Ballina Aktualitet Ngjela: Ç’është ky Meta mo, një president noter?! Me emërimin e kryetares...

Ngjela: Ç’është ky Meta mo, një president noter?! Me emërimin e kryetares së BKH, SHBA ngriti siparin e luftës anti

19

Reforma në drejtësi dhe organet e reja të saj po ecin në rrugën e duhur. Pas ngritjes së Strukturës së Posaçme Antikorrupsion, e gjithë vëmendja e opinionit publik, dhe jo vetëm, ishte tek ngritja dhe funksionimi i Byrosë Kombëtare të Hetimit.

BKH do të ketë një rol të rëndësishëm në hetimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit në nivele të lartë, pasi do të shërbejë si polici gjyqësore e SPAK. Dy ditë më parë, kreu i SPAK Arben Kraja mes 4 kandidatëve për kreun e BKH zgjodhi Aida Hajnaj. Pas zgjedhjes nga Struktura e Posaçme, raporti i kaloi për miratim KLP, ku në mbledhjen e djeshme me shumicë të cilësuar me 9 vota pro, Hajnaj u emërua zyrtarisht në krye të FBI-së shqiptare.

Pas saj, tashmë pritet të zgjidhet edhe zv.kryetari dhe më pas do emërohen edhe hetuesit, të cilët po trajnohen në SHBA. Për zgjedhjen e Aida Hajnaj në krye të BKH reagoi edhe avokat Spartak Ngjela. Në një reagim për gazetën “SOT”, Ngjela u shpreh se me emërimin e Hajnaj, Uashingtoni ngriti siparin për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin në vendin tonë.

Sipas avokatit, SHBA ka marrë për trajnim 40 hetues shqiptaro-amerikan dhe po i stërvit për të luftuar korrupsionin, duke shtuar se ngritja e BKH është një shpresë e madhe për qytetarët shqiptarë. Ngjela shtoi në reagimin e tij për gazetën se edhe SPAK ka nisur të lëvizë dhe përveç hetimit të dosjes “184” do të vijojë hetimin për të gjitha dosjet e tjera që janë denoncuar për krimin elektoral.

“Duhet reprezalje në politikë. Zgjedhja e kryetares së BKH tregon se do fillojë hetimi. Janë rreth 40 hetues që po trajnohen në Amerikë, sepse BKH duhet të ketë 60 hetues. Vetëm kryetari duhet të jetë me nënshtetësi shqiptare. Sipas ligjit, këta që do të shkojnë në Amerikë janë edhe me nënshtetësi shqiptare, domethënë që janë shqiptaro-amerikanë. Kjo na jep shpresë të madhe.

Duhet të zgjidhej kryetari i BKH që të fillonte procedura e strukturimit të institucionit. Ajo tani u zgjodh, dhe po presim të vijë hetuesit nga SHBA. Shenjat po jepen që SPAK po lëviz. Kjo është shenjë e mirë. SPAK do të vijoj të merret me dosjet që janë denoncuar në lidhje me manipulimin e zgjedhjeve”, u shpreh Ngjela.

Rreziku i Metës

Në reagimin e tij, avokati Spartak Ngjela u shpreh se më i rrezikuar nga SPAK dhe BKH është presidenti Ilir Meta dhe për këtë arsye sipas tij ai po del me deklarata ndaj çdo veprimi që po bëhet dhe po merret. Sipas tij, presidenti Meta nuk ka asnjë të drejtë ligjore për asnjë vendim që merret apo miratohet nga Parlamenti, duke theksuar se ai ka thjesht rolin e noterit dhe si i tillë duhet vetëm të firmosë dekretet që i shkojnë në zyrë.

Ngjela tha se SHBA ia ka zbuluar të gjitha pronat dhe pasuritë dhe tashmë hetimit nga organet e drejtësisë nuk i shpëton dot. “Kush e pyet Metën. Presidenti është noter nuk është president me forcë ekzekutive. Ai është një noter që vë firmën. Kush e pyet atë se sa shkon tërshëra. Ai shumë shpejt do të jetë në proces hetimi për pronat dhe kërkon të shpëtojë. Nuk shpëton dot.

Ia kanë identifikuar, ia kanë gjetur paratë dhe pronat dhe të shikojmë se si do shkoj kur të mbarojë së strukturuari SPAK. Do jetë nga të parët ky që do marrë apo jo? Kjo mbetet për tu parë”, u shpreh avokat Spartak Ngjela në reagimin e tij për gazetën “SOT”.