Ballina Aktualitet Nis sot sesioni i ri parlamentar, fokus kryesor amnistia fiskale, pritet ndryshimi...

Nis sot sesioni i ri parlamentar, fokus kryesor amnistia fiskale, pritet ndryshimi i ligjit pas kritikave nga ndërkombëtarët

20

Pasditen e sotme politika do i rikthehet normalitetit. Kuvendi nis sesionin e ri dhe bashkë me të dhe aktiviteti politik. Për shkak të koronavirusit, distancimi social do të jetë pjesë e pandashme e seancave.

Ashtu si para pushimeve, deputetët do të shpërndahen edhe nëpër lozha për të reduktuar kontaktet mes tyre. Teknologjia, si forma më e avancuar për të arritur te elektorati, duket se do të përdoret gjatë. Madje, edhe pas pandemisë.

Por, përveç nismave të rëndësishme si përshtatja e Kodit Zgjedhor në përputhje me Kushtetutën, ngritja e KQZ-së së re, fokusi kryesor i ligjvënësve do të jetë tek amnistia fiskale. Kuvendi ka publikuar në faqen zyrtare edhe rendin e ditës që do të miratohet gjatë seancës së sotme plenare, e cila do të nisë në orën 17:00.

Rendi i ditës i seancës plenare është: Miratimi i procesverbalit të seancës plenare datë 29.07.2020 dhe 30.07.2020; Njoftimi i çështjeve të depozituara në Kuvend për shqyrtim; Miratimi/Njoftimi i draftprogramit të punës së Kuvendit për periudhën 7 shtator – 16 tetor 2020; Miratimi/Njoftimi i draftkalendarit të punimeve të Kuvendit për periudhën 7-25 shtator 2020.

Ja kundërshtitë e ndërkombëtarëve

Amnistia fiskale e cila do të trajtohet në këtë sesion parlamentar që nis sot, do të pësojë ndryshime të forta. Edhe pse ky draft kaloi me shpejtësi në Kuvend, sërish nuk arriti të miratohej sesionin e kaluar, pas kundërshtive të ndërkombëtarëve. Burime nga Komisioni i Ekonomisë kanë bërë me se dije amnistia fiskale do të pësojë shumë ndryshime.

Presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë, Enio Jaço u shpreh pak kohë më parë, se përpara prezantimit të draftit duhet të ketë një konsultim intensiv me ndërkombëtarët dhe duhet të krijohen mekanizma për të shmangur pastrimin e parave. Një tjetër faktor ndërkombëtar që kritikoi draftin e amnistisë fiskale ishte edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar, i cili u shpreh se ajo krijon kushte për pastrimin e parave dhe godet bizneset e ndershme. FMN theksoi se vendi ka nevojë së pari të ngrejë sisteme efektive për të zbuluar evazionin fiskal dhe për të parandaluar mundësitë për pastrim parash dhe për korrupsion dhe jo për t’i nxitur edhe më shumë ato.

“Ritheksojmë këshillën tonë kundër një amnistie të mundshme fiskale, pasi do të cenonte përmbushjen e detyrimeve tatimore. Duhen krijuar së pari sisteme efektive për të zbuluar evazionin fiskal dhe për të parandaluar mundësitë për pastrim parash dhe për korrupsion”, tha FMN pak kohë më parë. Por mes institucioneve që kritikuan mazhorancën për amnistinë fiskale ishin edhe ato vendase.

Kryeprokurori Olsian Çela e rrëzoi këtë draft dhe kërkoi rishikim të neneve. Ndërsa mazhoranca qeverisëse reflektoi pas këtyre kritikave dhe e shtyhu miratimin e tij për këtë sesion parlamentar. Komponentë të mazhorancës deklaruan se shtyrja e draftit për miratim në vjeshtë nuk është një tërheqje e qeverisë, por duhet më shumë kohë për t’u arritur një dakordësi e gjerë për këtë amnisti dhe më shumë profesionalizëm në këtë drejtim.