Ballina Aktualitet Kryeministri Rama inspekton punimet tek Teatri i Operës dhe Baletit

Kryeministri Rama inspekton punimet tek Teatri i Operës dhe Baletit

13

Kryeministri Edi Rama ka qenë ditën e djeshme tek Teatri i Operës dhe Baletit ku ka inspektuar punimet në këtë godinë sëbashku me ministren e Kulturës Elva Margariti.

Kryeministri Rama nuk ka lënë pa përmendur as godinën e Teatrit Kombëtar, e cila u shemb dy ditë më parë duke shkaktuar kësisoj edhe protesta nga ana e artistëve dhe aktivistëve, të cilat kanë vijuar dy ditë radhazi dhe është lajmëruar se do të vijojnë edhe ditët në vijim si formë rezistence ndaj aktit të qeverisë. Rama është shprehur se godina e Teatrit të Operës dhe Baletit ashtu edhe godina e Teatrit Kombëtar, kanë plot dy dekada të humbura mes lagështisë.

Kryeministri është shprehur se, artistët në Teatrin e Operës dhe Baletit do të ndjehen në këtë teatër si në qytetet më të mëdha të botës. “Sot në hapësirën e transformuar rrënjësisht të Teatrit të Operës dhe Baletit – ku pas 70 vjetësh solistët, orkestrantët, trupat tona të këngëtarëve e balerinëve, si edhe talentet e mëdha të muzikës lirike e simfonike shqiptare që shkëlqejnë nëpër botë, do të ndjehen më në fund njësoj si në Milano, Londër, New York apo Tokio – m’u kujtua një grevë urie e artistëve që këndonin korin e skllevërve të “Nabucco” me rripa të kuq në kokë, duke luftuar kundër idesë sime si ministër kulture asokohe, për reformimin radikal të sistemit teatror”, është shprehur kryeministri Edi Rama përmes një postimi në rrjetin social Facebook. Më tej Rama ka hedhur kritika edhe ndaj partive politike që u përfshinë në protestën e Teatrit Kombëtar. Kryeministri është shprehur se, mos arsyeja sëbashku me politikën pengojnë çdo punë dhe progres që nis qeveria. “Plot dy dekada të humbura mes lagështisë, pluhurit, vapës e të ftohtit, degradimit të viteve dhe rënkimeve të dërrasave të skenës e të karrigeve, qoftë këtu e qoftë në të ashtuquajturin Teatër Kombëtar, ku arsyeja e mosarsyes e bashkuar me politikën e pengimit të çdo pune, krijuan vitet e fundit një shesh të radhës, për një përshesh të radhës”, është shprehur ndër të tjera kryeministri Rama.