Ballina Aktualitet Mesazhi i Yuri Kim, ja si KLGJ mban peng Gjykatën Kushtetuese dhe...

Mesazhi i Yuri Kim, ja si KLGJ mban peng Gjykatën Kushtetuese dhe të Lartë! Urdhri i Kuvendit: Shpall menjëherë të gjitha

21

Ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim, një ditë më parë, përmes një qëndrimi të fortë, u kërkoi krerëve të politikës shqiptare, Presidentit, Kuvendit dhe institucioneve të drejtësisë ngritjen me urgjencë të Gjykatës Kushtetuese.

Po kush po e mban peng plotësimin e vendeve vakante në Gjykatën Kushtetuese? Së pari, që të plotësohen vendet vakante në Gjykatën Kushtetuese, duhet të ngrihet më parë Gjykata e Lartë, e cila duhet të zgjedhë 3 anëtarë të Gjykatës Kushtetuese, nga 9 gjithsej.

Gjykata e Lartë përbëhet nga 19 anëtarë. Një e pesta e gjyqtarëve në këtë gjykatë përzgjidhet mes juristëve të spikatur, pra 4 anëtarë jashtë gjyqësorit. Aktualisht janë zgjedhur 3 gjyqtarë jashtë gjyqësorit, ndërsa mbeten edhe 16 vende bosh.

Anëtarët e Gjykatës së Lartë propozohen nga Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe dekretohen nga Presidenti brenda 10 ditëve. Nëse Presidenti nuk shprehet, nuk shprehet kandidati shpallet i emëruar. Ndërkaq, për 16 vendet vakante që kanë mbetur në Gjykatën e Lartë, KLGJ ka nisur procedurat për plotësimin e vetëm gjatë vendeve vakante. Disa ditë më parë, kryetarja e KLGJ, Naureda Llagami, gjatë një seance dëgjimore në Komisionin e Ligjeve, tha se Gjykata e Lartë do të ketë brenda vitit 10 anëtarë. Por, kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja tha se Gjykata e Lartë nuk mund të mblidhet me 10 anëtarë për të votuar 3 anëtarët e Gjykatës Kushtetuese.

Gjykata e Lartë duhet të ketë të paktën 14 anëtarë për të votuar kandidatët që i dërgon Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, për tre vende vakante në Gjykatën Kushtetuese. Ulsi Manja dhe Fatmir Xhafaj i kërkuan llogari KLGJ se pse ka nisur procedurën për plotësimin e vetëm 6 vendeve vakante në Gjykatën e Lartë dhe nuk ka shpallur 16 vende vakante. “Zonja kryetare e Këshillit të Lartë Gjyqësor, do t’ju kërkoj të fokusoheni në këtë drejtim, sepse nuk më bindin argumentet që ju dhatë në këtë seancë dëgjimore, që Komisioni i Ligjeve i ka marrë me shkrim! Ne jemi shumë të interesuar si Kuvend, që kjo gjykatë të bëhet funksionale një orë e më parë, për të realizuar përgjegjësinë që ka Gjykata e Lartë në plotësimin e vendeve vakante në Gjykatën Kushtetuese”, ka theksuar Ulsi Manja.

Po pse KLGJ nuk nisi procedurat për 16 vende, por vetëm për 6 vende në Gjykatën e Lartë, duke e zvarritur këtë proces edhe me një vit? Kryetarja e KLGJ ka shpjeguar se Këshilli nuk nisi procedurat për plotësimin e 16 vendeve, për të mos thelluar vakancat në gjykatat e tjera, sidomos të Apelit, pasi anëtarët e Apelit do të zgjidheshin në Gjykatën e Lartë. Gjithashtu, Llagami ka pohuar se KLGJ nuk shpalli 16 vende vakante, për të zbatuar frymën e ligjit për ripërtëritjen e përbërjes së Gjykatës së Lartë rast pas rasti dhe jo tërësore të saj.

Megjithatë, Komisioni i Ligjeve i ka konsideruar këto argumente jo bindëse. Për këtë arsye, Kuvendi, miratoi dje një dokument në seancë plenare, ku i kërkon Këshillit të Lartë Gjyqësor të shpallë ‘menjëherë të të gjitha vendeve të lira në Gjykatën e Lartë dhe përmbylljen në një kohë sa më të shpejtë të procesit të plotësimit të këtyre vendeve’./Adriatik Doci/ Shqiptarja.com/