Ballina Aktualitet Miratohet marrëveshja me Kanadanë për pensionet: Ja si do të përfitojnë emigrantët...

Miratohet marrëveshja me Kanadanë për pensionet: Ja si do të përfitojnë emigrantët shqiptarë

35

Parlamenti ka miratuar dje marrëveshjen me Kanadanë për njohjen e ndërsjellë të pensioneve dhe kontributeve shoqërore. Ministrja e Financave tha sa kjo është një ndihmë shumë e madhe për shqiptarët që punojnë në Kanada. “Ratifikimi kësaj marrëveshje krijon mundësinë e përfitimit të pensioneve për rreth 70 mijë shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Kanada si dhe shtetasve kanadezë që vijnë për të punuar në Shqipëri si të punësuar në kompani industri nxjerrëse, minerale, energjetikë apo të vetëpunësuar.

Në bazë të marrëveshjes, asnjë qytetar nuk do të humbasë asnjë ditë kontributet pavarësisht se ku ka punuar pasi bashkimi i periudhave do të bëjë të mundur plotësimin e kushteve ligjore për përfitimin e pensionit në të dy vendet”, u shpreh ajo. Sipas Denaj, pjesë e kësaj marrëveshje është edhe eksporti i pensionit. “Kjo do të thotë që pensioni do t’iu paguhet qytetarëve shqiptarë në vendin që do të zgjedhin të jetojnë. Kështu, shtetasit shqiptarë do të kenë mundësi që të marrin pensionin kanadez edhe nëse zgjedhin të jetojnë në Shqipëri duke mos humbur asnjë të drejtë. Marrëveshja krijon hapësira ligjore për mbrojtjen e emigrantëve shqiptarë përveçse me Kanadanë, edhe me vendet e tjera me të cilat dy vendet kanë marrëveshje dypalëshe”, u shpreh ministrja. Marrëveshja për njohjen e ndërsjellë të pensioneve me Kanadanë, është një nga marrëveshjet më bashkëkohore të arritura deri tani. Objektiv kryesor i kësaj marrëveshje të shumëpritur është që pensionistët shqiptaro-kanadeze të përfitojnë nga vjetërsia e tyre në punë si dhe nga e drejta për transferimin e kontributeve nga njëri vend te tjetri. Ratifikimi i kësaj marrëveshje është ndihmë për të gjithë qytetarët shqiptarë që kanë vite që kontribuojnë në shtetin kanadez, por edhe kanë vite punë në Shqipëri.

Në këtë marrëveshje secili vend do të zbatojë legjislacionin e zbatueshëm të vendit të tij në fushën e mbrojtjes shoqërorë dhe përkatësisht në Kanada, sipas aktit të sigurimit për të moshuarit dhe rregulloret e tij si edhe planit kanadez të pensioneve dhe rregulloret e tij. Ndërsa me Shqipërinë, sipas ligjit të Sigurimit Shoqëror të Detyrueshëm, rregulloret dhe rregullat në lidhje me përfitimet e pleqërisë, invaliditetit dhe atyre familjare. Kjo marrëveshje është një nga më bashkëkohoret e arritura deri tani, duke përfshirë të gjithë elementët e nevojshëm dhe kryesorët për të cilët komunitetet janë më të interesuar në këtë fushë, si për shembull: një nga parimet bazë të kësaj marrëveshje është që secila palë siguron trajtim të barabartë për çdo person i cili është apo ka qenë subjekt i legjislacionit të palës tjetër dhe çdo person të cilit mund t’i rrjedhin përfitime nga personi i parë, është subjekt i detyrimeve dhe ka të drejtën për çdo përfitim të dhënë nga legjislacioni i palës së parë, në të njëjtat kushte si shtetasi i palës së parë. Pra, kemi të bëjmë edhe me shtetasit shqiptarë që jetojnë në Kanada apo shqiptaro-kanadez që kontribuojnë prej vitesh në Kanada, por sigurojnë disa përparësi edhe për disa persona të lidhur drejtpërdrejt me ta.