Ballina Aktualitet Ligji për presidentin, Manja: Do rrudhen benefitet dhe për ish-presidentët! Ja pikat...

Ligji për presidentin, Manja: Do rrudhen benefitet dhe për ish-presidentët! Ja pikat që do të kemi në fokus

18

Të hënën u ngrit grupi i punës për ligjin për presidentin, ndërkohë një ditë pas ngritjes së grupit të punës, mazhoranca i ka të qarta pikat se ku do të ndërhyjë me ligj në kompetencat e Presidentit.

Kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja, i cili drejtoi edhe Komisionin Hetimor që u ngrit për shkarkimin e kreut të shtetit, tha se bëhet fjalë për sqarim të atyre kompetencave që i njeh Kushtetuta. Në një intervistë televizive ai u shpreh se jo vetëm statusi i presidentit, por do të qartësohen edhe statusi dhe privilegjet e ish-presidentëve.

“Jo vetëm statusi dhe privilegjet e Presidentit, por edhe të ish-Presidentëve të Republikës, do të qartësohen në ligj edhe mënyra e ushtrimit të kompetencave kushtetuese nga ana e Presidentit të Republikës”, u shpreh Manja. Përvoja të herëpashershme të përplasjeve me presidentin Ilir Meta, i kanë mësuar mazhorancës se cila pjesë duhet sqaruar me ligj. Në fjalën e tij, Manja u shpreh se ligji do të përcaktojë me saktësi se si ushtron presidenti kompetencat e tij.

“Ligji duhet të përcaktojë saktësisht se si e ushtron Presidenti këtë kompetencë, kush e sjell propozimin për dhënien e deklaratave dhe titujve të nderit apo në caktimin e datës së zgjedhjeve, presidenti konsultohet me grupet parlamentare dhe forcat politike. Është traditë presidenciale, por nuk është e normuar në ligj se si e ushtron presidenti këtë konsultim.

Presidentit nuk ja njeh Kushtetuta të drejtën e zhdekretimit të datës së zgjedhjeve”, ka deklaruar Manja. Ndërkohë Presidenca nuk ka asnjë koment për draftin, i cili sipas socialistëve, do të konsultohet jo vetëm me kreun aktual të shtetit, por dhe paraardhësit e tij. Ndërkohë sa i takon grupit të punës që do të merret me ligjin për presidentin, emrat e tyre u vendosën ditën e hënë.

Në këtë grup do të jenë deputetët Vasilika Hysi, Adnor Shameti dhe Alban Zeneli të cilët kanë afat deri në 15 tetor për të hartuar ligjin për presidentin. Ndërkohë në një reagim të tij, Shameti u shpreh se thelbi i saj që mazhoranca pret nga ky draft është që të hartohet një ligj organik që i takon sqarimit në detaje të teknikaliteteve të veprimtarisë kushtetuese të presidentit.

“Thelbi i asaj që ne presim shumë shpejt të draftojmë do jetë një ligj organik që i takon sqarimit në detaje të teknikaliteteve të veprimtarisë kushtetuese të Presidentit të Republikës. Kompetencat e presidentit do t’i shohim si në nivelin kushtetues ashtu dhe në harmonizimin e plotë të elementëve që do ketë ligji për organizimin e institucionit të presidentit dhe ligji kushtetues nga ana tjetër”, tha Shameti.