Ballina Bota Komplikohet situata në SHBA, Prokuroi i Përgjithshëm autorizon hetime për manipulim votash,...

Komplikohet situata në SHBA, Prokuroi i Përgjithshëm autorizon hetime për manipulim votash, Biden ende në pritje

30

Edhe pse kandidati demokrat në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Joe Biden ka fituar tashmë prej ditësh votat e nevojshme që të shpallet presidenti i ardhshëm, presidenti aktual Donald Trump refuzon të pranojë rezultatin madje ka ngritur edhe akuza për manipulim të procesit.

Edhe pse tashmë supozohej që dalëngadalë të fillonin përgatitjet për kalimin e pushtetit, gjë që pritet të ndodhë në janar. Prokurori i Përgjithshëm në SHBA, William Barr, autorizon Departamentin e Drejtësisë të nisë hetimet mbi pretendimet e presidentit Donald Trump për parregullsi në zgjedhjet presidenciale të 3 nëntorit.

Në memon dërguar vartësve të tij, Barri shkruan ndër të tjera: “Javën e kaluar, kombi ynë demonstroi edhe një herë forcën e demokracisë sonë ndërsa më shumë se 140 milionë amerikanë hodhën vota për të zgjedhur udhëheqësit e tyre. Unë dua të falënderoj secilin prej jush dhe ekipet tuaja për përpjekjet tuaja të jashtëzakonshme për të siguruar që të gjithë amerikanët të mund të ushtrojnë këtë më themelore të të drejtave me besim dhe siguri.

Tani që votimi ka përfunduar, është e domosdoshme që populli amerikan të besojë se zgjedhjet tona janë kryer në një mënyrë të tillë që rezultatet të pasqyrojnë me saktësi vullnetin e votuesve. Unë ju autorizoj të ndiqni akuzat thelbësore të parregullsive të votimit dhe tabelave të votave përpara certifikimit të zgjedhjeve në juridiksionet tuaja në raste të caktuara”.

Nuk ka tranzicion

Ndërkohë, administrata e Trump, kundër asaj se çfarë duhej të ndodhte normalisht, ende nuk ka filluar të ndihmojë fituesin e zgjedhjeve në fazat fillestare të marrjes së kontrollit të qeverisë. Agjencia qeveritare që njihet shkurtimisht si GSA ose Administrata e Shërbimeve të Përgjithshme, ka përgjegjësinë për të njohur zyrtarisht zotin Biden si presidentin e ri dhe për të filluar procesin e kalimit të pushtetit, që zyrtarisht bëhet ditën përurimit të presidentit me 20 janar.

Agjencia cakton zyrat për ekipin e tranzicionit të zotit Biden në mjediset qeveritare dhe ndihmon në detyra të tjera të nevojshme. Por Emily Murphy, kreu i agjencisë nuk e ka filluar procesin. VOA raporton se një zëdhënës i Administratës së Shërbimeve të Përgjithshme (GSA) tha se agjencia nuk do të fillojë procesin e tranzicionit deri sa fitorja e zotit Biden të certifikohet zyrtarisht, por është e paqartë se kur mund të ndodhë kjo, meqënëse ende vazhdon numërimi i votave në një pjesë të madhe të vendit.

Rezultati i zgjedhjeve është i paqartë vetëm në pak shtete dhe organizatat kryesore të medias kanë nxjerrë demokratin Biden si fitues. Presidenti Trump nuk ka pranuar të njohë rezultatin ndërsa ekipi i tij ka hapur disa padi ligjore duke pretenduar, pa prova deri tani, se parregullsitë në votimet e së martës, dhe ditët pasuese të numërimit të votave i kushtuan atij fitoren e zgjedhjeve.

Trump shpreson që paditë ligjore do ta ndihmojnë atë të përmbysë rezultatin e votave të fituara nga zoti Biden në Kolegjin Elektoral, që përcakton fituesin e zgjedhjeve presidenciale, dhe jo të votës popullore, megjithëse zoti Biden udhëheq edhe me votën popullore.

Situata

Udhëheqësi i shumicës së senatit Mitch McConnell tha të hënën se Presidenti Trump, “ka 100% të drejtë të shqyrtojë akuzat për parregullsi dhe të peshojë alternativat ligjore”. “Institucionet tona janë ndërtuar pikërisht për këtë,” tha zoti McConnel në Senat, ndërsa shtoi se procesi do të zhvillohet dhe “do të arrijë në zgjidhjen e tij”. Ndërkohë, Biden dhe zv. presidentja e zgjedhur Kamala Harris po vazhdojnë me planet e tyre të tranzicionit, fillimisht duke u takuar me ekspertë të shëndetit lidhur me përpjekjet për frenimin e pandemisë së koronavirusit në Shtetet e Bashkuara.

Sipas të dhënave nga Universiteti Johns Hopkins, virusi u ka marrë jetën 237 mijë amerikanëve ndërsa 10 milionë të tjerë rezultojnë të infektuar. Sakaq, kampi i zotit Biden po kërkon bashkëpunim për tranzicionin nga zyrtarët e Presidentit Trump.

Zonja Jen Psaki,e cila është edhe ndihmësja e zotit Biden në procesin e tranzicionit, tha të dielën në rrjetin Twitter se siguria kombëtare dhe interesat ekonomike të Amerikës varen nga sinjalet e qarta dhe të shpejta të administratës se qeveria e Shteteve të Bashkuara do të respektojë vullnetin e popullit amerikan dhe do të angazhohet për një transferim të qetë dhe paqësor të pushtetit.”

Akti i njohjes së “fituesit të pritshëm” nga GSA, i hap rrugën ekipit të tranzicionit të administratës së re të ketë qasje në kompjuterat qeveritarë, i siguron atij mbështetje logjistike, si dhe i paguan pagat e tyre. Buxheti i tranzicionit për këtë vit është parashikuar në 10 milionë dollarë.