Ballina Aktualitet Meta nuk ndal kërcënimet e sulmet megjithëse nuk ka asgjë në dorë:...

Meta nuk ndal kërcënimet e sulmet megjithëse nuk ka asgjë në dorë: Qeveria të heqë dorë nga paketa anti-shpifje! Nuk do

20

Ilir Meta ka sulmuar sërish qeverinë, ku këtë herë në fokus të kritikave të tij ndaj qeverisë ka qenë ligji i shumëpërfolur për mediat, i cilësuar nga qeveri si paketa anti-shpifje.

Ditën e djeshme, Meta ka ripostuar një artikull të Zërit të Amerikës lidhur me shqetësimin e gazetarëve për paketën anti-shpifje. Në postimin e tij, Meta kërkon që qeveria të tërhiqet nga nisma e saj, duke i hequr një vijë paralele edhe me regjimin e Aleksandër Lukashenkos në Bjellorusi.

Kreu i shtetit shton se ka dyshime shumë të forta që ligji ka vetëm një qëllim brenda vetes, që sipas Metës është të godasë, intimidojë dhe të mbyllë gojën e mediave kritike, pasi nuk janë marrë parasysh as rekomandimet e Komisionit të Venecias.

“I bëj thirrje të fortë Qeverisë dhe Kuvendit njëpartiak të tërhiqet nga modeli i neveritshëm Lukashenko për censurën në media dhe të mos vijojë në errësirë me planet për të vënë në fuqi një ligj që bie ndesh qartazi me Kushtetutën dhe Opinionin e Komisionit të Venecias.

Si Presidenti i Republikës kam folur qartë kundër këtyre iniciativave edhe me Dekretin Nr.11413, datë 11 janar 2020, që nuk duhet të vazhdojë të mbahet i fshehur në sirtarët e Kuvendit, por duhet pranuar menjëherë”, ka shkruar Meta në postimin e tij në Facebook. Më tej presidenti është shprehur se solidarizohet me shqetësimin e gazetarëve dhe organizatave në mbrojtje të tyre. Në postimin e tij Meta është shprehur se qeveria po tenton të miratojë ligjin me mungesë transparence.

“Solidarizohem me shqetësimin e organizatave të gazetarëve për riaktivizimin e përpjekjeve për të miratuar sërish një ligj për censurën e medias, në mungesë transparence dhe pa marrë parasysh opinionin e Komisionit të Venecias, që konfirmoi qëndrimin e drejtë që kam shprehur me dekrete për mos pranimin e paketës antikushtetuese “anti-shpifje” të qeverisë. Sipas përfaqësuesve të organizatave të gazetarëve:

“Autoritete të larta të shumicës në qeveri kanë urdhëruar që ky ligj duhet bërë shpejt. Kjo duket qartë që është kopje e së njëjtës përpjekje flagrante e qeverisë për të goditur mediat. Dyshimet janë shumë të forta që ligji ka vetëm një qëllim brenda vetes: të godasë, intimidojë dhe të mbyllë gojën e mediave kritike””, ka shkruar ndër të tjera presidenti Meta.

Argumentet e Metës

Më tej presidenti ka renditur disa pika me të cilat ligji në fjalë bie ndesh. Ai përmend parimet themelore të Kushtetutës, dispozitat kushtetuese, jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese si dhe thekson se nuk janë në harmoni me standardet europiane.

“Risjell në vëmendje se këto ligje jo vetëm që nuk janë në harmoni, por bien në kundërshtim me: Parimet themelore kushtetuese të ndërtimit të një shteti demokratik, sigurisë juridike dhe të proporcionalitetit; Dispozitat kushtetuese që mbrojnë të drejtën e lirisë së shprehjes, të lirisë së shtypit dhe të drejtës së informimit; Jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, vendimet e së cilës përbëjnë norma të detyrueshme për zbatim; Nuk janë në harmoni me standardet e Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut;

Nuk janë në harmoni me jurisprudencën e Gjykatës Europianë të të Drejtave të Njeriut”, ka shkruar presidenti Meta. Më tej presidenti është shprehur se liria e medias është kusht për hyrjen në BE. Po ashtu ai është shprehur se pa lirinë e medias nuk ka demokraci.

“Liria dhe pavarësia e medias është një nga kushtet kryesore të Bashkimit Europian dhe pa garantuar lirinë e shprehjes nuk ka demokraci dhe nuk mund të ketë çelje të negociatave për anëtarësim”, ka shkruar ai.