Ballina Aktualitet PS e vendosur për të mos lejuar koalicionet! PD lë në baltë...

PS e vendosur për të mos lejuar koalicionet! PD lë në baltë LSI: Basha distancohet tërësisht nga debati për ndryshimet z

18

Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021, Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim duket se do të shkojnë si rivale.

Këshilli Politik ka filluar të zvarrisë punën e tij dhe duket shumë e vështirë që brenda 30 shtatorit të kemi një pakt mes partive politike të ulura në tryezë. E gjitha kjo mungesë dakordësie ka ardhur për shkak se opozita e bashkuar kërkon futjen e ekspertizës së OSBE-ODIHR në lojë, ndërsa mazhoranca e cilëson këtë një taktikë për të zvarritur procesin dhe madje ka shprehur gatishmërinë që pavarësisht këtyre justifikimeve do ta çojë përpara reformën zgjedhore.

Ka qenë vetë përfaqësuesi i Partisë Socialiste në Këshillin Politik, Damian Gjiknuri, i cili ka pohuar se ndryshimet kushtetuese të miratuara në 30 korrik përmes së cilave do t’i hapet rruga hapjes së pjesshme të listave dhe heqjes së koalicioneve parazgjedhore do të jenë pjesë e draftit final që do të miratohet në 30 shtator, kohë që sipas tij, është afati i fundit.

Pra, PS është e vendosur për të mos lejuar koalicionet parazgjedhore. Kjo do të thotë se Lëvizja Socialiste për Integrim që është një “partizane” e ndalimit të koalicioneve, me shumë gjasa do të hyjë në zgjedhje e vetme sikundër ndodhi në ato parlamentare të vitit 2017, duke bërë që të rritet rivaliteti mes saj dhe demokratëve.

PD lë në baltë LSI

Por në këtë pikë, një dorë Partisë Socialiste për të “vrarë” Lëvizjen Socialiste për Integrim edhe pse jo publikisht, duket se po ja jep edhe Partia Demokratike. Kjo e fundit e ka lënë në baltë LSI-në, pasi sikundër e ka pohuar edhe gazeta, demokratëve iu intereson që të shkojnë në zgjedhje të vetëm dhe pa partinë e Kryemadhit në koalicion apo nëpër këmbë.

Një gjë e tillë ndodhi në zgjedhjet e 25 qershorit të vitit 2017, kohë kur disa ditë më parë Basha dhe Rama arritën një pakt, të cilin Lëvizja Socialiste për Integrim e sulmoi dhe akuzoi Partinë Demokratike dhe Partinë Socialiste se e bën qëllimisht që të linin jashtë koalicioneve atë.

Dhe kështu ndodhi, teksa të gjitha partitë politike nuk patën kohë që të mobilizoheshin dhe të gjithë hynë në zgjedhje, duke garuar nën siglën e tyre. Nga këto zhvillime, partia që u plagos dhe u dëmtua më shumë, pasi u rrudh, ishte LSI.

Mirëpo, edhe tanimë ndodhi në të njëjtën situatë, pasi nga njëra anë PS këmbëngul se do të hiqen koalicionet dhe nga ana tjetër PD nuk po lëvizje, por në heshtje e ka miratuar këtë vendim të socialistëve, që sigurisht është i padobishëm për partinë e Kryemadhit, sepse e dëmton atë.

Basha distancohet tërësisht nga debati

Megjithatë, lënia në baltë e Lëvizjes Socialiste për Integrim nga ana e Partisë Demokratike, duket se ka marrë edhe “bekimin” e kryedemokratit Lulzim Basha.

Ky i fundit deri sa i imponoi Partisë Socialiste që të pranonte kërkesë e tij për të futur teknologjinë në zgjedhje dhe miratuar shumicën e pikave të propozuara prej demokratëve, dilte çdo ditë në konferencë shtypi dhe reagonte në media e rrjetet sociale, duke kërcënuar deri në bojkot.

Ndërkohë që në kushtet kur LSI kërkon që të mos hiqen koalicionet parazgjedhore, Basha është distancuar tërësisht nga debati për ndryshimet zgjedhore. Madje, e vetmja gjë që PD po bën dhe kjo duket se po bëhet për hatër të bashkëpunimit që ajo iu ka premtuar partive të kampit opozitar, është letrat e përbashkëta që përfaqësuesit e opozitës së bashkuar në Këshillin Politik bëjnë, përmes së cilave komunikojnë me mazhorancën dhe shantazhojnë këtë të fundit.

Kështu që, në kushtet kur për interesat e tij, Basha ka reaguar fort dhe tani që partia e Kryemadhit kërkon diçka, ai ka rënë në heshtje, tregon qartë që edhe ai e mbështet heqjen e koalicioneve parazgjedhore. Megjithatë, mbetet të shihet në ditët në vijim se çfarë do të ndodhë më konkretisht./Rigels Seliman