Ballina Aktualitet “Njerëzit hidhen nga ballkoni se bën zhurmë sistemi i oksigjenimit”, ja si...

“Njerëzit hidhen nga ballkoni se bën zhurmë sistemi i oksigjenimit”, ja si përgjigjet Rama

18

Gjatë fjalës së tij në Kuvend, kryeministri i vendit, Edi Rama u shpreh se ditën e sotme, qeveria shqiptare ka paguar edhe kaparin për Covax-in duke hyrë në rrjetin e shteteve që kanë prenotuar financiarisht aksesin në vaksinën antiCovid, që pritet të dalë për përdorim masiv në muajt që vijnë.

“Jemi në komunikim të përditshëm me BE-në, për të garantuar qartësi dhe siguri për aksesin në vaksinimin e popullsisë, duke pasur parasysh që vaksina do dalë, por sasitë s’do jenë menjëherë që të mbulojnë gjithë popullsinë e përgjithshme të Evropës apo edhe të cilitdo vend; të gjitha vendet kanë një strategji, ne kemi të njëjtën strategji për të filluar me kategoritë më të prekshme dhe pastaj për ta shtrirë në të gjitha shtresat e popullsisë.

Është e rëndësishme që ne sot jemi gati për të pasur akses dhe po punojmë si të tjerët për të ndërtuar aleancat e duhura, sepse kështu do ndodhë me vende të tjera, që mos mbetemi mbrapa të tjerëve. Jam optimist që BE-ja do të jetë gjithëpërfshirëse në strategjinë e vet për të garantuar vaksinimin e popullsisë, edhe rajoni ynë, edhe Shqipëria do të jetë pjesë”.

Më tej Rama u ndal te ato që i cilësoi si absurditete, sajesa dhe lajme të rreme sa i takon pandemisë Covid-19.

“Është shumë e rëndësishme që të gjithë të marrin sa më shumë informacion të bazuar në fakte, sa më shumë informacion nga autoritetet tona shëndetësore, nga gjithë sistemi i mbrojtjes që në themelin e vet ka mjekun e familjes dhe të përdorin maskën e trurit për ta mbrojtur trurin nga toksinat që përhapen në mënyrë intensive bashkë me dezinformimin, lajmet e rreme, fabrikimet, sajesat, shpifjet sepse fatkeqësisht në këtë luftë Shqipëria ka një specifikë, që zor ta ndeshësh në ndonjë vend tjetër.

Ka një opozitë, një nga opozitat, ajo jashtëparlamentarja që për fat të keq edhe një herë në 100 vite kur bie një sëmundje mbi tërë botën nuk gjen arsye dhe forcë morale për t’u bashkuar me shumicën, jo me qeverinë dhe për të luajtur një rol njerëzor, jo duke hequr dorë nga kritikat, jo duke hequr dorë nga detyra për ta nxitur qeverinë në drejtimin e duhur, por duke mos bërë krimin e dezinformimit dhe të fabrikimit të një realiteti që s’është realiteti i sotëm për fat të mirë i spitaleve tona.

Është vërtet kriminale t’u thuash qytetarëve se spitalet janë në kolaps, sepse nuk janë. që të sëmurët dergjen dyshemeve nuk është e vërtetë, mund të kishte ndodhur siç ka ndodhur në spitale të Lombardisë. Por nuk ka ndodhur për fat të mirë. Që mungojnë ilaçe, kjo s’është e vërtetë.

Deri të absurditete të tipit që njerëzit hidhen nga ballkoni se bën zhurmë të padurueshme sistemi i oksigjenimit. Sot kishin shkruar përsëri që ka një zhurmë të barabartë me zhurmën e ngritjes së avionëve kur merr oksigjen. është e njëjta zhurmë në të gjithë botën, nuk kemi aparatura të ndryshme nga të tjerët, kemi aparatura moderne.

Këto krijojnë ankth, pasiguri, siç krijon një ide të shtrembëruar propaganda se vetëm këtu kanë ndodhur vetëvrasje në radhën e e personave të prekur nga Covid. Të vetëvrarë në spitale ka patur edhe në vende të tjera dhe në asnjë vend tjetër s’është hedhur përpjete asnjë opozita, për t’ia faturuar qeverisë.

Nuk kemi asgjë mangët në raport me të tjerët. thonë se qeveritarët shkojnë për mjekim në Turqi, ne nuk ndalojmë njeri por asnjë qeveritar s’ka shkuar në Turqi; janë disa nga ministrat tanë që e kanë kaluar dhe po e kalojnë, askush s’ka shkuar në Turqi.

Nuk shkojmë në Turqi për një arsye të thjeshtë, sepse me këtë sëmundje nuk ka asgjë jashtë Shqipërisë që s’është në Shqipëri. Asnjë protokoll i veçantë mjekësor, as ndonjë aparaturë e veçantë, as ndonjë komitet shkencor që ka bërë apo thënë diçka që s’e ka bërë apo thënë komiteti ynë”.