Ballina Aktualitet Ligji i ri/ Ja si pritet të izolohet Meta: Nga frenimi i...

Ligji i ri/ Ja si pritet të izolohet Meta: Nga frenimi i dekoratave e kontrolli i gjendjes mendore, te bllokimi i pazareve për

21

Zbardhen detajet se çfarë pritet të përmbajë ligji organik për institucionin e Presidentit të Republikës. Kryeministri Edi Rama, në seancën plenare të së hënës deklaroi se një ndër qëllimet e kësaj legjislature do të jetë hartimi i një ligji për të frenuar çudirat e Ilir Metës.

PS nisi një proces shkarkimi ndaj tij, por në fund u tërhoq dhe u vendos si rekomandim hartimi i një ligji për të mos lejuar më përplasje si ato me shtyrjen e zgjedhjeve apo betimin e gjyqtarëve. Sipas burimeve, PS pritet të ngrejë një grup deputetësh nga Komisioni i Ligjeve që do të hartojnë draftin e ri. Edhe pse nuk ka nisur puna, mësohet se baza e ligjit në fjalë do të jetë drafti i hartuar që në 2016.

Kur nisi reforma në drejtësi u hartua dhe një ligj për presidentin, në bashkëpunim me ndërkombëtarët. Por ky ligj përfundoi në kalendat greke pasi u vendos që në krye të shtetit të emërohej Ilir Meta. PS ka ndërmend ta kthejë atë draft, por me përmirësime të shumta. Qëllimi kryesor do të jetë përcaktimi i një sërë dispozitave zhbllokuese, të cilat nuk janë qartësuar në Kushtetutë.

Gazeta ka mësuar se do përcaktohet një nen sa i takon dekretimit të ministrave. Për të mos u ripërsëritur skenari me Gent Cakën apo Sandër Lleshajn, në ligj do të përcaktohet që presidenti nuk ka të drejtë të kthejë një propozim për ministër. Po ashtu do të sanksionohet pjesa e dekretit për zgjedhjet, ku do të përcaktohet se nuk ka të drejtë ta ndryshojë dekretin. Një tjetër nen do të jetë për betimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve për të mos ndodhur skenari i Xhaferllarit. E njëjta gjë pritet të sanksionohet dhe në Kushtetutë.

Dekorata dhe gjendja mendore

Meta ka filluar të japë pa fund dekorata. Shumë persona me peshë në vend po lusin që të mos i dekorojë pasi do të ulen në një nivel me disa individë që nuk e meritojnë një titull të tillë. Në ligjin e vitit 2016, ishte përcaktuar një nen për këtë çështje, i cili pritet të jetë dhe në draftin e ri.

Sipas tij, çdo dekoratë do duhet të jepet pasi është marrë verdikti nga një komision i posaçëm, jo siç ndodh tani ku Meta jep dekorata pa pyetur njeri. Një nen tjetër interesant te drafti i 2016 është për gjendjen mendore të presidentit. Kohët e fundit Meta ka dalë nga vetja, duke kërkuar revolucion kundër qeverisë. Por në ligj pritet që të ketë një dispozitë për shëndetin mendor të kreut të shtetit.

“Kur Presidenti i Republikës është në pamundësi të përkohshme për të ushtruar funksionet e tij ose kur vendi i tij mbetet vakant, Kryetari i Kuvendit zë vendin dhe ushtron kompetencat e tij. Pamundësi e përkohshme do të konsiderohet ajo gjendje fizike dhe mendore në të cilën ndodhet Presidenti i Republikës, që e bën të pamundur ushtrimin në mënyrë efektive të funksioneve të përcaktuara nga Kushtetuta. Nëse pamundësia e përkohshme zgjat për më shumë se 60 ditë ajo kthehet në pamundësi e përhershme”, thuhet në draft.

Ligji i ri do u japë fund dhe pazareve që bëhen për emërimet në institucionet e pavarura. Presidenti është ai që propozon Guvernatorin dhe kreun e Kontrollit të Lartë të Shtetit. Pak kohë më parë u zgjodh kreu i KLSH dhe u duk qartë se ishte pazar. Kur mbaroi mandati i Bujar Leskajt, Meta hapi garën dhe shumë persona shfaqën interes, por më pas u dërguan shumë kandidatë jashtë liste, edhe kreu aktual i KLSH.

Mirëpo me ligjin e ri, si për kreun e KLSH, ashtu dhe për Guvernatorin, presidenti duhet të ngrejë një komision të posaçëm me ekspertë të pavarur që do të filtrojnë kandidatët dhe do vendosin se kush e meriton këtë post. Pjesa tjetër e neneve pritet të jetë një harmonizim me kompetencat që i jep Kushtetuta, që nga emërimet e anëtarëve të Kushtetueses dhe Gjykatës së Lartë, deri te dekretimi i ligjeve.