Ballina Aktualitet Këshilli i BE gati kornizën negociuese: Gjermania me sytë nga SPAK për...

Këshilli i BE gati kornizën negociuese: Gjermania me sytë nga SPAK për arrestime të bujshme dhe politika për të përmbush

22

Këshilli i Bashkimit Europian shumë shpejt pritet që të ketë gati kornizën negociuese për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Për Shqipërinë, Bashkimi Europian ka vendosur një sërë kushtesh për të hapur negociatat, ku mes të cilave ishte ngritja e Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese, por edhe hetimi dhe lufta kundër korrupsionit në nivele të larta dhe krimit të organizuar. Kështu, Gjermania i ka kthyer sytë nga Struktura e Posaçme Antikorrupsion dhe politika shqiptare për të parë se sa do të përmbushen kushtet që janë vendosur.

Fillimisht vendet e unionit duhet të miratojnë kornizat e negociatave e më pas Presidenca e radhës e Këshillit të Bashkimit Europian do të paraqesë pozicionin e dakordësuar të Bashkimit Europian, në konferencën e parë ndërqeveritare me secilin vend, e cila do të shënjojë dhe fillimin zyrtar të negociatave të anëtarësimit. Por në një reagim për mediat maqedonase, përfaqësues nga Këshilli i Bashkimit Europian u shprehën se korniza negociuese për këto dy vende po përpunohet në nivel ekspertësh.

“Propozim- korniza negociuese për Shqipërinë dhe Republikën e Maqedonisë së Veriut aktualisht po përpunohet në nivel ekspertësh në Këshill. Presidenca gjermane parimisht ka përcaktuar të dyja, si kornizën negociuese ashtu edhe aranzhimin për negociatat për anëtarësim në agjendën e Këshillit të Përgjithshëm në vjeshtë”, thonë nga Këshilli i Bashkimit Europian.

Qëndrimi i gjermanëve

Pak javë më parë, kancelarja gjermane Angela Merkel shpalosi para eurodeputetëve në PE prioritetet e presidencës 6-mujore gjermane të Bashkimit Europian. Merkel sa i përket objektivave për zgjerimin e BE ka përmendur vetëm Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, teksa ka premtuar që Gjermania do të bëjë gjithçka për të filluar konferencat e çeljes së negociatave.

Por Merkel tha se konferenca ndërqeveritare do të mblidhet të paktën për Maqedoninë e Veriut, kurse për Shqipërinë gjithçka do varet nga reformat. Gjermania ka kërkuar arrestime të bujshme dhe kjo është në dorë të SPAK. Nga ana tjetër kërkohet konsensus politik dhe përfundimi i reformës zgjedhore.

“Ne synojmë të arrijmë progres në tre fusha të politikës së jashtme; dhe fillimisht me një konferencë anëtarësimi të paktën me Maqedoninë e Veriut, mbase edhe me Shqipërinë t’u japim shteteve të Ballkanit Perëndimor një perspektive anëtarësimi”, u shpreh pak ditë më parë kancelaria gjermane Angela Merkel gjatë fjalës së saj.

Maqedonia e Veriut formalisht i ka të hapura negociatat pa kushte, ndërkohë Shqipëria ka 15 kushte në total dhe që të ulet në Konferencën e parë ndërqeveritare me Bashkimin Europian duhet të plotësojë disa prej tyre. Merkel ishte një nga iniciatorët që në tetor të vitit të kaluar që të hapeshin negociatat me Shqipërinë dhe Bundestagu miratoi rezolutën me 9 kushte, kurse në mars Këshilli Europian i çoi në 15.

Shtetet anëtare kanë marrë dhe një përditësim të ecurisë që Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë realizuar nga muaji mars kur u mor vendimi në favor të hapjes së bisedimeve.