Ballina Aktualitet Prezantohet projekti i teatrit të ri, Rama e Veliaj: Do gëzojë mbështetjen...

Prezantohet projekti i teatrit të ri, Rama e Veliaj: Do gëzojë mbështetjen e të gjithëve

93

Kryeministri Edi Rama dhe kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj kanë prezantuar dje projektin për Teatrin e ri Kombëtar, ku kryebashkiaku ka theksuar se teatri do të ndërtohet me kredi. “Nuk i kemi lekët, por teatrin do ta bëjmë me paratë e bankës. Ne marrim kredi nga BERZH-i dhe banka të tjera. Është praktikë normale. Po e bëjmë vetë, qeveria i jep bashkisë garanci sovrane dhe ne e marrim nga bankat dhe e bëjmë vetë.

Besoj që në këto tre muaj do të punojmë me dy ekipe, ekipi financiar, që negocion kredinë dhe ai teknik për detajimin e projektit. Teksa shkojmë drejt detajimit kemi mundësi që të bashkëpunojmë të gjithë për të hapur themelet brenda këtij viti”, tha Veliaj. Sakaq ai sqaroi se pse operacioni për shembjen e Teatrit Kombëtar u krye natën, që ka shkaktuar kundërshtime dhe revoltë nga artistët dhe qytetarët.

Veliaj ka theksuar se në konfliktin e teatrit u përfshi politika. “Konflikti mbi teatrin eskaloi kur u përfshi politika. Ne gjykuam se do të ishte e rrezikshme për protestuesit nëse do të prishej ditën. Unë kam përjetuar 21 janarin kur Berisha të v.riste me duar në xhepa. Ne zgjodhëm momentin me riskun më të vogël, prandaj e bëmë ndërhyrjen në atë orë, më vjen mirë që nuk patëm të lënduar, as përdorim përtej eksesit të forcës, përtej shoqërimit për okupimin e hapësirës publike apo partive të mbaruara”, është shprehur Veliaj. Kryebashkiaku është përgjigjur edhe sa i takon referendumit popullor në lidhje me shembjen e godinës së Teatrit Kombëtar. I pyetur se përse nuk u bëri referendum për teatrin, Erion Veliaj u shpreh se referendumi u bë në 2019, por u braktis nga opozita. “Ne e bëmë referendumin në 2019. Unë u paraqita në referendum dhe mora të njëjtat vota si në 2015. Kur e braktis këtë referendum, këshillin, Parlamentin, ne të presim?! Kur ti prapë mund të mos vish. E pashë histerinë e djeshme, por vendosin kutitë”, tha ai referuar zgjedhjeve lokale.

Kryebashkiaku Veliaj komentoi sherrin mes protestuesve dhe sulmet e mallkimet kundër tij. “Shtrija e dorës që bëra dje vlen edhe sot. E patë se çfarë ndodhi me PD-në dhe LSI-në? Vlon druri kur nuk bie dakord me udhëheqësit e gjumit. Më kujton çdo moment të debateve dhe histerisë dhe sulmeve që i kemi pasur. Mallkimet konfirmojnë atë që kam ditur, njerëz që përfshihen në këtë gjuhë të rrugaçët nuk kanë shkelur kurrë në teatër. Më kujton javën e fundit kur grupet e militantëve që kishin radhën te teatri i vjetër më pyesnin Lali Eri ku bie teatri se kemi radhën. E kuptoj politizimin”, tha ai

Reagon Rama

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, kryeministri Rama ka reaguar në lidhje me projektin e qeverisë për ndërtimin e Teatrit të Ri Kombëtar. Ai ka theksuar se ideja e projektit për teatrin e ri është e arkitektit danez Bjarke Ingels. Rama ka nënvizuar se projekti do të ketë pëlqimin e të gjithëve. “Duke ju uruar një javë të mbarë, dua gjithashtu t’ju siguroj se Teatri i ri Kombëtar do të ketë nesër pëlqimin e të gjithëve, qoftë të të shumtëve që e kërkojnë sot dhe qoftë të të paktëve që sot nuk shohin më larg se dje. Përvoja na mësoi se ashtu si me vepra të tjera publike, të përbaltura e masakruara që në “vezë”, pa nisur akoma puna, nga të njëjtët ngatërrestarë profesionistë, edhe për këtë projekt të vonuar me dhjetëra e dhjetëra vite, do të flasë vetë vepra e përfunduar, e cila do t’i japë komunitetit teatror skenën dinjitoze kombëtare që nuk e pati kurrë; publikut shqiptar Teatrin Kombëtar që nuk u ndërtua kurrë; Tiranës e Shqipërisë së gjeneratave të tjera, një tjetër destinacion kulturor të përmasave europiane në çdo aspekt”, është shprehur Rama.