Ballina Aktualitet Misioni faktmbledhës për Metën! Delegacioni i “Venecias” nuk takohet me PD-në: Ja...

Misioni faktmbledhës për Metën! Delegacioni i “Venecias” nuk takohet me PD-në: Ja kur del opinioni për Presidentin

33

Është bërë publike agjenda e delegacionit të Komisionit të Venecias që do të mbërrijë më 6 shtator në Tiranë, në një mision faktmbledhës për shkeljet e pretenduara të Presidentit të Republikës, Ilir Meta, në vendimin për të anuluar 30 qershorin si datë për zgjedhjet lokale.

Ajo që bie në sy në agjendë është se nuk është parashikuar takim i delegacionit me opozitën jashtëparlamentare. PD dhe LSI nuk janë përfshirë në agjendën e delegacionit.

Aty theksohet se delegacioni nga Komisioni i Venecias do të takohet me përfaqësuesit e mazhorancës dhe opozitës në Parlament. Pra do të jenë përfaqësuesit e Grupit Parlamentar Demokrat apo edhe të Grupit të Pavarur (deputetë nga listat e LSI) ata që pritet të takohen dhe të diskutojnë mbi çështjen e presidentit Meta. Anëtarët e delegacionit do të takohen personalisht edhe me presidentin Meta, i cili është subjekt i misionit e tyre, për të vijuar më pas me takimet e tjera zyrtare.

Draft-opinioni mbi kërkesën e mazhorancës së Partisë Socialiste për të marrë një përgjigje nga Komisioni i Venecias para se të vendosë për fatin e Presidentit, është përfshirë në agjendën punimeve të muajit tetor të Komisionit.