Ballina Aktualitet ‘Në Itali kuptova betimin e Hipokratit’, mjeku shqiptar për ‘La Repubblica’: U...

‘Në Itali kuptova betimin e Hipokratit’, mjeku shqiptar për ‘La Repubblica’: U grinda me bashkëshorte

16

Ermal Pashaj, ishte një nga 30 mjekët që qeveria shqiptare dërgoi në Itali, në periudhën më të errët që shteti fqinj përjetoi me koronavirusin. Për historin e këtij 35-vjeçari ka shkruar së fundmi gazeta ‘La Reppubblica’, e cila fillimisht thotë se ‘megjithëse se e dinte që COVID-19 do ta infektonte, ai udhëtoi për në Itali’.

“Madje, u grinda edhe me bashkëshorten time, e cila nuk donte që unë të merrja pjesë në këtë mision, ndërkohë që nuk u thashë asgjë prindërve, që të mos shqetësoheshin,”- thotë ky kirurg i lindur në Tiranë, 35 vjet më parë, një nga 30 mjekët që qeveria shqiptare dërgoi në Lombardi në fund të marsit.

Më pas gazeta i referohet një deklarate të kryeministrit Rama dhe thotë se Shqipëria ‘e vogël’ vrapoi të shpëtonte Italinë. Përsa i përket fjalëve të Ramës gazeta citon ‘ne nuk jemi të pasur, por as të privuar nga memoria dhe nuk do të harrojmë as kush na ndihmoi.”

I zbritur në Romë, i transferuar pastaj me një avion ushtarak për në Verona dhe prej andej në spitalin e Brescias, Ermali do ta përshkruante kështu situatën që gjeti: “Kur mbërrita në kujdesin intensiv ishin 60 shtretër, të gjithë të zënë. Çdo ditë, dy ose tre pacientë vdisnin. Pulmonologu italian, në ekipin e të cilit isha futur, kishte rezultuar pozitiv disa orë pas mbërritjes sime, megjithëse ai gjithnjë e kishte veshur maskën. Atëherë kuptova se sa i fshehtë ishte koronavirusi dhe fillova të kisha frikë. Duke u nisur nga Tirana mendova se gjatë qëndrimit në Itali do të hiqja dorë nga duhani, por, që nga dita e parë, dyfishova numrin e cigareve”.

Ermali tha se para se të nisej për në Itali e kishte ndjekur situatën nga televizori, por nuk ishte njësoj realiteti.

“Por, asnjë lajm në televizion nuk mund të sillte atmosferën që do të ndjehej në repartet e spitalit. Pas disa ditësh, fillova të mësohesha me të dhe arrita të menaxhoja stresin,”- shton ai.

Shqiptari tregon se mikpritja e kolegëve italian ishte e madhe pasi e pritën me zemërgjerësi.

”Sa më përket mua, u përpoqa ta bëja veten sa më të dobishëm, për shembull me turnet. Gjithashtu edhe për faktin se kam jetuar në hotel dhe, ndryshe nga mjekët italianë, nuk kam pasur një familje për t’u rikthyer pas punës”, thotë Ermali.

Por, ishin pacientët ata me të cilët Pashaj krijoi marrëdhëniet më të mira.

”Ndjeva një dhimbje të madhe për ata që kishin frikë se ishin braktisur nga familja, sepse askush nuk mund të shkonte t’i vizitonte. Në mbrëmje telefonova të afërmit për t’i informuar ata për shëndetin e të sëmurëve. Do ta kujtoj gjithmonë njërën prej tyre që më tha “doktor, bëj gjithçka të mundur për të shpëtuar babanë tim sepse dje varrosa nënën time”.

Që nga ajo tragjedi, ai rrëfen se ka mësuar shumë.

“Si mjek i ri, për herë të parë kuptova betimin e Hipokratit dhe çfarë do të thotë të ndihmosh ata që kanë nevojë, pa asnjë lloj kushtëzimi. Prandaj e konsideroj veten me shumë fat që e kam jetuar këtë përvojë,”-thotë Ermali.

Pashaj thotë gjithashtu se do të ruajë në kujtesën e tij autoritetim e kreut të departamentit të sëmundjeve infektive, profesor Francesco Castelli, të cilin e përshkruan si “një njeri të thjeshtë, të përulur, pa orë apo këpucë firmato” dhe ndaj të cilit të gjithë kishin një admirim të madh.

“Ai ishte një model dhe unë do të doja shumë t’i ngjaja, ndoshta pas 20 vitesh,”- thotë Ermali.

Ermali gjithsesi e ka një peng, në ditën e fundit para se të niseshin në Shqipëri, ku së bashku me kolegët e tjerë u akuzuan për prishje të qetësisë publike.

”Ishte një farsë. Tetë prej nesh ishin në një dhomë duke festuar me ndonjë birrë, në hare pas një muaji pune të lodhshme. Erdhën 12 policë. Unë u prezantova si menaxher i grupit, sepse isha më i moshuari, dhe u thashë atyre se që të gjithë sapo kemi rezultuar negativ nga testet. Policët, megjithatë, na denoncuan për prishje të qetësisë publike. Fatkeqësisht nuk mbaroi këtu. Kur u kthyem në Shqipëri, për atë që ndodhi na ‘linçuan’ të gjithëve. Thuhet se ne shqiptarët humbasim gjithmonë në kohën shtesë. Kjo na ndodhi edhe neve. /Shqiptarja.com