Ballina Aktualitet Ndërkombëtarët sytë te BKH: Soreca kërkon arrestime të bujshme për negociatat Kim...

Ndërkombëtarët sytë te BKH: Soreca kërkon arrestime të bujshme për negociatat Kim thirrje më të mirëve të aplikojnë

26

Ndërkombëtarët tashmë i kanë kthyer sytë nga Byroja Kombëtare e Hetimit për luftën kundër korrupsionit në nivele të larta dhe krimit të organizuar.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian kanë qenë mbështetësit kryesorë të reformës në drejtësi, e tani që edhe BKH u ngrit dhe ka hapur garën për zgjedhjen e 60 hetuesve ata kërkojnë hetime dhe arrestime të bujshme.

Këto dy kushtet e fundit, janë edhe kërkesat kryesore të Bundestagut gjerman për hapjen e negociatave. Dy ditë më parë, ishte ambasadorja amerikane Yuri Kim ajo e cila i shkoi në zyrë kreut të Byrosë Kombëtare të Hetimit, Aida Hajnaj.

Ndërsa ditën e djeshme, në zyrën e Hajnaj ka zbarkuar edhe ambasadori i Bashkimit Europian, Luigi Soreca. Pas takimit me kreun e BKH-së, Aida Hajnaj, ambasadori Luigi Soreca ka reaguar në një postim në rrjetin social Twitter.

Soreca deklaroi se gjatë takimit ka konfirmuar mbështetjen e Bashkimit Europian për prioritetet e Byrosë që janë lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Soreca gjithashtu shkruan se puna e Strukturës së Posaçme Antikorrupsion është shumë e rëndësishme për të arritur qëllimin e përbashkët. Pra, Soreca prerë kërkon nga BKH arrestime të bujshme në mënyrë që Shqipëria të anëtarësohet sa më shpejt në Bashkimin Europian.

“Sot takova drejtoreshën e BKH-së znj. Aida Hajnaj për të konfirmuar mbështetjen e BE-së dhe për të diskutuar përparësitë e Byrosë. Luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit vazhdon të jetë një përparësi kryesore për dhe në rrugën e tij të pranimit. Puna e SPAK është thelbësore për të ndjekur këtë qëllim vendimtar”, u shpreh ambasadori i BE Luigi Soreca në Twitter.

Reagon ambasada amerikane

Ndërkohë që ditën e djeshme, Ambasada Amerikane në Tiranë reagoi me një thirrje për të gjithë të interesuarit që duan të jenë pjesë e Byrosë Kombëtare të Hetimit, për pozicionin hetues. Përmes një njoftimi në faqen zyrtare të Facebook-ut, ambasada thekson se SHBA-të janë të angazhuara në mbështetjen e përpjekjeve të Shqipërisë në krijimin e një sistemi drejtësie etik, transparent.

Sipas ambasadës, hetuesit e BKH-së do të jenë ndër pjesëtarët më të mirëtrajnuar dhe më të vetuar të organeve ligjzbatuese në vend dhe do të luajnë një rol kyç në dhënien e drejtësisë në emër të shqiptarëve. “Shtetet e Bashkuara janë të angazhuara në mbështetjen e përpjekjeve të Shqipërisë në krijimin e një sistemi drejtësie etik, transparent dhe profesional, siç e meritojnë shqiptarët.

Je pjesë e elitës që do ndihmojë në krijimin e një Shqipërie më të mirë? Hetuesit e BKH-së do të jenë ndër pjesëtarët më të mirëtrajnuar dhe më të vetuar të organeve ligjzbatuese në vend dhe do të luajnë një rol kyç në dhënien e drejtësisë në emër të shqiptarëve”, thuhet në mesazhin e ambasadës amerikane. Pra tashmë që organet e reja të drejtësisë u ngritën, pritet që tek qytetarët shqiptarë të sjellë më shumë shpresë.

Hetimi dhe arrestimi i zyrtarëve të lartë të përfshirë në afera korrupsioni tashmë është detyrim i SPAK dhe BKH, të cilët do rikthejnë besimin e humbur. Por këto institucione do të hetojnë edhe gjyqtarët dhe prokurorët e ngelur në veting, si një tjetër kusht i BE për hapjen e negociatave