Ballina Aktualitet Mbyllet historia e koalicioneve! Botohen në Fletoren Zyrtare ndryshimet në Kodin Zgjedhor:...

Mbyllet historia e koalicioneve! Botohen në Fletoren Zyrtare ndryshimet në Kodin Zgjedhor: Raporti i Venecias vjen në Tiranë

20

Partitë politike duket se në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit të vitit 2021 do të shkojnë pa koalicione parazgjedhore dhe me lista të hapura.

Edhe pse presidenti Ilir Meta, opozita parlamentare dhe joparlamentare vijojnë t’i kundërshtojnë ndryshimet në Kodin Zgjedhor të miratuar sipas draftit të Partisë Socialiste, ndërsa kanë kthyer sytë nga Komisioni i Venecias, zhvillimet e ditëve të fundit tregojnë që gjasat që të ndryshojë Kodi janë pothuajse zero.

Gazeta e deklaroi pak ditë më parë se kërkesa e presidentit Meta është pranuar dhe referuar axhendës së Komisionit kjo çështje do të shqyrtohet në brenda 9-11 dhjetorit.

Por referuar eksperiencave të mëparshme dhe në kushtet kur kërkesa e Metës do të shqyrtohet nga Venecia muajin tjetër, gjasat që opinioni të vijë në muajin janar. Kjo edhe për shkak se pasi të merret vendimi nga Komisioni, duhen disa ditë që raporti të përkthehet, e ndërkohë që jemi edhe para festave të Krishtlindjeve, pritet që opinioni të mbërrijë në Presidencë në muajin janar.

Kështu që nëse supozojmë që opinioni do të mbërrijë në janar dhe nga kjo kohë jemi edhe dy muaj larg mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare, shanset që të kemi ndryshime në Kodin Zgjedhor në aspektin e madh janë të pakta. Pra, referuar këtyre zhvillimeve, jo vetëm që mbyllet historia e koalicioneve parazgjedhore, por palët do të shkojnë në zgjedhjet e 25 prillit me rregullat që dikton Kodi i ri Zgjedhor.

Botohen ndryshimet në Kodin Zgjedhor

Por ecejakja, koha dhe procedurat nga Komisioni i Venecias deri në Presidencë, nuk janë të vetme shkaqe që mbyllin historinë e koalicioneve parazgjedhore. Goditja finale për presidentin Ilir Meta dhe opozitën ka ardhur nga Qendra e Botimeve Zyrtare. Më konkretisht ditën e djeshme është botuar në Fletoren Zyrtare ligji shumë i debatuar për “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 10019, datë 29.12.2008, “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar”.

Kjo do të thotë se pas 15 ditësh sipas ligjit, ndryshimet në Kodin Zgjedhor që heqin koalicionet parazgjedhore dhe i hapin rrugë hapjes së listave për deputetë do të hyjnë në fuqi, duke bërë që ky debat të mbyllet dhe palët të pranojnë kushtet që ofron ligji i ri zgjedhor.

Pra, duket se zgjedhjet e ardhshme do të mbahen me Kodin e ri Zgjedhor. Megjithatë, një fakt të tillë se nuk ka mazhoranca nuk lëshon pe edhe pas thirrjeve të ndërkombëtarëve dhe opozitës sa i takon Kodit Zgjedhor e ka pohuar, vetë kryeministri Edi Rama. Ky i fundit deklaroi pak ditë më parë pas mbledhjes me drejtuesit politikë të PS në qarqe, se Kodi Zgjedhor do të votohet me shpejtësi nga Parlamenti pa asnjë ndryshim.

Madje, kreu i qeverisë theksoi se askush nuk e vë në diskutim vullnetin e Parlamentit, aq më tepër presidenti Ilir Meta. “Do ta votojmë sa më shpejt kur të caktohet seanca e votimit pa asnjë ndryshim, pikë dhe presje. Do ta votojmë Kodin siç është votuar nga Parlamenti me një shumicë që është kuptimplotë dhe askush nuk mund të verë në diskutim vullnetin e Parlamentit, aq më tepër Ilir Meta”, deklaroi ai.

Më herët nga Rinasi, Rama gjithashtu pohoi se kodi nuk ndryshon. “Kodin do ta votojmë pas asnjë vonesë. Parlamenti nuk pret asnjë sekondë më tepër. Unë fola edhe privatisht me komisionerin. Meta është sot lideri alternativ i një opozite të copëtuar dhe lideri absoluti i një force të degraduar. Ne nuk hyjmë në aventurën e Ilir Metës”, nënvizoi kryeministri Edi Rama. . RIGELS SELIMAN