Ballina Aktualitet Pas identifikimit biometrik, KQZ nis punën për votën e emigrantëve, grup i...

Pas identifikimit biometrik, KQZ nis punën për votën e emigrantëve, grup i posaçëm për përgatitjen e terrenit

23

Komisioni i ri Qendror i Zgjedhjeve ka ngritur grupin e punës që do të shqyrtojë mundësinë e votimit të shqiptarëve në diasporë, për zgjedhjet e 25 prillit.

Ilirjan Celibashi, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, ka thënë se ky grup pune që përbëhet nga 6 anëtarë, do të përgatisë një material për mundësinë e votimit të shtetasve shqiptarë që ndodhen jashtë vendit në zgjedhjet e 25 prillit.

Kryetar i këtij grupi, sipas urdhrit të Celibashit, do të jetë Ylli Merkaj, i cili mban postin e Sekretarit të Përgjithshëm të KQZ-së.

Por, cilat janë disa nga detyrat që ka ky grup? Grupi i punës ka disa detyra kryesore, të cilat janë: të vlerësojë mundësinë e votimit nga jashtë vendit në zgjedhjet për Kuvendin të datës 25 prill 2021 të shtetasve shqiptarë me të drejtë vote, të cilët e kanë rezidencën jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë:

Të përgatisë një vlerësim mbi llojin, procedurën e votimit, manuale ose elektronike duke marrë në konsideratë kushtet e vendit tonë; të përgatisë një vlerësim mbi procesin e votimit dhe administrimin e votave dhe përfshirjen e tyre në rezultatin e zgjedhjeve; të bëjë një vlerësim të përgjithshëm mbi kostot financiare, të përgatisë një listë me akte juridike dhe protokolle teknike që do të bëjnë të mundur votimin nga jashtë vendit, si edhe të prezantojë nivele të këtij lloj votimi në vendet e ndryshme.

Ndërkohë, nënkomisionerja e KQZ-së, Lealba Pelinku në një intervistë tregon se deri në çfarë faze është puna për identifikimin biometrik. Pelinku orienton zgjedhësit duke treguar se çfarë duhet të kenë në konsideratë ditën e zgjedhjeve dhe si do të funksionojë pajisja që do i identifikojë ata, ndërsa thekson se sistemi do të bëjë të mundur edhe verifikimin e shkeljeve.

“Synohet të shmanget votimi i shumëfishtë i votuesve dhe në emër të të tretëve. Sistemi i pajisjes është konceptuar ta shmangë në kohë reale duke sinjalizuar tentativën për votimin e shumëfishtë dhe dokumentimin e kësaj gjëje. Sistemi do realizojë jo vetëm qendërzimin por dhe kryqëzimin e të dhënave, të bëjë verifikim të procesit ku mund të identifikohen shkelje”, shprehet nënkomisionerja Pelinku.