanci që nuk do të pranojë një marrëveshje si e Saliut. Kështu që, duke qenë se Greqia ka shtuar oreksin për 12 milje, ne siç e theksova duhet të jemi të kujdesshëm dhe të mos lejojmë që Greqia si pikë të marrë një shkëmb që 6 muaj rri në ujë dhe 6 muaj del 1 metër mbi ujë, apo edhe zona të pabanuara.

Problemet më të mëdha Greqia i ka me Turqinë, jo me ne. Greqia si nuk po ia del dot me Turqinë kërkon që të shfrytëzojë situatën në favor të saj, duke përdorur Shqipërinë. Por duke parë deklaratën e Edit, besoj se edhe ne (pala shqiptare) do të jemi stoikë dhe të kujdesshëm në këtë çështje.

-Pra ju po thoni që Partia Demokratike dhe opozita në tërësi po e shfrytëzon situatën?

Po! Partia Demokratike dhe kreu i saj, Lulzim Basha mezi presin të gjejnë një argument që të nisin sulmet ndaj qeverisë. Edhe pse siç e thashë më lart, deklaratat e lëshuara nga selia blu, janë konfuze dhe kontradiktore, madje të vakëta. PD-ja këtë zakon ka dhe nuk e kuptoj pse çuditesh edhe ti. Ata janë fajtorë në këtë çështje, pasi nëse nuk do të ishin të përlyer do të thërrisnin popullin në protesta anti-qeveritare. Turp që Lulzim Basha që e shiti detin në 2009, bën patriotin sot dhe e mbron me forcë këtë çështje që nuk ekziston.

-Po deklarata e ish-kryeministri Sali Berisha që reagoi për çështjen e detit si ju dukën?

Saliu nuk është fare i ndershëm dhe është i vetmi që nuk duhet të flasë. Ish-kryeministri Sali Berisha duhet t’i vendosë tutkall gojës dhe më e pakta që duhet të bëjë është të heshtë, pasandaj t’iu kërkojë falje qytetarëve shqiptarë për tentativën e dështuar të shitjes së detit në vitin 2009. Berisha ka lidhje të forta me Greqinë dhe Serbinë. Diku Greqia e mban peng atë dhe ai iu premtoi në këmbim shitjen e detit.

Deklarata e tij ishte e sforcuar dhe Saliun e bren ndërgjegjja prandaj dhe del, pavarësisht se nuk është burrë dhe nuk kërkon falje. Saliun gjithmonë kur ka qenë në siklet e kanë shpëtuar grekët. Kështu që është e turpshme që Sali Berisha dhe Lulzim Basha thonë që atë tradhti që e kanë bërë vetë në 2009 e ka bërë edhe kryeministri Edi Rama, ndërkohë që ky i fundit thotë që nuk ka asnjë marrëveshje. Pra, po bëhet një lojë e turpshme politike për këtë çështje.

-A do e gjejnë gjuhën e përbashkët kryeministri Edi Rama dhe presidenti Ilir Meta për këtë çështje duke qenë se autorizimin e jep presidenti?

Do ta gjejnë besoj! Por nëse nuk e gjejnë për këtë çështje, gabim do të bëjnë, si Edi ashtu edhe Iliri. Për këtë çështje të gjithë duhet të jemi të bashkuar, politika po dhe po.

-A rrezikohet që të kemi tensione Shqipëri-Greqi?

Jo nuk besoj se do të kemi përplasje diplomatike me Greqinë. Nuk kanë interes që dy vendet të rrisin tensionet dhe përplasjet diplomatike, pasi si ne edhe ata nuk kemi interes.