Ballina Aktualitet Rama krah Thaçit për akuzat e Hagës, takime intensive në Kosovë, lë...

Rama krah Thaçit për akuzat e Hagës, takime intensive në Kosovë, lë jashtë liste Ramush Haradinajn, ja detajet

40

Aktakuza e përgatitur kundër presidentit Hashim Thaçi dhe kreut të PDK, Kadri Veseli, kanë detyruar kryeministrin Rama të zhvillojë një vizitë të gjatë në Kosovë. Fillimisht kryeministri Rama u takua me kryetarin e Nismës Social-Demokrate, Fatmir Limaj, më pas zhvilloi një takim me Vjosa Osmanin.

Kryeministri është takuar po ashtu me kryeministrin e Kosovës Abdullah Hoti, dhe me kreun e PDK Kadri Veseli. Po ashtu kryeministri u takua dhe me ish-kryeministrin njëherësh kreun e LVV, Albin Kurti. Së fundmi kryeministri pati një takim me presidentin Hashim Thaçi.

Vizita e Ramës në Kosovë vjen pikërisht në një kohë kur Kosova dhe stina politike e atjeshme është kthyer në qendër të diskutimeve politike, si pasojë e vijueshmërisë së debatit Kosovë-Serbi, e cila mori një kthesë pas akuzave të ngritura për krime lufte ndaj Thaçit dhe Veselit. Ndërkohë ajo që u vu re është se Rama ka lënë jashtë takimeve kreun e AAK, Ramush Haradinaj, pas përplasjeve që ata patën. Këto përplasje shkuan deri në gjykatë dhe duket se për këtë arsye kryeministri e ka lënë jashtë liste Haradinajn.

Reagon Rama

Kryeministri Edi Rama ka reaguar dje përmes një postimi në Twitter për vizitën e tij në Kosovë, duke thënë se do të dëgjojë dhe mësojë më shumë lidhur me flet-rrufenë speciale dërguar Thaçit e Veselit. Rama shprehet se kjo do të mbetet një njollë turpi në historinë e drejtësisë botërore që nis akuzat pa pasur ende prova. “Në Prishtinë për të dëgjuar dhe mësuar më shumë pas fletë-rrufesë speciale që do të hyjë si njollë turpi në historinë botërore drejtësisë, që praktikën e akuzës publike pa aktakuzë juridike e ka njohur vetëm në epokat e sundimeve ideologjike”, ka shkruar Rama.

Detaje nga takimet

Kreu i Nismës Social-Demokrate të Kosovës, Fatmir Limaj ka zbardhur takimin me kryeministrin Edi Rama. Në një postim në Facebook ai tregoi detaje nga biseda me kryeministrin Edi Rama. Limaj kërkon që drejtuesit e institucioneve në Kosovë duhet të tregojnë lidership të vërtetë në këto rrethana në të cilat po kalon vendi. Gjithashtu, ai thotë se kryeministri Rama është shprehur i gatshëm të ofrojë të gjithë̈ ndihmën e shtetit shqiptar në çdo proces nëpër të cilat mund të kalojë Kosova.

“Bashkërisht konstatuam se drejtuesit e institucioneve në Kosovë duhet të tregojnë lidership të vërtetë në këto rrethana në të cilat po kalon vendi. Është përgjegjësi e udhëheqësve të forcave politike dhe institucioneve shtetëroree të Kosovës që t’i lemë anash dallimet dhe të veprojmë me gjakftohtësi të madhe në interes të vendit. Kosova nuk guxon të humbasë orientimin e saj dhe duhet t’i përgjigjemi me kujdes situatës, si dhe në të njëjtën kohë jam i bindur se ne do të dalim me të fortë nga kjo situatë.

Kryeministri Rama u shpreh i gatshëm që të ofrojë gjithë ndihmën e shtetit shqiptar në çdo proces nëpër të cilat mund të kalojë Kosova”, tha ai. Ashtu siç ishte parashikuar dhe në axhendë, kryeministri Edi Rama u takua dje me kreun e Vetëvendosjes, Albin Kurti. Takimi është mbajtur në selinë qendrore të LVV-së në Prishtinë, ku i pranishëm ishte dhe ministri në detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj. Ndërsa Kurti shoqërohej nga Glauk Konjufca. Vlen të theksohet se kanë kaluar pesë muaj nga takimi i tyre i fundit, kur Kurti bëri vizitën e tij të parë dhe të fundit si kryeministër i Kosovës, në Tiranë ku takoi fillimisht Edi Ramën./ARBJONA ÇIBUKU